Aktualitet, Kryesore

Zbardhet ekspertiza, Ledian Ruçi ndëshkohet me gjobë për aksidentin

Tiranë Aksidenti fatal që i mori jetën 28-vjeçares Brunilda Pinderi ka ardhur si pasojë e mosrespektimit të sinjalistikës rrugore nga ana e drejtuesit të mjetit “Minicooper”, Eduard Lika, i cili tashmë është marrë i pandehur nga prokuroria. Ekspertiza përfundimtare e policisë rrugore ka arritur në konkluzionin se të dy drejtuesit e mjeteve të përfshira në aksident, Ledian Ruçi dhe Eduart Lika nuk kanë respektuar rregullat e qarkullimit, por ekspertët gjithashtu kanë përcaktuar se shkak determinant i aksidentit ka qenë goditja që automjeti tip “Minicooper” i ka shkaktuar mjetit të drejtuar nga Ledian Ruçi, tip “BMW X6”. Sipas ekspertizës së kryer me anë të një programi që aplikohet edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka rezultuar se automjeti tip “BMW” i drejtuar nga djali i deputetit Gramoz Ruçi, i cili ka qenë duke qarkulluar nga parlamenti në drejtim të kryqëzimit të rrugës së Elbasanit, ka udhëtuar me 50 kilometra në orë. Në kryqëzimin e rrugës së Elbasanit me bulevardin “Zhan Dark”, ai është futur në semafor me të kuqe, por në semaforin e dytë, ku ka ndodhur edhe aksidenti, automjeti ‘BMW’ ka pasur të drejtën e kalimit. Ekspertët kanë mundur të përcaktojnë se Ledian Ruçi ka tejkaluar me 10 kilometra në orë shpejtësinë e lejuar, duke e konsideruar këtë si një shkelje administrative, e cila do të ndëshkohet sipas Kodit Rrugor. Pas konsultimit me akt-ekspertimin dhe rezultatet e saj shkencore, prokuroria ka vendosur të mos marrë të pandehur Ruçin, pasi shkelja e rregullave të qarkullimit nga ana e tij parashikohet si shkelje administrative. Sipas skemës së përpiluar nga ekspertët ka rezultuar se automjeti “Minicooper”, i cili ka qenë duke udhëtuar me drejtim nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” në drejtim të rrugës së Elbasanit, është futur në semafor në sekondat e fundit me ngjyrën portokalli, duke mos e ulur shpejtësinë e automjetit. Në momentin fatal, automjeti “Minicooper” i drejtuar nga Eduart Lika, ka kaluar semaforin në kundërshtim me rregullat e qarkullimit, duke goditur automjetin e drejtuar nga Ledian Ruçi. Sipas ekspertëve, në momentin e aksidentit makina e drejtuar nga Lika ka qenë me mbi 70 kilometra në orë dhe për më tepër ka kaluar në semafor sapo ishte ndezur drita e kuqe. Këto të dhëna janë siguruar nga një kuti komanduese e semaforëve që ndodhej në kryqëzimin e rrugës së Elbasanit, e cila tregonte gjendjen e semaforëve në momentin e aksidentit. Po ashtu, gjithë skena e ngjarjes është filmuar nga kamerat e sigurisë së një agjencie të këmbimit valutor, e cila ndodhet vetëm pak metra larg vendit të aksidentit. Duke u bazuar në konkluzionet e ekspertëve, të cilët kanë rindërtuar skenën e ngjarjes edhe në mënyrë kompjuterike, prokuroria ka vendosur të ngrejë akuzën e “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen” ndaj Eduart Likës, i cili ndodhet në qeli që prej nëntorit të vitit të shkuar. Ndërsa shtetasi Ledian Ruçi pritet të ndëshkohet me gjobë nga ana e policisë rrugore, pasi nuk ka respektuar rregullat e qarkullimit rrugor duke tejkaluar shpejtësinë e lejuar me 10 kilometra në orë. Ekspertët gjithashtu kanë theksuar se shkak i aksidentit është bërë shkelja e rregullave të qarkullimit dhe shpejtësia tej normave të lejuara nga automjeti tip “Minicooper”, që drejtohej nga Eduard Lika. Aksidenti me pasojë vdekjen e 28-vjeçares Brunilda Pinderi ndodhi më 20 nëntor të vitit të shkuar, në kryqëzimin e rrugës së Elbasanit, në kryeqytet. Si pasojë e përplasjes së fortë nga mosrespektimi i  rregullave të qarkullimit, automjeti i drejtuar nga Eduart Lika ka goditur BMW-në që drejtohej nga Ledian Ruçi, duke shkaktuar plagosjen e 28-vjeçares, e cila ndërroi jetë në spital të nesërmen e ngjarjes. Në aksident u plagosën drejtuesit e mjeteve dhe një vajzë që udhëtonte si pasagjere në automjetin “Minicooper”.



PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas