Është promovuar në mjediset e UET, libri i katërt i aktorit Rikard Ljarja, “Josifopedia” përfshirë në kolanën letrare të Mapo Editions; shqetësimet, koha e tij, koha e shqiptarëve në tre epoka gjatë komunizmit dhe pas tij, përmes një personazhi emblemë si Josifi. Ky është libri i parë që promovon, ndërsa shënon tre romane të shkruar pas ’90-ës, duke marrë më shumë famën nga kinemaja, edhe pse ka qenë autor skenaresh dhe regjisor
Jemi në vitet ’50-të, në një fshat të jugut, kur kishat ende i kishin dyert hapur dhe priftërinjtë këndonin psalmet krahas rritjes së njeriut të ri socialist. Dalëngadalë fillon të fryjë një erë më e fortë, dhe kishës me derë të drunjtë iu vu dryni. Flitej për dënime e pushkatime, për armiqtë e popullit dhe fshati në jug nisi të ndryshojë. Josifi, djaloshi që ndjekim pas në ngjarjet e romanit të Rikard Ljarjes, me asocimin e titullit enciklopedia, “Josifopedia”, bëhet si një i “huaj” në fshat, një djalë i mbarë, i bukur që mbaron Shkollën e Kulturës. Ai, dhe me dhjetëra personazhë që ndërtojnë jetën në kulmin e komunizmit, gjithë sjelljet e tij, moralin dhe vazhdojnë dhe pak vite pas rënies së tij janë dëshmitarë të asaj epoke. A ka dashur Ljarja të japë një dëshmi për kohën? Autor i tre romaneve, të mëparshme, tani autori tregon se donte të shkruante një roman që të rrëfente ngjarje, ngjarje që kanë krijuar jetën e një vendi, e gjithë Shqipërisë, ashtu si edhe karakteret. Komunizmi në gjithë mekanizmin e tij, njeriun e ri, perversitetin, moralin, dhunën, terrorin, varfërinë. “Tek Josifi, por edhe dhjetëra personazhet e mi, aty jam unë”, thotë aktori. Shkrimi, edhe pse ka botuar pas ’90-ës, katër romane, thotë se ka nisur qysh në moshë të herët, fjala është për autorësinë e tij si regjisor, dhe skenarist i 200 faqeve të vëna në kinema. Nga imazhi te fjala, për Ljarjen duket se çlirimi i historisë, në një distancë të mundshme, i ka dhënë aftësinë për shkruar shkurt, konciz, gati gati me mendime të pezullta. Për këtë u shpreh edhe shkrimtari Ylljet Aliçkaj kur ndau për prozën dhe raportin e Rikardit mbi letërsinë: “Rikardi është dalluar gjithmonë, në miqësinë tonë kush e ka njohur, aftësia e tij rrëfimtare. Edhe pa shkruar ishte kënaqësi të dëgjojë histori nga Rikardi, histori lokale. Ai është nga veriu por e ruan identitetin të zonës nga vjen, të një shtrese të kultivuar intelektualë të Shkodrës. Rikardi po dëshmon se vërtet ka hyrë në aradhën e shkrimtarëve profesionistë, me romanin e katërt. Rikardi ka qenë ikona e kinemasë shqiptare, dhe është nder për një vend si Shqipëria që ky hyn në maja qoftë si aktor, qoftë dhe si regjisor dhe skenarist. Por, po të lexosh librat e tij, në fillim ke skepticizmin e natyrshëm që po vjen nga kjo famë, dhe përfiton nga ajo, por jo. Ai është shkrimtar spontan, nganjëherë gati në absurd me tema fshati të thjeshta, ndonjëherë me metafora dhe ndonjë mesazh universal . Është shpesh herë shumë naiv, shpeshherë abstrakt. Rikardi lë gjëra pezull për lexuesin, për të nxjerrë konkluzionin e tij. Nuk bëhet moralist. Më tepër është moralist kur flet me të. Në letërsi është spontan, gati gati neutral për të dhënë ngjarjet. Lajtmotivi i jetës së tij, mesa shikoj do të jetë letërsia dhe duket se është burim i pashtershëm për të rrëfyer”. Si gjithmonë racional në natyrën e tij, Ljarja ka folur shkurt, duke thënë se gjithçka ka dashur të tregojë është në libër, përmes tij. Aty mund të gjeni nga pak, në të gjithë personazhet, vetë shkrimtarin.
Ju ktheheni, – e përdor këtë term, për faktin se jeni një nga aktorët ikonë të kinemasë – me një libër të kartërt në rend, që botoni pas ’90-ës pas një përvoje një përvojë si regjisor, e skenarist. Bëhet fjalë për librin e botuar nga Mapo Editions, “Josifopedia”…të sjell ide të ndryshme nga titulli, mori ngjarjesh, apo diçka të thyer të prishur, pse ky titull?
Titulli “Josifopedia” ka një prapashtesë greke, si enciklopedia dhe ky titull mund të ishte për shembull “Bëmat e Josifit”, apo “ Historitë e Josifit”, nuk më pëlqejnë. Kurse kjo ishte një fjalë e vetme që i përmbledh të gjitha.
Çfarë donit të jepnit përmes këtij personazhi, jetës së tij, duke e ndjekur si një hije nga pas, në tre epoka, çfarë na kumton përmes tij?
Josifi lindi në një fshat nga dy prindër të shkëlqyer. Një familje shumë e mirë, me një reputacion shumë të mirë, në fshat. Qysh fëmijë ai fillon jetën. Rritet, fillon shkollën. Është djalë i mbarë, i bukur. Pak i përkëdhelur. Por, nuk është vetëm. Ai është i rrethuar nga dhjetëra e dhjetëra personazhe, dhe karaktere. Janë gjithë fshati. Më pas kur vjen student në Tiranë, në Shkollën e Kulturës, aty njihet me mjedisin e kryeqytetit, me shoqërinë e shkollës, kafenetë, me personalitetet që takon në art e kulturë. Më pas kthehet sërish në fshat, dhe vazhdon punën për shkollën që bëri. Atë punë ka bërë në Vatrën e Kulturës.
A ka ndonjë përfaqësim themelor Josifi për ju, pse e krijuat këtë personazh?
Nuk kam pasur një mendim të tillë. Sigurisht që ky personazh përfaqëson epokën e tij. Por problemi është se nga ’90-të e këtej, nëse një fëmijë ka qenë 20 vjeç në këtë kohë, sot ai është mbi 40, dhe ky fëmijë nuk di gjë fare se çfarë ka ndodhur. Po t’jua tregosh kohën do ta konisderojnë fantazi, të pabesueshme. Megjithatë unë jam përpjekur të mos pështyj, të mos fyej njeri. Për ngjarjet që kanë ndodhur jam përpjekur të jem sa më i vërtetë. Nuk e di sa ia kam arritur kësaj, lexuesi do ta shohë.
Sa është jeta juaj brenda këtij romani, a lexojmë jetën e Rikard Ljarjes pas personazhit, Josifit?
Kjo është një pyetje që e bëjnë zakonisht për të gjitha llojet e librave. Një shkrues librash kur e pyetën për një personazh, ajo ishte një femër në fakt, tha: jam unë. Tek të gjithë personazhet tha: jam unë. Ndaj edhe unë them se në këtë roman jam unë, në të gjithë personazhet. Seriozisht. Jam në ato stallieret e lopëve, sekretarët e partisë, kryetarët e kooperativës, me të gjithë jam edhe unë. Sepse s’kam si të jem ndryshe.
Ky është romani i katërt, çfarë ju shtyu të shkruanit libra pas ’90-ës?
Mos u ngatërroni. Unë kam shkruar edhe më përpara. Skenarët janë letërsi. Janë 200 faqe letërsi, prozë. Prozë e shkruar vizualisht. Ata që kanë lexuar librat e mi, më thonë se i kam shumë vizualë. Dhe unë ju them, sigurisht sepse unë vij nga kinemaja. S’mund të jem ndryshe. Jam i shkurtër, konciz. Shumë gjëra i ndërpres, i lë t’i mendojë lexuesi. Unë vij nga një përvojë të shkruarit qysh herët. Tre filmave u kam bërë skenarin. Nuk ka ndonjë ndryshim, thjesht është vazhdimësi. Këtë herë nuk bëhet dot film. Mund t’i kisha bërë edhe skenarë për filma, po, për mua më komode ishte t’i botoja letërsi.
Për shembull romani “humbëtira…” mund të bëhej film, por nuk mundet, sepse s’ka fonde, s’ka mundësi. Shqipëria s’ka mundësi. Mua më vjen keq për të rinjtë e talentuar, të jashtëzakonshëm që nuk kanë mundësi të zhvillohen, por iu ikin ditët me gjëra të vogla.
Ju jeni verior, gegë, shkodran. Ndërkohë romanin e vendosni në Shqipërinë e jugut. Pse kjo zhvendosje?
Unë vërtetë që nuk kam komplekse. Kam ardhur shumë herët në Tiranë. Kam qenë 19 vjeç besoj. Kam jetuar këtu. Por edhe profesioni më ka detyruar që të përpiqem të flas normën letrare. Se sa e kam arrit është tjetër punë. Por edhe të shkruaj normë letrare. Madje, unë e kam vështirë, pas kaq vitesh që jetoj këtu, të mendoj gegnisht.
Josifi tek romani, është një linjë që e shohin nga fillimi deri në fund edhe si një gjendje shpirtërore, duke lidhur me religjionin. Kishën. Një histori e saj, sidomos në komunizëm. Çfarë është ky raport që keni vendosur në libër? Si keni besuar?
Sigurisht unë besoj, por nuk jam prej atyre që në Shkodër i thonë: han fuguret n’dhamë, që do të thotë: kaq e don Zotin sa kafshon ikonat. Nuk jam prej atyre. Unë besoj në mënyrë të natyrshme, krejt normale.
Janë në libër dy momente interesante, vendosni përballë dy morale: perversitetin e zyrave në komunizëm si modelin e sekretares së partisë, dhe në anën tjetër keni një kërkim të shpirtit të pastër, si ajo e Fro-së, apo studentes…
Kjo është historia e romanit, nuk kam pasur ndonjë mendim. Janë ngjarje që kanë rrjedh natyrshëm…
A keni një mendim sot se ç’ishte diktatura, si e keni tejkaluar?
Unë në diktaturë ja kam kaluar shumë mirë. Sepse të jesh në qendër të vëmendjes, të jesh në televizion për 20 vjet, çdo natë nuk është pak. Kështu që diktatura tek unë nuk ka qenë…por, sigurisht si gjithë populli shqiptar kemi pasur probleme të mëdha, e të vogla. Ka pasë problem, por për vete nuk mund të them ndonjë gjë, nuk mund të them: poshtë diktatura. Nuk e them dot. Sigurisht si ajo diktaturë nuk mund të kthehet më, se diktaturat janë diktatura.
A jeni përmbushur me këtë roman? Deri ku ka shkuar Rikardi me këtë roman, deri ku jeni zbrazur, çfarë keni lënë pa thënë?
Nuk di të them për këtë. Kam shkruar atë që kam shkruar. Unë nuk di të them se çfarë kam bërë. Romani u botua, do të lexohet, do më shajnë, apo lëvdojnë…Të shkruarit është lodhje e madhe, është stërmundim…
Çfarë të shqetëson sot më shumë, si aktor, si shkrimtar?
Po vrasin veten çdo ditë djem të rinj. Pse e vrasin veten? Çfarë halli kanë? Ka gra që i dhunojnë në mënyrë të llahtarshme. Pse e dhunojnë? A dhunohet gruaja? Kjo është absurde. Ka perversitete brenda familjes, llahtarina. Ndoshta kanë qenë edhe më përpara. Nuk kemi ditur gjë. Nuk më vjen mirë që shtypi i proklamon, sepse ndodh që ndonjëherë i marrin si shembull.
Intervistoi: V.Murati
Fragment nga romani
Sifi po rritej, po rriteshin tërë moshatarët e tij, edhe Dhimitraqi. Me Dhimitraqin shkonte shumë mirë, se ai me të gjithë shkonte mirë, po Dhimitraqi thellë-thellë e kishte zili, se nuk dinte të imitonte, nuk dinte të këndonte … se Sifi ishte edhe i pashëm e binte në sy, sidomos në sy të vajzave. Kurse Dhimitraqi ishte më i shkurtër se Sifi, e kishte edhe hundën pak të shtrembër, kurse Sifi i kishte ngjarë Marigosë, që kishte qenë më e bukura e fshatit, sa edhe sot e kësaj dite burrat kur pinin një gotë e kur merrnin nëpër gojë tërë fshatin, kur binte fjala për Marigonë thoshin: “Marigoja sot është për t’u martuar”. E u shkonte goja lëng, e u vinte inat që e përlau Kristaqi, se të tërë e lakmonin për nuse. Po iku vate ajo punë.
Fshatarët e donin fort tokën, e punonin shumë atë. Edhe bagëtinë e trajtonin mirë. Kur punonin në brigadë, u kullonte djersa e u binte bretku. U bë zakon që kur brigada bënte pushim, të uleshin në ndonjë hije, të hapnin çantat që kishin marrë me vete, të hanin nga një çapë bukë, të pinin nga një pikë ujë e të bënin edhe pak muhabet.
Një ditë, brigadieri u tha kur u ulën, se do të lexonin gazetën. Dhe filluan. Gazeta vinte një ditë me vonesë, por për ta ishte njësoj.
Brigadieri e lexoi vetë ditën e parë, pastaj ia la një tjetri, kështu gazeta shkonte dorë më dorë çdo ditë. Të thuash të drejtën fshatarët mezi lexonin. Brigadieri ishte i lumtur kur ndonjë ditë qëllonte të ishte andej rrotull Sifi. E thërriste dhe i thoshte t’ua lexonte gazetën. Sifi s’përtonte, por problemi ishte se Sifi ishte në shkollë.
Brigadieri u mor vesh me mësuesit që ta lironte pak përpara se të mbaronte mësimi dhe t’i thoshte se po e prisnin te brigada. Sifi vraponte, e gjente brigadën nën hije, merrte gazetën dhe fillonte nga faqja e parë. Nuk arrinte asnjë ditë t’i lexonte të katër faqet, megjithatë brigadieri ishte shumë i kënaqur. Por edhe Sifi ishte i kënaqur, shkrihej kur ua lexonte gazetën. Se sa i merrnin vesh fshatarët ato që ishin shkruar në ato katër faqe s’kishte rëndësi për brigadierin, mjaftonte që kur Sifi lexonte me zë të lartë, asnjë nuk bënte muhabet, por vetëm përtypeshin me shije se ishin të uritur. Sifi pra, pa e kuptuar, filloi të merret edhe me propagandë. Herë mbas here, gazeta seç përmendte punë zakonesh të prapambetura e punë feje, por fshatarët më shumë e kishin mendjen se çfarë shkruhej për bujqësinë. Ndërsa për fenë erdhën duke u shtuar shkrimet dhe fshatarët nuk po e merrnin vesh se çfarë kishte qeveria me fenë! Një ditë sekretari i Partisë lajmëroi gjithë fshatin të mblidheshin të sheshi se do të vinin nga Komiteti i Partisë, për një çështje të rëndësishme që e shqetësonte shumë Partinë. E lanë punën para kohe dhe filluan të mblidhen në sheshin e fshatit. Sekretari i Partisë së bashku me nja dy komunistë dhe ca të rinj, nxorën një tavolinë nga zyra e partisë me gjithë mbulesën e kuqe dhe e vendosen te sheshi. Ishin mbledhur shumë, e shumë të tjerë vazhdonin të vinin.
Sheshi u mbush dhe po prisnin. Burrat në një anë ndërronin nga një cigare e gratë në anën tjetër merreshin me ndonjë thashetheme të vogël e pa qeder. Më në fund “gazi” i komitetit arriti. Nga vendi i parë zbriti sekretarja e dytë e komitetit, ajo që merrej me ideologjinë. Ishte një grua, apo vajzë, e gjatë, e pashme, e veshur bukur, me një fund pak të ngushtë që i nxirrte qartë format e kofshëve, me një bluzë të thjeshtë, edhe atë pak të shtrënguar, që ia nxirrte formën e gjoksit të plotë. Flokët i kishte krehur me kujdes. Ndërsa mënyra se si ecte, me hap të sigurt, tregonte që ia dinte vlerat vetes. U buzëqeshte të gjithëve. Sekretari i Partisë së fshatit i priti dhe u priu drejt tavolinës me mbulesë të kuqe. U ulën. Vetëm sekretari i Partisë së fshatit ndenji në këmbë. Pasi njerëzit zunë vend, sekretari i Partisë u shpjegoi fshatarëve se shoqja sekretare e Komitetit të Partisë së Rrethit kishte ardhur në fshatin e tyre të bisedonte për ecjen përpara të ekonomisë, për mirëqenien e fshatarëve, për politikën e jashtme të shtetit tonë, që nën udhëheqjen e partisë ishte bërë fenerndriçues për proletariatin botëror …
Shumica e burrave nuk e kishin mendjen se të gjitha sa tha sekretari i Partisë i dëgjonin përditë nga goja e Josifit kur u lexonte gazetën, e gati sa nuk i kishin mësuar përmendsh. Ata ia kishin ngulur sytë sekretares së dytë të Komitetit të Partisë së Rrethit e po pritnin që ajo shoqja të ngrihej në këmbë e të fillonte të fliste. Kështu nga pamja e panë e tashti donin t’i dëgjonin edhe zërin. Por nuk po arrinin t’ia përcaktonin moshën. Një herë u dukej çupëlinë e një herë e pjekur e bërë. Shoqja sekretare e Komitetit të Partisë së Rrethit u ngrit në këmbë, rregulloi pak flokët që i kishin zënë gjysmën e fytyrës, u mbështet me të dyja duart në tavolinën me beze të kuqe, u kollit pak dhe foli. Kishte një zë që i shkonte më së miri trupit të saj: të ngrohte, pak ledhatues dhe … asnjeri nuk dinte t’i binte në të, sepse ai zë se ç’kishte edhe diçka tjetër që të joshte e të bënte për vete. Pa dashur disa prej burrave duke dëgjuar atë zë të ngrohtë, u turbulluan dhe filluan t’ia heqin këmishën sekretares. Ajo i joshi. E nxorën me mendje thjesht vetëm me sytjena. Nuk dëgjonin fare se çfarë thoshte. I kishte marrë malli të shihnin një femër. Femër. Dhe ajo ishte. Oh sa mirë e kishin zgjedhur për sekretare, ajo ta mbushte mendjen edhe po ta kishe bosh.