Kryesore, Politika

“Zisi i turpit, çdo Agron Tufa aty?”, shkrimtari i përgjigjet studiuesit Alibali: Ky dalëzotës i erzit enverist harron se…

Agron Alibali, studiues i njohur, i cili jeton në SHBA, teksa reagon pas një reportazhi për kampin e Tepelenës, ndalet me qellim në një foto, që shoqëron shkrimin.

Më tej Alibali shkruan: Zisin e Turpit. Me paret e PNUD-it është marrë Zisi me qira si simbol i mjeteve të transportit nën diktaturë.



Sot në një shkrim për “Panorama”, i është përgjigjur Alibalit duke thënë se ajo foto është bërë për një aktivitet përkujtimor, dhe ka inskenuar skenat se si silleshin në kampet e internimit “armiqtë e popullit”.

“Ky dalëzotës i erzit enverist harron se ka të bëjë me një profesionist interpretimesh të teksteve ku e ku më të vështira, ekzegjetike, ndryshe nga ç’janë përçartjet e tij prej shpifësi të ulët”, shkruan më tej Tufa.

agron-tufa

 

Shkrimi i Agron Tufës

AGRON TUFA/ Agron Alibali është prekur thellë në erzin enverist. Për shkak të përpjekjeve që po bëhen në Shqipëri për memorizimin e së shkuarës traumatike komuniste. Për shkak të memorizimit të Kampit të Internimit me tela me gjemba në Tepelenë. Lëndimit të tij ai u rrek t’i japë përmasë ndërkombëtare në një reagim të botuar në 20 shtator në gazetën “Panorama” online dhe disa gazeta të tjera. Alibali i referohet aktivitetit përkujtimor të mbajtur në kazermat e ish-Kampit të vdekjes në Tepelenë më 23 gusht 2018, me rastin e Ditës Botërore të Viktimave të Diktaturave. Sigurisht, Alibali përpiqet të shpëtojë me çdo kusht erzin e diktaturës komuniste (dhe për këtë ka kush e përgëzon), por nuk e kuptojmë pse ka zgjedhur ta bëjë këtë mision me armën e ulët të të ligut, që është shpifja.

Prej gjithë aktivitetit përkujtimor në Tepelenë, Alibalit i qenka fiksuar keq një foto mbi një “Zis”, si ato që qenë përdorur për të sjellë të internuarit në kamp në 1949. Dhe jo për faktin se me anë të këtij kamioni, Grupimi i pavarur MEMO (ku unë jam shkrimtar i mbi 70 monologëve në video), inskenonte realet komuniste të transportit të “armiqve të popullit” në këtë kamp, por për faktin se në atë kamion gjendej Agron Tufa! Prandaj, zemërata e të ashtuquajturit studiues shpërthen ndërkombëtarisht me fyerje në adresë të shefit të PNUD-it në Shqipëri, “kanadezit të lehtë Brian Williams”, siç shprehet ai.

Dhe pse pra? Pse “mendjelehtë”? Sepse, sipas Alibalit:

a) Brian Williams “ka financuar 140.000 euro bashkë me ambasadorin italian për të shpikur ‘Aushvicin’ shqiptar në Tepelenë” dhe “nuk ka as drojë dhe as pikën e idesë se si po shpërdoret dhe hipën lart në Zis”;

b) Se Brian Williams “nuk e di i varfëri se në të njëjtin Zis (vini re: o zot na ruaj!), është edhe Agron Tufa (ububu, çfarë tmerri!!!) që ka bërë deklaratën e tmerrshme dhe famëkeqe antisemite nga auditoret e UET”.

Parë, pra, me sytë e këtij don kishoti në kuptimin më negativ të fjalës dhe krejt në akord me deduksionin e tij derdimen, shefi i PNUD-it ka bërë dy sakrilegje të pafalshme:

a) Financon projekte antihistorike e antikombëtare

b) Del, përmes shkrimtarit Agron Tufa, me akte të hapura antisemite.

Ç’të mbetet të thuash pas gjithë kësaj derdimenomanie?

Kurajë, Selman i nënës, kurajë! Nuk kemi mbaruar.

Tani përfytyrojmë sikur jemi në vitet e diktaturës dhe, dalëzotësi i erzit komunist, shpifësi Agron Alibali, ta kishte në dorë këtë kamion. Përfytyroni rolin e oficerit të Sigurimit që i bie fort për shtat atij. Përfytyroni tash edhe egërsinë e tij të konservuar në eshtra kundrejt “imperialistit” Brian Williams dhe “armikut të popullit” Agron Tufa. Kështu merr jetë të gjallë kjo tablo imagjinare me lëndën e vet makabre në kampin me tela me gjemba në Tepelenë.

***

Shpifja dhe alibia janë armët më të shëmtuara dhe më të ulëta që përdor njeriu i lig. Vini re përdorimin në trajtë të shquar të shpifjes që përdor Alibali: “…është dhe Agron Tufa, që ka bërë deklaratën e tmerrshme famëkeqe antisemite”. Jo “një deklaratë”, por “deklaratën”, pra, diçka për të cilën është në dijeni prej kohësh i madh e i vogël. Madje, jo një deklaratë dosido, por “të tmerrshme” dhe “famëkeqe”. E përforcuar me dy cilësore mbiemërorë të shkallës sipërore. Dhe pikërisht këtu lexuesi lihet në terr informativ, duke vrarë mendjen: “More, po çfarë deklarate paska qenë kjo, edhe ‘e tmerrshme’, edhe ‘famëkeqe’?” Këtu Alibali nuk e ndihmon lexuesin, por tretet në alibinë e shpifësit. Pra, lexuesi duhet me i “xanë besë në fjalë”. Por lexuesi pyet: Pse e lëshoi vallë kuraja Selmanin e nënës? Pse s’denjoi të na e thotë “deklaratën”? Nuk besoj se alibia e Alibalit ka lidhje me energjinë mistike të kombinimit të shkronjave në Kabalë, sa t’i trembet verbalizimit të shkronjave të kombinuara që formojnë një frazë të “deklaratës së tmerrshme e famëkeqe”. Deklaratë, që Alibali ka frikë ta artikulojë me shkrim, si të ishte kryeblasfemia më e tmerrshme, të cilën s’e nxë goja.

Kulturalisht, ky soj është aq i vobektë në këtë sferë të filologjisë, sikundër merret me mend një shpifës nostalgjik e dalëzotës i erzit enverist. Po atëherë, pse s’e përmend? Është e thjeshtë: Sepse kurrfarë deklarate nuk ka. Kurrfarë deklarate nuk ekziston. Ajo është një shpifje transoqeanike, siç mund të ketë qenë pjesë e kulturës së tij etike në vitet nanurisëse të diktaturës. Biseda ime me studentët e UET-së është botuar në “Panorama”, më 4 prill 2018. Nuk besoj të ketë qenë i pranishëm aty shpifësi ynë, përndryshe do kishte dhënë të dukej në sallë. Po kjo është një çështje tjetër, së cilës Alibali do t’i përgjigjet në gjyq, si shpifës e fabrikues vullnetar apo i sponsorizuar.

***

Mohimi i paturpshëm i krimeve të komunizmit, i aspekteve të pastra gjenocidiale, mohimi apo relativizimi i kampeve të shfarosjes, të ashtuquajtura “kampe me tela me gjemba”, veçanërisht ato në Kamzë, Krujë, Turan, Bënçë, Porto Palermo, etj., kanë pasur rregullisht mohuesit e pafytyrë, kryesisht pinjoj trashëgimtarë të nomenklaturës dhe historisë komuniste. Pikun më të ashpër ky mohim e pati në pranverën e këtij viti, në diskurset mediatike. Mendoj se unë dhe kolegët e mi të Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit dhe instituteve e shoqatave të tjera u dhamë përgjigjen e merituar “enveristëve”, mohuesve të paskrupullt, duke i delegjitimuar publikisht përmes dokumenteve, fakteve dhe dëshmive të gjalla. Por trashëgimtarëve të diktaturës, dihet, u del shpirti, por jo huqi. Nëse Parlamenti shqiptar do të kishte miratuar një ligj, sikur e kanë shtetet ish-komuniste, që tash janë në BE, mohsat e krimeve të komunizmit do të ndiqeshin penalisht, nëse do t’ua mbante. Këto ligje të shteteve të BE-së i kam cituar me linqe në replikat e detyruara ndaj enveristëve Servet Pëllumbi, Pëllumb Xhufi e pëllumbave të tjerë, me e pa pupla… Në mungesë të ligjit, i bie të durojmë huqet.

I tillë na vjen dhe huqi i Agron Alibalit, këtij selmani më të ri, që s’ke ç’t’i qash më parë. Sado të kamuflohet pas retorikës së madhe, ky dalëzotës i erzit enverist harron se ka të bëjë me një profesionist interpretimesh të teksteve ku e ku më të vështira, ekzegjetike, ndryshe nga ç’janë përçartjet e tij prej shpifësi të ulët. Shkurt, inteligjencës së Alibalit i dalin veshët nga torba. Se, bie fjala, shtrojmë një pyetje fare të thjeshtë: Çfarë i djeg Alibalit për Tepelenën, sa të hidhet e të sajojë shpifje diletante? Ja, pra, kjo është një pyetje me vend, madje kyçe, që na shpjegon dhe llojin e llogarive ku është futur Alibali. Çfarë i djeg Tepelena Alibalit? Mos ndoshta lidhjet e vjetra, solidaritetet familjare me trashëgimtarët e nomenklaturës e kanë “riaktivizuar” si ambasador, tashmë të një lloji tjetër atje, në Amerikën e lirive, për të shtypur liritë në këtë cep të Ilirisë? Mos ndoshta letrës me porosi të senatorit Dioguardi i është gjetur më në fund autori i saj i vërtetë? Pse gjithë ky ngut vallë, kur të mos harrojmë, ish-Kampi i Tepelenës ende nuk ka status dhe është në pritje të miratohet si muze?

E, në pritje, derisa kazermat e ish-kampit të vdekjes në Bënçë të Tepelenës të shpallen ligjërisht muze, i sugjerojmë Alibalit të shkruajë një letër të dytë të Dioguardit, me subjekt këngën polifonike për Enver Hoxhën, të interpretuar solemnisht nga Tërmet Peçi.

Kurajë pra, Selman pa bisht…

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas