Arkiva

Zbulohet data kur do takohen pas shumë vitesh udhëheqësit e dy Koreve






               Publikuar në : 17:53 - 29/03/18 |
mapo.al

Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un dhe Presidenti i Koresë së Jugut Moon-Jae-in do të zhvillojnë një takim dypalësh më 27 prill.


Data e takimit historik u caktua sot gjatë një takimi mes të dërguarve nga të dy Koretë në fshatin Panmunxhom, i cili ndodhet në zonën e çmilitarizuar që ndan dy vendet kundërshtare që nga lufta civile e viteve 1950-‘53.

Që nga ajo kohë, udhëheqësit e Phenianit dhe Seulit janë takuar vetëm dy herë, fillimisht në vitin 2000 dhe në vitin 2007.

Marrëveshja për takimin e nivelit të lartë ndër-korean u arrit disa ditë pasi Kim Jong Un-i zhvilloi një vizitë të papritur në Kinë, udhëtimi i tij i parë jashtë vendit që nga marrja e pushtetit në 2011 pas vdekjes së babait të tij, Kim Jong Il. Sipas autoriteteve në Pekin, Kim-i i konfirmoi Presidentit kinez Xi Jingping angazhimin për çarmatosjen bërthamore të gadishullit korean si dhe për bisedime me Seulin dhe Uashingtonin.

Të dërguarit e Phenianit dhe Koresë së Jugut do të takohen përsëri të mërkurën e ardhshme, më 4 prill, për të finalizuar detajet e takimit mes dy udhëheqësve.

Në Uashington, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Heather Nauert në një postim në twitter shkruante se fushata “e presionit maksimal e ka nxjerrë nga izolimi Kim Jong Un-in”. Ajo tha se Shtetet e Bashkuara janë “të lidhura ngushtë” me Korenë e Jugut për takimin e nivelit të lartë ndër-korean që pritet të mbahet muajit të ardhshëm. Ajo shtonte se presioni mbi Korenë e Veriut do të vazhdojë derisa Pheniani të ndërmarrë “veprime konkrete kundër çarmatosjes bërthamore”.


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas