Shuhet Robert Elsie, amaneti: Dua të prehem në Shqipëri

Postuar më: 02 October 2017 09:47

Shkrimtarja dhe poetja Flutura Açkla sjell lajmin e hidhur, atë të ndarjes nga jeta të albanologut të shquar Robert Elsie.

Njëherësh ajo i dërgon një letër Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, dhe Kryeministrit, Edi Rama, për amanetin e tij: “Dua të prehem në Shqipëri”:

“Zonja Mirela Kumbaro, Ministre e Kulturës,
Zoti Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë

Robert Elsie dëshironte të prehej në Shqipëri, bëjeni të mundur këtë! Dhe me të gjitha nderimet që meriton.

Miq! Ikja sot e albanologut, studiuesit, përkthyesit, hulumtuesit, njeriut të të gjitha përmasave të letrave, njeriut që e dashuroi Shqipërinë si asnjë i huaj tjetër, Robert Elsie, është një nga humbjet më të mëdha për kulturën shqiptare. Një akademi që ecte, një nga njerëzit që punoi i vetëm aq sa institute nuk mundën dot, e la në mes e të pakryer kështjellën letrare të tij ku strehonte kultur;en shqiptare. Ai la pas një vepër të jashtëzakonshme dhe të pazëvendësueshme. Ne shqiptarët e sotëm mbase nuk do ta dimë mjaftueshëm kush është Robert Elsie, letrat shqipe sot mbase prej shkujdesjes, nuk e kanë patur vëmendjen e duhur ndaj këtij titani letrash, por brezat që do të vijnë, do ta kuptojnë që ky njeri i thjeshtë dhe jashtëzakonisht punëtor – një nga njerëzit më punëtorë të letrave që kam njohur – i ka bërë të tillë shërbim kulturës shqiptare, që ajo sot duhet të ndihet në zi. Kultura shqiptare është sot në zi. Vepra e këtij njeriu modes në natyrën e tij njerëzore, por e papërmasë si pasuri për ne, ka qenë engjëlli i vërtetë mbrojtës dhe i pazëvendësueshëm për kulturën shqiptare.

Si shkrimtare shqiptare, si mike e tij, si shqiptare do të isha e lumtur që Atdheu im do të bëjë një vend për këtë njeri të pazëvendësueshëm, dhe shqiptarët të kenë mundësi ta kenë plotësisht të tyrin Robert Elsien. Pushofsh në paqe mik i vyer!”

Robert Elsie u nda nga jeta në moshën 67-vjeçare.

Ai ishte një nga studiuesit e palodhur, i specializuar në letërsinë dhe folklorin shqiptar, një albanolog i shquar, kontributi i të cilit është mjaft i vyer.

Vdekja e tij është vërtet një humbje e madhe për albanologjinë.

1 koment për këtë artikull
  1. Nene Pashako. D. at 9:37 pm

    Nje lajm i kobshem;ndaria nga jete e keti njeriu te mire dashamires Albamnolog,te shquaj Robert Elsie,krijues i ralle perkushtuar vendit tone.Ju plotesofte deshira e fundit:T’i prehen eshterat ne Shqiperi. Kjo eshte e jashtezakonshme per mire.
    Plotesojani amanetin .
    I perjetshem kujtimi Tij
    Nene Pashako D.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *