Botim i UETPress: “Larg dhe afër”, prezantohet libri i intelektualit shqiptar Ismet Toto

Postuar më: 02 December 2017 11:49

“Larg dhe Afër”, titullohet libri i autorit Ismet Toto, një nga intelektualët më në zë të viteve ’30, i dënuar me vdekje nga Mbreti Zog për organizimin e një kryengritjeje të armatosur.

Libri që u promovua në Muzeun Historik Kombëtar është një përmbledhje me artikuj dhe shkrime që Toto ka lënë pas, e që është bërë e mundur të botohet nën kujdesin e mbesës së tij, Prof. Dr. Nevila Nika.

“Klubi i leximit pranë muzeut”, është logoja e veprimtarive periodike javore që po zhvillohen në Muzeun Historik Kombëtar, e cila mbështet gjithashtu fushatën kombëtare të leximit “Takohemi për një Libër” iniciuar nga Ministria e Kulturës.

Në këtë takim, nga ana e tij drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dr. Dorian Koçi e vlerësoi Ismet Toton si një tribun të mendimit intelektual shqiptar.

“Me aktin e vdekjes së tij, kur Ismet Toto përpara trekëmbëshit të varjes ka kërkuar një krehër të krihte flokët e të vdiste i bukur dhe heqjen e vetë stolit duke e kryer në këtë mënyrë vetë ekzekutimin e tij, ka kryer një akt civil”, u shpreh Koçi.

Sipas Dr. Dorian Koçit, gjatë viteve të diktaturës komuniste në Shqipëri, emri i Ismet Totos u fut në analet e harresës, por dhe në vitet e demokracisë figura e këtij intelektuali të madh nuk ka marrë vlerësimin e duhur.

Nga ana e saj, mbesa e Ismet Totos, studiuesja e njohur. Prof. Dr. Nevila Nika tregoi për të pranishmit historinë familjare dhe aktivitetin shoqëror e politik të Ismet Totos dhe odisenë e gjatë për të mundësuar botimin e gjithçkaje ai kishte lënë pas si një intelektual e mendimtar përparimtar.

“Gjyshi im, Ismeti, u dënua me vdekje dhe u ekzekutua me varje më 12 korrik 1937 në Kalanë e Gjirokastrës, ndërsa dy vëllezërit e tij, Et-hemi e Tahsimi dhe xhaxhai i tyre, Arifi, ishin vrarë ditë më parë. Shtëpinë e Totove e kaploi zija. Mbrapa kishin lënë babanë e moshuar, bashkëshortet, atë të Et-hemit dhe Ismetit, që ishin edhe motra, dhe 6 fëmijë nga më i madhi 10 vjeç e deri 1 vjeç. Shtëpia e Totove u bastis nga xhandarmëria zogiste. Humbën gjatë kësaj bastisje mjaft sende e objekte të çmuara të familjes. Me këtë rast humbën ose më troç u rrëmbyen  letra origjinale që Mustafa Kemal Ataturku i kishte dërguar Ismetit sëbashku me penën e kallamarin e bojës prej ari në shenjë falenderimi për librin që ai kishte shkruar për të. Nuk u gjetën kurrë. E vetmja shenjë e kontaktit të Ismetit me Ataturkun është një kopje e librit “Gaziu” dërguar  atij nga vetë Ismeti dhe që ndodhet në Bibliotekën e tij në Ankara.

Gjirokastra e përcolli  Ismetit me të gjitha nderimet. Dyert e familjeve gjirokastrite Çuçi e Hajro u hapën për kësollë, populli e vajtoi me ligje e  xhandarmëria vëzhgonte e njoftonte Tiranën zyrtare. Gjesti i padëgjuar më parë i Ismetit para ekzekutimit, kërkoi krëhër për të rregulluar flokët e tij të dendur e të dredhur rregulloi xhaketën dhe u ngjit vetë në stol. E pikërisht aty ai kreu aktin e fundit heroik, nuk pranoi që xhelati ti hiqte stolin, por duke thënë….”nuk ka mbetur Ismet Toto  që ti heqë fronin xhelati i kalasë së Gjirokastrës”, e largoi vetë atë. I dënuar me vdekje nga një gjykatë, që pasi nuk mundi të vërtetonte dot se ai kishte vrarë apo tentuar të vriste qoftë edhe një njeri e aq më tepër vetë Mbretin, se nuk vërtetoi dot se lëvizja apo kryengritja e Delvinës kishte qenë komuniste, por vetëm e drejtuar kundër një administrate e cila vazhdonte të kishte pothuaj të njëjtin mentalitet të trashëguar nga Perandoria Osmane, Ismeti me këtë akt të paprecedent tregoi gjithë përbuzjen, dëshmoi rebelimin e kundërshtinë e tij ndaj “fitimtarëve të përkohëshëm”. Ishte i bindur se nuk do të vononte dhe rinia, apo siç atij i pëlqente ta quante Djalëria, do t’ja dilte mbanë për të hedhur tutje “rreckat e vjetra”, të cilat po “i merrnin frymën Shqipërisë”.”, ka shkruar ndwr tw tjera nw parathwnie, e mbesa e Ismet Totos, Nevila Nika

Ismet Toto, intelektuali që u dënua me vdekje nga regjimi i Mbretit Zog, është dhe një prej njerëzve që ka kontribuar për mendimin e ri shqiptar.

Ai ishte më i riu i një plejade neoshqiptariste studiuesish, gazetarësh, kritikësh dhe shkrimtarësh të cilët u shquan për talent, aftësi, interesa të gjera dhe erudicion, guxim qytetar dhe prirje për shtigje të pashkelura. Shkrimet dhe përpjekjet e tij për të ndërtuar revista letrare përbëjnë ngjizjen e një mendimi intelektual evropian shqiptar. Ky vit shënjon 80-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *