Aktualitet

Zbardhet në gjykatë skema me ndërtimet pa leje

Gjykata e Tiranës lë në qeli inspektorin Arbit Medusa dhe sekserin Fatos Jana. I vendosën 800 mijë lekë gjobë një qytetari, duke e lejuar të ndërtonte një kat pa leje

Tiranë Gjykata e Tiranës ka lënë në qeli punonjësin e Inspektoriatit Ndërtimor të Bashkisë dhe një person që kryente rolin e sekserit, të cilët u arrestuan në datën 28 dhjetor për akuzën e korrupsionit. Të arrestuarit dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin lejonin ndërtime të paligjshme kundrejt shpërblimeve në formën e ryshfetit. Kërkesa e prokurorisë për caktimin e masës së sigurimit arrest me burg ndaj Arbit Medusës, me detyrë inspektor në Inspektoriatin Ndërtimor Urbanistik pranë Bashkisë Tiranë dhe Fatos Jana, u pranua nga Gjykata e Tiranës, e cila vendosi që dy të arrestuarit të qëndrojnë në qeli deri në përfundim të hetimeve. Hetimet ndaj tyre kanë nisur pas denoncimit të një qytetari, banor i njësisë nr.8 në kryeqytet, i cili ka deklaruar në polici se inspektori Arbit Medusa i kishte kërkuar një shumë të hollash për ta lejuar të ndërtonte katin e dytë të banesës. Personi që ka vënë në dijeni qytetarin për lejimin e ndërtimit kundrejt pagesës, sipas hetimeve paraprake, dyshohet se është i arrestuari tjetër Fatos Jana. Gjatë kallëzimit në prokurori, denoncuesi pretendon se ata i kanë ushtruar presion duke i thënë se ndërtimi do të prishej se ishte i paligjshëm dhe për këtë arsye duhet të paguante shumën e 800 mijë lekëve për të ndërtuar më pas tarracën e katit të dytë. Pas denoncimit, policia ka vënë në përgjim të dyshuarit, të cilët më datën 28 janar kanë marrë shumën prej 800 mijë lekësh nga personi i interesuar për të ndërtuar katin e dytë të banesës. Policia ka arrestuar në flagrancë inspektorin e ndërtimores dhe personin tjetër që dyshohet si ndërmjetës për realizimin e kësaj aferë korruptive. Të dhënat e mbledhura nga hetimi paraprak për këtë çështje u pranuan nga Gjykata e Tiranës, e cila la në qeli dy të dyshuarit, derisa prokuroria të përfundojë hetimet ndaj tyre. Arbit Medusa dyshohet se ka konsumuar elemente të veprës penale “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, ndërsa i arrestuari tjetër akuzohet për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm”. L.Bakillari



PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas