Loja, shembja e qiellit

Postuar më: 02 December 2017 11:52

E shkuara e tij, jeta e tij, ngjarjet që e kanë shënuar e bëjnë Bashkim Shehun sot një shkrimtar që përmes një regjistri të kultivuar përçon te lexuesit ndjenjat kontroverse të personazheve të tij.  Sikur ato të ishin duke vepruar në momentin që ne lexojmë. Duket sikur kemi të bëjmë me personazhe 3D, të cilat mbijnë dhe formësohen përmes germave që formojnë fjalët, fjalëve që formësojnë fjalitë, fjalive që formësojnë paragrafët e kështu me radhë, deri te fundi i paralajmëruar.

Nga Bisej Kapo

E shkuara e tij, jeta e tij, ngjarjet që e kanë shënuar e bëjnë Bashkim Shehun sot një shkrimtar që përmes një regjistri të kultivuar përçon te lexuesit ndjenjat kontroverse të personazheve të tij.  Sikur ato të ishin duke vepruar në momentin që ne lexojmë. Duket sikur kemi të bëjmë me personazhe 3D, të cilat mbijnë dhe formësohen përmes germave që formojnë fjalët, fjalëve që formësojnë fjalitë, fjalive që formësojnë paragrafët e kështu me radhë, deri te fundi i paralajmëruar. Kaos në fillim, flashback-e, narratori si pjesë e së tërës me zë të rëndësishëm në rrëfim. Sa jetëshkrime? Si ndërthuren? Ku takohen? Këto janë çështjet e para që të shkojnë nëpër mend teksa ke hapur pazllin prej 100 000 copëzash, te Loja, shembja e qiellit, dhe, pikërisht aty, në leximin e tyre një e nga një ndërtohet Historia në të dyja trajtat.

Ky sistem udhëheq edhe strukturën e kapitujve ku rrëfehet jetëshkrimi i Aleks Krastës. Çdo rrëfim na vjen nga një narrator, i cili rrëfen jetëshkrimin e shkruar etshëm nga vetë Aleks Krasta. Mirëpo, narratori ka një zë të rëndësishëm në përmbushjen e amanetit të fundit të shokut të tij. Kemi të bëjmë me një rrëfim brenda rrëfimit. […] ndërsa këto radhë që po shkruaj, dhe të tjera që do t’i shkruaj në vetën e parë duke ndërhyrë vende-vende, janë njëfarë kornize e rrëfimit të Aleks Krastës, rrëfimi i këtij të fundit është njëfarë kornize e atij të pater Shtjefnit. […] rrëfimi i pater Shtjefnit është si një pikturë brenda një pasqyre […]. Element teknik i narrativës, por na tregon dhe na udhëzon që në fillimet e leximit se me çfarë do të përballemi në vazhdimin e kapitujve.

Pra, boshti është jetëshkrimi brenda të cilit ndërthuren koha, personazhet, ndërgjegjja dhe e pandërgjegjshmja, ëndrra dhe realiteti. Secili kapitull na jep një element, pastaj një tjetër dyshim, pastaj i njëjti element rimerret pas dy kapitujsh për t’u zgjeruar pak më tej. Çdo pjesëz e kohës së (për)jetuar duket si një pazëll, i cili është i shpërndarë, por çelësat e zgjidhjes së tij i merr taksa kalon faqet. Ato shndërrohen brenda copëzave të pazëllit në imazhe reale përmes një fjalori që është tërësisht në funksion të (për)vijëzimit të plotë të personazheve. Forma e narracionit për nga fuqia që mbart të çon deri te fundi i paralajmëruar me një ndjenjë të fortë ankthi. Kërkon të kuptosh nëse koha, dilemat, besimi, dëshirat, dashuria, shoqëria… kanë marrë një formë reale apo përsëri do të pluskojmë mes ëndrrës dhe realiteti, pa arritur as njërën as tjetrën.

Fillimisht kemi kohën, si element kontekstual. Shqipëria e treguar në dy kohë të ndryshme. Para dhe pas ’90-ës. Pra koha si element kontekstual i dy sistemesh vlerash dhe organizimesh të ndryshme. Vlerat dhe antivlerat e secilit prej këtyre dy sistemeve, të cilat vijnë përmes veprimeve të personazheve. Dy rini. E para, para viteve ’90, që jetonte brenda një kornize me rregullat e padiskutueshme të një superstrukture që vigjilonte përmes agjentëve të saj, strukturorë ose jo, mbi individin. Pas ’90-s, e gjen atë rini të copëtuar, pa rini, pa qëllime, pa hiçgjë.

Pra koha, për rrjedhojë, si personazh.Koha në fakt, te Loja shembja e qiellit, nuk është vetëm një konturim kontekstual. Por, kthehet në një personazh brenda personazheve, në personazh brenda dilemave, në personazh brenda Lojës shpaguese. Pra, Koha si Personazh është trajta e dytë që del në pah te Loja, shembja e qiellit. Koha e vërtetë dhe koha e jetuar, dy elemente për të cilat ia vlen të ndalemi

Koha e vërtetë dhe koha e jetuar, sipas Bergson-it, nuk janë gjë tjetër veçse kohëzgjatja e vetëdijes. Në fakt jemi ne që i japim asaj kuptime përmes përjetimeve të vetëdijes sonë. Kështu, nëse arsyetojmë mbi kohën e vërtetë të historisë, themi se është ajo që gjithsecili ka përjetuar në vetëdijen e tij. Pra, një rrjedhë e gjendjeve të vetëdijes në të cilat dallimi mes para dhe pas, nuk ka asnjë kuptim,nëse përdorim fjalët e Bergson-it.

Në fakt edhe në narracion nuk kërkohet një kthim i kohës, i rinisë, por është një ritregim i vetëdijes dhe i pavetëdijes (përmes ëndrrave) të një shoqërie të mbërthyer brenda disa skemash sjelljeje. Koha e vetëdijes është  përbërë nga çaste të dallueshme që mbivendosin njëra-tjetrën, përzihen dhe përbëjnë një tërësi të pacopëtueshme. Kështu edhe jetëshkrimi i Aleks Krastës është një tërësi e pacopëtueshme në kohë sistemesh apo regjimesh, është  koha e vetëdijes ku çdo çast është tërësisht i ri dhe krijon kësisoj një “ortek” të memories.

Ekzistenca e një kohe të jashtme nga ndërgjegjja dhe një kohe të brendshme ndaj saj –  të dyja këto kohë nuk kanë një raport mes tyre. Por perceptimet janë të ndryshme. Perceptimi që kemi për kohën reale është përmes dritës apo errësirës që na japin jo vetëm elementet fizike që rrethojnë personazhet, por në të shumtën e rasteve janë aty edhe për të na orientuar në kohë. Ndërsa koha e ndërgjegjes, pra koha e brendshme, është intuita, parandjenja, ajo që i shpëton racionales, asaj që shquhet me sy. […] vdekja e babait, internimi në fshtin N., vdekja e të ëmës, pater Shtjefni, loja me Fiorën, eksperienca e parë seksuale, dashuria e munguar, nga Xhimi në Jimmy […]. Asnjëra prej tyre nuk mund të përcaktohet në një kohë të vërtetë, por janë të gjitha kohë të ndërgjegjes të pakontrollueshme dhe të paindoktrinueshme nga asnjë regjim.

Personazhet që lëvizin brenda kohës dhe që e kthejnë atë nga racionale në irracionale janë komplekse, me historitë e (për)jetimet e tyre. Narratori është ai, i cili në pasqyrë sheh dhe (për)jeton të gjitha ndjesitë, dhe përmes përzgjedhjes së një fjalori të kujdesshëm përçon këto përjetime. Aleks Krasta, djali i një funksionari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërsa e ëma ishte mësuese muzike. […] nga nëna ai trashëgoi atë ndjeshmëri artistike që do t’i shfaqej më vonë, sado në trajta të shpërqendruara. Porse ajo çka do ta shenjonte jetën apo fatin e Aleksit kish të bënte me punën e babait […]. Pra Aleksi ishte rritur në një ambient të ndryshëm nga ai në të cilin u detyrua të kalonte pjesën e rinisë së tij. Fjalën Zot, nuk e kish dëgjuar, atë e dëgjoi thuajse menjëherë me fjalën armik… kur ishte vetëm katër vjeç e gjysmë… duke luajtur me atë që do të ishte dashuria e tij platonike, Fiorën. Atij iu ndalua të shoqërohej me të.

Xhimi-Jimmy, miku me të cilin kish bërë aventura, një personazh mbështetës dhe përmes të cilit kuptojmë gjendjet në të cilat ndodhej Aleksi. Përshkrimet mbi Jimmy-n janë shumë të veçanta. Duke filluar nga periudha e paraburgimit të Aleksit, në të cilën ai ishte një hajdut xhepash, dhe deri në periudhën pas viteve ’90 ku u kthye në bosin e drogës dhe ku elaboronte mbi domethëniet e amfiteatrit. Fredi, vëllai i Fiorës dhe babai i Linës, asaj femme fatale e cila e bëri të kujtonte se ishte i dashuruar, rrobaqepësi i cili qe dënuar me burgim për vrasje dhe gjendej në spitalin psikiatrik dhe prej aty qepte kostumet e VIP-ave. Secili prej këtyre personazheve është aty, në kohë dhe në hapësirë, për të treguar shndërrimet dhe botëkuptimet e ndryshme të individit. Secili prej tyre është një botë më vete brenda botës në të cilën ndodhet Aleksi.

Pater Shtjefni, dialogët me të cilin e ndihmonin të kuptonte besimin dhe të hidhte më shumë dritë mbi një personazh të mistershëm, Luigji C. (për të cilin do të flas më poshtë). Nga bisedat me pater Shtjefnin, Aleksi mundohej të përbrendësonte një besim tek i cili, ndoshta, shihte një fuqi për të gjetur një rrugëdalje. Por, e pamundur, rrugëdalje nuk gjen. Sepse autoriteti i babait dhe i mësimeve ateiste dominuan mbi të. Madje edhe pas venitjes së tyre, ajo që zëvendësoi autoritetin ishte çorientimi, por  […] nga një valë marramendëse fantazmash që e kanë ndjekur tërë jetën. Pater Shtjefni, zëvendësimi i shëmbëlltyrës atërore dhe i Atit qiellor njëherësh, në fakt është edhe shtysa e Aleksit për të shkruar jetëshkrimin e tij, në një tjetër kuptim të fjalës rrëfim. Narratori na shpjegon se në një farë mënyrë dy rrëfimet, ai i Aleks Krastës dhe ai i pater Shtjefnit, janë të nyjëzuara me përjetime në kufijtë e së pamundurës.

Është pikërisht pater Shtjefni, ndoshta, personazhi më stabël në të gjithë romanin, i cili përmes besimit të konsoliduar arriti të mbijetonte në të dy sistemet, duke pasur bindjen se forcat madhore janë aty për ne në jetë.  Është përmes fjalëve të pater Shtjefnit që rrëfehet terri në Kuvendin Françeskan të Shkodrës. Në fakt, rrëfimet e pater Shtjefnit janë vetëm dy në të gjithë romanin, por janë rrëfime të një diapazoni më të gjerë se sa vetëm rrëfimi. Përmes tyre kuptojmë se si njeriu shndërrohet në bazë të rrethanave dhe kushteve në të cilat gjendet. Se si edhe pse ato apo këto rrethana ndalojnë këtë apo atë, është njeriu përmes vetëdijes së tij që mban gjallë atë për të cilën beson. Pikërisht, do të jetë pater Shtjefni ai i cili do ta ndihmojë Aleksin vite më vonë duke i ofruar kësisoj disa muaj qetësi, duke e punësuar si ndihmës të një sakristani të moshuar.

Luigji C. Personazhi misterioz, ish-nxënës në kuvendin Franceskan, kish braktisur fenë e krishterë për të përqafuar një fe tjetër, atë të ideologjisë. Kish qenë gjithnjë prezent në rrëfimet e pater Shtjefnit, por edhe në jetën e Aleks Krastës. Toka vazhdonte rrotullimin e saj të pandryshueshëm rreth Diellit, dhe vitet kalonin, dhe Aleksi vazhdonte të mendonte për atë lojë shpaguese. Kështu, sapo iu dha rasti të kish përballë Luigji C.-në, atë qenie që i shfaqej në ëndërr e stërmadhe me flatra të bardha që i vërvitej përsipër dhe e mundon paprerazi me klithma rrëqethëse, ai e shfrytëzoi për të marrë prej tij rrëfimin e fundit. Banaliteti i së keqes shkonte përtej asaj që Aleksi kish shpresuar të dëgjonte… dhe kështu merr vendimin të zhbëjë zërin e personazhit Luigji C.

E gjithë kjo duket ëndërr brenda një realiteti. Ose si një realitet brenda një ëndrre. Përbindëshi me flatra në ëndërr kthehet në përbindësh të vërtetë në realitet, apo në fakt ishte realiteti që e kish kthyer atë në përbindësh (me flatra të bardha). Jeta dhe ëndrra janë faqet e të njëjtit libër, sipas Schopenhauer-it. Kur Aleksi kishte ndjesinë se ishte në vagonin e gabuar, atë me numër 47, në realitet ishte në vendin që përbindëshit. Në atë që do të shënjonte gjithë jetën e tij. Nr. 47 tregon një ekuilibër të mangët në çdo gjë, paqëndrueshmërinë. Realiteti-ëndërr dhe ëndrra-realitet. Është pikërisht kjo marrëdhënie e cila na bën të krijojmë, të jetojmë dhe të përballojmë (apo t’i japim fund përmes rrëfimit), përbindëshit që na përndjek.

[…] nuk ka asnjë rrëfim tani, asnjë fjalë, vetëm heshtje, një heshtje që i ngërthen të gjitha ato që u rrëfyen … heshtje që ngërthen gjykimin dhe ndëshkimin e dhënë nga gjykatësi i botës së përtejme…  […] protagonisti i këtij rrëfimi, aktor dhe autor dhe shikues njëherësh… sepse në fund të fundit gjithkush pasi ka performuar aktin e fundit nuk ka më fuqi të luftojë banalitetin e së keqes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *