Mapo Letrare

Zgjedhja sociale dhe mirëqenia sociale

Amartya-SenShtrirja dhe rëndësia e teorisë së zgjedhjes sociale është shumë e madhe. Në vend të dëmtonte rendjen drejt arsyetimit social, teorema shumë sfiduese e pamundësisë e Arrowt, si dhe vëllimet e shumta që ajo frymëzoi, ka forcuar së tepërmi aftësinë tonë për të menduar në mënyrë racionale për vendimmarrjet kolektive, nga të cilat varen mbijetesa dhe lumturia jonë

Nga Amartya Sen



 

Qeniet njerëzore kanë jetuar gjithmonë në grupe, dhe jetët e tyre individuale, në mënyra të ndryshme, janë varur prej vendimeve të marrë në grup. Por sfidat e zgjedhjeve në grup mund të jenë të vështira, sidomos po të kemi parasysh interesat dhe shqetësimet e ndryshme të pjesëtarëve të grupeve. Atëherë, si duhet bërë vendimmarrja?

Një diktator që dëshiron të kontrollojë çdo aspekt të jetës së njerëzve përpiqet të injorojë preferencat e gjithë të tjerëve. Por ai nivel pushteti është i vështirë të arrihet. Më e rëndësishmja, diktatura e çfarëdolloji mund të shihet kollaj si një mënyrë e tmerrshme për të qeverisur një shoqëri.

Kështu që, për arsye si etike, edhe praktike, studiuesit e shkencave sociale kanë investiguar prej kohësh sesi shqetësimet e pjesëtarëve të shoqërisë mund të reflektohen në një mënyrë apo një tjetër në vendimet e saj kolektivë, edhe nëse shoqëria nuk është plotësisht demokratike. Për shembull, në shekullin IV para Krishtit, Aristoteli në Greqi dhe Kautilia në Indi eksploruan mundësitë e zgjedhjeve sociale në librat e tyre; respektivisht, “Politika” dhe “Ekonomia” (titulli në sanskritisht i librit të Kautilias, “Arthashastra” përkthehet fjalë për fjalë “Disiplina e mirëqenies materiale”).

Studimi i zgjedhjes sociale si një disiplinë formale u shfaq fillimisht në mënyrë të plotë në shekullin 18, kur kjo temë u përzgjodh nga matematicienë francezë, sidomos J. C. Borda dhe Marquis de Condorcet. Klima intelektuale e kohës ndikohej shumë prej Iluminimit Europian, me interesin në ndërtimin e arsyeshëm të një rendi social, si dhe përkushtimin për krijimin e një shoqërie që u përgjigjet interesave të njerëzve.

Por investigimet teorikë të Bordas, Codorcetit dhe të tjerëve shpeshherë kishin rezultate pesimiste. Për shembull, i ashtuquajturi “paradoks i votimit” i paraqitur nga Codorcet, tregonte se sundimi i shumicës mund të çojë drejt një rruge pa krye, kur çdo alternativë rrëzohet në votim prej një tjetër alternative, e kështu asnjë alternativë nuk është në gjendje t’u qëndrojë sfidave të gjithë alternativave të tjera.

Teoria e zgjedhjes sociale në formën e saj moderne dhe sistematike i detyrohet për themelet e forta që ka, punës së Kenneth J. Arrow dhe disertacionit të tij në vitin 1950 në Universitetin e Columbias. Teza e Arrowt përmbante të famshmen “teoremë të pamundësisë”, një rezultat analitik me një elegancë dhe shtrirje vërtet mbresëlënëse.

Teorema e Arrowt tregon se edhe kushtet më të lehta të arsyeshmërisë për mbërritjen tek vendimet sociale të bazuara tek renditjet e thjeshta të preferencave të individëve të një shoqërie, nuk mund të plotësohen në mënyrë të njëkohshme, nga asnjë procedurë. Kur libri i bazuar mbi disertacionin e tij, “Zgjedhja sociale dhe Vlerat individuale” u botua në vitin 1951, ai u shndërrua menjëherë në një klasik.

Ekonomistët, politologët, filozofët moralë dhe politikë, sociologët e madje edhe publiku i gjerë, vërejtën menjëherë atë që dukej – dhe në fakt ishte – një rezultat shkatërrues. Dy shekuj pasi vizionet e racionalitetit social kishin lulëzuar në mendimin iluminist, projekti krejt papritur dukej i destinuar të merrte fund.

Është e rëndësishme të kuptojmë përse dhe si u mbërrit tek rezultati i pamundësisë i Arrowt. Një këqyrje e kujdesshme e arsyetimit formal mbi të cilin bazohet teorema tregon se mbështetja tek renditja e preferencave të individëve e bën të vështirë dallimin mes problemeve të zgjedhjes sociale, që janë shumë të ndryshëm mes tyre. Përdorshmëria e informacionit të disponueshëm zvogëlohet edhe më tej prej kombinimit të efekteve të parimeve në dukje të padëmshme, që janë shumë popullorë në debatet joformale.

Është thelbësore, sidomos kur bëjmë gjykime mbi mirëqenien sociale, që të krahasojmë përfitimet dhe humbjet e individëve të ndryshëm dhe të mbajmë shënim kamjen e tyre relative, e cila nuk mund të deduktohet menjëherë vetëm përmes renditjes që njerëzit u bëjnë alternativave sociale. Është gjithashtu e rëndësishme të ekzaminojmë se cilat lloje grupesh të renditjeve të preferencave janë problematike për procedura të ndryshme votimi.

Megjithëkëtë, teorema e pamundësisë e Arrowt luajti një rol shumë të madh konstruktiv në investigimin e asaj që demokracia kërkon, e që shkon shumë përtej numërimit të votave (sado i rëndësishëm të jetë ky). Pasurimi i bazës informative të demokracisë dhe përdorimi më i madh i arsyetimit ndëraktiv të publikut mund të kontribuojë në mënyrë domethënëse për ta bërë demokracinë më funksionale, si dhe për të lejuar vlerësime të arsyeshme të mirëqenies sociale.

Teoria e zgjedhjes sociale është bërë tashmë një disiplinë e gjerë, që mbulon një shumëllojshmëri pyetjesh. Në cilat rrethana, sundimi i shumicës do të prodhonte vendime të qarta dhe të pajtueshme? Sa të forta janë procedurat e ndryshme të votimit për përftimin e rezultateve bindëse? Si mund të gjykojmë ne se si po ecën një shoqëri, në dritën e interesave të pangjashëm të anëtarëve të saj?

Po kështu, si mund të respektojmë të drejtat dhe liritë e individëve, ndërkohë që pranojmë në mënyrën e duhur preferencat e tyre të përgjithshme? Si e masim varfërinë agregate, duke patur parasysh telashet dhe mjerimin në nivele të ndryshme të njerëzve që përbëjnë shoqërinë? Si mund të mbërrijmë në vlerësime socialë të të mirave publike, si mjedisi natyror?

Përtej këtyre pyetjeve, një teori e drejtësisë mund të përfitojë shumë prej studimeve dhe rezultateve analitike që burojnë prej teorisë së zgjedhjes sociale. Po kështu, përfundimet e nxjerra nga studimi i vendimeve në grup prej teoricienëve të zgjedhjes sociale ka ndihmuar edhe në studime që nuk janë drejtpërdrejt pjesë e teorisë së zgjedhjes sociale – për shembull, për format dhe pasojat e pabarazisë gjinore, apo shkakun dhe parandalimin e krizave të urisë.

Shtrirja dhe rëndësia e teorisë së zgjedhjes sociale është shumë e madhe. Në vend të dëmtonte rendjen drejt arsyetimit social, teorema shumë sfiduese e pamundësisë e Arrowt, si dhe vëllimet e shumta që ajo frymëzoi, ka forcuar së tepërmi aftësinë tonë për të menduar në mënyrë racionale për vendimmarrjet kolektive, nga të cilat varen mbijetesa dhe lumturia jonë.

 

*Amartya Sen është ekonomist, fitues i çmimit “Nobel”. Botuar në Project Syndicate. Shqipëroi E. Gjinaj- bota.al.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas