Editorial

Zgjidhja me shpejtësi e emrit të Maqedonisë si shpresë për hapjen e negociatave

Nga Ervis Iljazaj

Më në fund, pas një historie të gjatë dhe të mundimshme, Greqia dhe Maqedonia kanë arritur një marrëveshje për ndryshimin e emrit e kësaj të fundit, duke e quajtur Maqedonia e Veriut.



Në të gjithë këtë histori negociatash, vihet re dy elemente të rëndësishme. E para është shpejtësia me të cilën u mbyll kjo marrëveshje vetëm në kohët e fundit, edhe pse ka patur shumë tentativa dhe ka përbërë një nga konfliktet më të rëndësishme midis dy vendeve për shumë vite. Shpejtësi e cila, u kritikua edhe nga qarqe të ndryshme politike të brendshme në vendet përkatëse.

Dhe e dyta, prezenca dhe insistimi i institucioneve të Bashkimit Europian për të nxitur të dyja vendet për një marrëveshje. Jo vetëm kaq, por në ditën e marrëveshjes, ishte prezente dhe përgjegjësja për politikën e jashtme të Bashkimit Europian, Federika Mogerini.

Në këtë moment dhe kontekst që po kalon Ballkani Perëndimor, të dyja këto elemente janë domethënëse për drejtimin që do të marrë politika e jashtme e Maqedonisë, por edhe e Ballkanit Perëndimor. Dhe, drejtimi është padyshim procesi i integrimit në Bashkimin Europian. Në këtë kuptim, arritja e marrëveshjes përbën një shpresë të madhe për Maqedoninë për çeljen e negociatave. Në fakt, mënyra se si u arrit kjo marrëveshje, është dhe një shpresë për Shqipërinë dhe gjithë rajonin, sepse me të gjitha gjasat, çelja e negociatave nëse do të vendoset, do të vendoset bashkërisht për Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Për këtë arsye, me insistimin e Bashkimit Europian, pak a shumë po marrin zgjidhje të gjitha konfliktet midis vendeve të Ballkanit që kanë qenë aty për shumë vite, dhe, që e kanë bërë këtë rajon problematik jo vetëm për to, por edhe për aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht për SHBA dhe Bashkimin Europian.

Kështu që, para se të jepet ok nga BE për vazhdimin e procesit të mëtejshëm të integrimit, kërkohet sheshimi i të gjithave mosmarrëveshjeve midis këtyre shteteve. Në këtë kuadër duhet të shohim edhe marrëveshjen që është duke u negociuar midis Shqipërisë dhe Greqisë. Pa hyrë në detaje nëse është e favorshme ose jo për Shqipërinë, është e qartë që, kjo marrëveshje është thelbësore për ecurinë e mëtejshme të Shqipërisë drejt integrimit europian.

Kush mendon të kundërtën, që hapja e negociatave ose jo nuk ndikohet edhe nga kjo marrëveshje, harron se Greqia është një vend anëtar i Bashkimit Europian, dhe një shtet i cili shihet nga BE si potencial për të udhëhequr këtë rajon politikisht. Në këtë kuptim, fjala e ministrit të Jashtëm grek, duam apo s’duam ne, është e rëndësishme dhe me peshë, sa herë që bëhet fjalë për integrimin e Ballkanit Perëndimor.

Sigurisht, nuk është vendimtare, por ka një peshë politike të rëndësishme.

Për të gjitha këto arsye, arritja e marrëveshjes midis Greqisë dhe tashmë Maqedonisë së Veriut, është një marrëveshje që mban ende shpresat për integrimit e Ballkanit Perëndimor, dhe nxit përshpejtimin e këtij procesi.

Por, marrëveshja tregon edhe njëherë se, popullsia shqiptare në Maqedoni, ka luajtur një rol domethënës për këtë arritje. Askush nuk mund ta mohojë tashmë, se populli shqiptar i Maqedonisë së Veriut është në një tjetër dimension në politikëbërjen atje, dhe ka treguar gjithmonë që është një faktor stabilizues, si në këtë rast. Dhe ajo që është më e rëndësishmja, është një popull i cili sheh gjithmonë me sytë nga BE dhe nga NATO.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas