Kronika

Zjarri në pyllin e Semanit, prefekti: Jemi të gjithë në këmbë, apeli im për qytetarët

Pas djegies së rreth 2 hektarë pyje në pyjet e Semanit, prefekti i Qarkut të Fierit Baki Bala deklaron se situata është nën kontroll. Ai thotë se të gjitha forcat zjarrfikëse, emergjencat civile, institucionet vendore janë duke punuar për stabilizimin e situatës.

Si pasojë e zjarrit janë shkrumbuar krejtësisht dy katet e poshtme të bimësisë, shkurret dhe barishtoret por fatmirësisht dëmi në kurorat e pishave ka qenë i pakët.



Sipas emergjencave civile të Fierit zjarri është konstatuar në orën 5 të mëngjesit dhe menjëherë ka nisur puna për shuarjen e tij. Erërat detare dhe i nxehti kanë ndihmuar në përhapjen e zjarrit me shpejtësi.

Ndonëse thotë se nuk është ende e qartë se si ka nisur zjarri, Prefekti Bala iu ka bërë edhe një apel qytetarëve që të jenë të kujdesshëm.

Gjatë orëve të pasdites ka pasur një riaktivizim të vatrave zjarri të cilat kanë përparuar në drejtime të ndryshme. Për këtë arsye forca të ushtrisë me helikopter kanë nisur ndërhyrjen nga ajri duke hedhur ujë në vatrat e zjarrit të cilat kanë qenë të vështira për t’u arritur nga zjarrfikëset.
Prefekti deklaroi se për dy ditë do ketë kontrolle të vazhdueshme edhe pas shuarjes së zjarrit pasi erërat mund të sjellin riaktivizim të flakëve.

Në pyllin e Semanit kanë qenë edhe forcat e policisë që kanë menaxhuar situatën me pushuesit në bregdet. Deri tani nuk ka pasur dëme në njerëz apo në kabinat e pushuesve që gjenden rreth 500 metra larg zonës së prekur nga zjarri.

Në terren kanë punuar 23 forca të zjarrfikëseve, të Fierit, Patosit e Roskovecit, dhe 40 punonjës të emergjencave civile, si dhe nga inspektorati i mjedisit e pyjeve dhe Forcat e Armatosura.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas