Kryesore

Zbardhen tabulatet për videon, prokuroria: 2 vjet burg për Ilir Metën

Prokuroria kërkoi dje nga Gjykata e Lartë të shpallë fajtor dhe dënojë me 2 vjet burg ish-zv/kryeministrin Ilir Meta, i akuzuar për korrupsion pas publikimit të video-përgjimit mes tij dhe ish-ministrit Dritan Prifti. Kërkesa e përfaqësuesve të akuzës, Bujar Shehi dhe Anila Leka do të shqyrtohet nga kolegji penal, i cili pritet të dalë me vendim përfundimtar për këtë çështje më datën 16 janar. Trupi gjykues ka nisur që dje shqyrtimin e provave të akuzës, duke dëgjuar tri fragmentet e shkëputura nga video Meta-Prifti në dhomën e këshillimit. Pas konkluzioneve të prokurorisë dhe mbrojtjes, kolegji penal u tërhoq në dhomën e këshillimit për më shumë se dy orë. Në sallën e gjyqit, relatori i çështjes, gjyqtari Ardian Dvorani tha se vendimi për këtë çështje do të jepet më 16 janar, për shkak të kompleksitetit dhe provave të shumta që duhet të shqyrtojë trupi gjykues. Ky është rasti i parë kur prokuroria kërkon një masë të tillë dënimi për një zyrtar të nivelit të lartë, siç është Ilir Meta, i cili ka mbajtur detyrën e kryeministrit dhe zv/kryeministrit të Shqipërisë.

Kërkesa e plotë



Në datën 1 mars të vitit 2010, rreth orës 13:00, në zyrën e Dritan Priftit ka shkuar i pandehuri Ilir Meta, i cili në atë kohë mbante funksionet e zv/kryeministrit dhe të ministrit të Jashtëm, dhe gjatë bisedës së zhvilluar, ky i fundit i ka propozuar të favorizojë në garën koncesionare që zhvillohej për ndërtimin e HEC-eve Egnatia-Shushicë, bashkimin e përkohshëm të shoqërive “Vëllezërit Tola” sh.p.k, investim ky që kapte vlerën e 65 milionë eurove, duke i premtuar shpërblim të kundërligjshëm shumën prej 700 mijë eurosh dhe 7 për qind të aksioneve, si dhe ndërhyrjen për të favorizuar shoqërinë “Halilaj Group” sh.a në ankandin për “shitje të një sasie prej 30 mijë ton naftë bruto të prodhuar nga shoqëria “Albpetrol”. Për këtë të fundit, sipas dëshmitarit, nga i pandehuri Ilir Meta i është ofruar një përfitim i paligjshëm deri në 1 milion dollarë që do të ndaheshin mes tyre. Konkretisht, në dëshminë e tij, shtetasi Dritan Prifti është shprehur: “Për sa i përket koncesionit, z.Meta më kishte porositur që duhet ta fitonte bashkimi i kompanive që drejtohej nga vëllezërit Tola. Më tha edhe për këtë që merr vendimin shpejt, jepja shpejt, në fakt unë e dija që kjo çështje ishte në gjyq, e dija që ishte duke u gjykuar në Gjykatën e Apelit. Këtë gjë ia kam thënë edhe z.Meta gjatë kësaj bisede. Është fituar në shkallën e parë nga pala tjetër, por është çështja në Apel. Z.Meta më informon gjatë këtij takimi që në Apel çështja ka përfunduar, pra është fituar nga ky Bashkim, pra është fituar, prandaj mbaroje këtë punë menjëherë sot. Në një moment, z.Meta më thotë që unë nuk e di sesi e ke në plan ti të hysh në këtë koncesion, por ky Gimi më thotë mua afërsisht për 7 për qind dhe në një moment tjetër përmend që janë dhe 700 mijë euro që jepen për këtë gjë”. Ndërsa në episodin e ankandit për shitjen e naftës bruto nga shoqëria “Albpetrol”, ky dëshmitar shpjegoi se “z.Meta, gjatë takimit në zyrën time më kujtoi që të zbatoja ato që kishim biseduar në lidhje me ankandin e naftës, në lidhje me fitimin e këtij ankandi nga miku i tij Bekim Halilaj. Unë mesa mbaj mend, sepse ai kërkonte anulimin e ankandit në atë periudhë, sepse mendohej që z.Halilaj nuk ishte i sigurt për fitoren e këtij ankandi dhe kërkonte shtyrjen e ankandit dhe unë, për të mos qenë kundërshtues dhe për të mos lënë hapësira që ai ta kuptonte që ishte duke u regjistruar, thashë po, do ta bëj, ai nguli këmbë e tha: ‘Mbaroje, pse nuk e mbaron, anuloje, pse nuk e anulon?’ Për ankandin e naftës gjatë bisedës në zyrën time nuk kam pasur ndonjë ofertë prej z.Meta, por dua të sqaroj që kjo bisedë mund të jetë bërë me dhjetëra herë dhe ofertë prej z.Meta kam pasur një herë në zyrën e tij në Ministrinë e Jashtme dhe një herë gjatë një darke në Hotel Rogner. Është ofruar 1 milion dollarë për t’u ndarë në fakt mes meje dhe z.Meta, jo drejtpërdrejt për mua nga kjo punë”. Këto shpjegime të hollësishme Dritan Prifti i ka dhënë edhe në deklarimet e tij në fazën e hetimeve paraprake….Në dëshminë e tij dhënë para gjykatës, Dritan Prifti sqaroi gjithashtu arsyet që e shtynë të bënte regjistrimin e bisedës me Ilir Metën duke shpjeguar se: …që nga shkurti i vitit 2010 deri në fund të detyrës sime si ministër nuk mbaj mend ndonjë takim që kam bërë me Ilir Metën, gjatë të cilit nuk është bërë një kërkesë për një favor, për një tender, për një ankand, për një koncesion, për një privatizim, pra u kthye në një marrëdhënie vetëm kërkesash dhe u bë një marrëdhënie shumë, shumë stresante dhe e bezdisshme, sepse unë nuk kisha mundësi që kërkesat e jashtëligjshme të tij t’i zbatoja dhe t’i realizoja. Në këto kushte unë vendosa që të kisha një provë të kësaj marrëdhënieje dhe prandaj kam bërë regjistrimin, të cilin e kanë parë të gjithë shqiptarët, të shfaqur mediatikisht në zyrën time. Pas një telefonate që Ilir Meta më bën për t’u ankuar për një shkëmbim sms-je me një person të caktuar, ai më thotë: ‘Po vij tek zyra jote për të biseduar diçka, sepse jam për të ikur ne aeroport për një rrugë jashtë shtetit’…Unë vendosa që këtë bisedë që do të bëhej në zyrën time, ta regjistroja për ta pasur si provë të marrëdhënieve të mia me z.Meta”. Këtë regjistrim audio-viziv, dëshmitari Dritan Prifti e ka kryer nëpërmjet një pajisjeje joprofesionale të kamufluar në një orë tavoline dhe e ka shkarkuar menjëherë në lap-topin e tij personal, sapo ka ndërprerë regjistrimin, pasi i pandehuri Ilir Meta është larguar nga zyra e tij. Origjinali i kësaj videoje ndodhet në lap-top dhe USB, të pranuara nga gjykata si provë materiale. Videoja u vlerësua nga gjykata si provë e vlefshme proceduralisht, me vendimin e ndërmjetëm të datës 11 korrik 2011, me të cilin ajo ka rrëzuar kërkesën e mbrojtjes për papërdorshmëri të video-regjistrimit. Për më tepër, kjo video ka qenë edhe objekti kryesor i ekspertimit teknik të caktuar nga gjykata me vendimin e saj të datës 22 korrik 2011. Me këtë vendim, gjykata në pyetjen e numëruar 1.13 i ka kërkuar grupit të ekspertëve “nëse është e mundur teknikisht të krijohet një kopje e pastruar nga zhurmat e materialit audio-viziv të bisedës nëpërmjet subjekteve Ilir Meta dhe Dritan Prifti, të regjistruar, që mund të ndodhet në objektin orë, lap-top, dhe USB të këqyrura e marra si provë materiale. Nëse po, të përgatitet nga një kopje e këtyre materialeve audio-vizive për identifikimin më të pastër të zërave për efekt të transkriptimit të bisedave të regjistruara, pa cenuar origjinalitetin e materialit audio-viziv dhe pa dëmtuar këtë regjistrim?” Në përgjigje të kësaj kërkese, ekspertët në faqen 22 të aktit të ekspertimit janë shprehur: “Teknikisht u krijuan disa kopje, mbi të cilat u aplikua një gamë e gjerë filtrash me karakteristika të ndryshme me disa software profesionale…bashkëngjitur keni kopjen e filtruar më mirë të sinjalit audio të bisedës Meta-Prifti. Ky akt-ekspertim i bashkëngjitet si pjesë integrale kjo CD-i, me kapjen e pastruar të bisedës së regjistruar është pranuar dhe marrë si provë nga gjykata me vendimin e saj të datës 14 nëntor 2011, në të cilin citohet tekstualisht: “Të pranohet dhe të administrohet si provë akti i ekspertimit, i hartuar nga ekspertët e caktuar nga kjo gjykatë”. Për sa më sipër, videoja rezulton të jetë pranuar dhe marrë si provë në rrugë ligjore nga gjykata, pavarësisht se me vendimin e datës 16.12.2011, nuk pranon kërkesën tonë për ta parë, dëgjuar dhe transkriptuar videon. Ne mendojmë se është një e drejtë e gjykatës që ta çmojë nëse do ta dëgjojë në sallë publikisht, apo do ta dëgjojë në dhomën e këshillimit, apo nuk do që ta dëgjojë fare përmbajtjen e regjistrimit, por një vendim i tillë nuk mund të na e heqë neve të drejtën për ta përdorur këtë provë në mbështetje të akuzës, në konkluzionet tona. Nga tërësia e rrethanave të çështjes të vërtetuar në rrugë gjyqësore, por dhe nga përmbajta e aktit të ekspertit teknik, rezulton se kjo video ishte origjinale dhe e patjetërsuar.

Videoja, autentike

…Që kjo video është origjinale, u vërtetua gjatë shqyrtimit gjyqësor. Rezultoi e provuar me deklarimet e dëshmitarit Dritan Prifti, se ai e ka hedhur (shkarkuar) videon nga ora/kamer në lap-top menjëherë sapo ka përfunduar regjistrimin. Gjithashtu, kohë-matësi i videos dhe ora e biosit në lap-top përputhen dhe tregojnë datën 01.03.2010 në orën 13.33. Po kështu, ky fail siç del edhe nga akt-ekspertimi, ka vetëm një datë modifikimi, atë të orës 01.33 pm. Pra, rezulton saktësisht e vërtetuar që të mos jetë hapur as për t’u parë më pas dhe jo më të jetë ndërhyrë në të. Ekspertët vetë, duke iu përgjigjur pyetjes sonë u shprehën se duhet një kohë e caktuar për të ndërhyrë në video nëpërmjet kompjuterëve dhe programeve, kohë e cila siç vërtetohet, mungon në këtë rast. Këto fakte provojnë jo vetëm origjinalitetin e videos, por konfirmojnë gjithashtu edhe vërtetësinë e thënieve të dëshmitarit Dritan Prifti për këtë moment të dëshmisë së tij. Rrethanat e tjera që jepen në aktin e ekspertimit, për hapjen e lap-topit më datë 1.02.2011 apo futje të USB-ve në data të tjera dhe me emra të tjerë, nuk kanë asnjë lidhje me çështjen dhe nuk paraqesin asnjë interes për vërtetësinë e videos. Ato vetëm sa janë shfrytëzuar në mënyrë jokorrekte për të hedhur dyshime mbi këtë proces. Lap-topi mund të jetë hapur për arsye nga më të ndryshmet, por dokumenti i administruar në failin që gjendet në lap-top dhe përmban videon origjinale është ruajtur i pacenuar, si gjatë fazës së hetimeve paraprake, ashtu edhe në hetimin gjyqësor, duke iu dhënë në dispozicion vetë ekspertëve kopje të klonuara të hard-diskut të lap-topit, pikërisht për të mos ndërhyrë në dokumentin origjinal. Përmbajtja e kësaj videoje mbështet plotësisht deklarimet e dëshmitarit Dritan Prifti edhe në lidhje me natyrën e bisedës, problematikën e saj, interesimin e të pandehurit për ankandin e shitjes së 30 mijë tonëve naftë bruto, si dhe për garën koncesionare të ndërtimit të HEC-it Egnatia-Shushicë. Ashtu siç shpjegon dëshmitari, kjo video vërteton komunikimin në telefon me përfaqësuesin e shoqërive bashkimi i përkohshëm “Vëllezërit Tola” sh.p.k, shtetasin Agim Rrapaj, dhe kalimin e telefonatës dëshmitarit nga vetë i pandehuri Ilir Meta.

Koncesioni i HEC-it

Kjo rrethanë fakti mbështetet plotësisht nga analizat e tabulateve telefonike të shtetasit Agim Rrapaj, që është administruar si provë, e cila paraqet komunikimin me telefon nëpërmjet tij dhe Ilir Metës në datën 01.03.2010 në orën 13.28’, gjatë kohës që ai ishte në takim në zyrën e Dritan Priftit. Kjo është provë tjetër e pakundërshtueshme, që siç u tha, mbështet vërtetësinë e dëshmisë së Dritan Priftit dhe tregon gjithashtu për interesimin e të pandehurit për këtë koncesion dhe ndërhyrjen e tij në favor të kompanisë që përfaqësohej nga Agim Rapaj. Vetë fakti që në këtë pjesë të bisedës i pandehuri Ilir Meta insiston për të marrë në konsideratë një vendim të Gjykatës së Apelit që nuk kishte zgjidhur çështjen në themel, por kishte të bënte me heqjen e një mase provizore, siç është pezullimi i procedurës, vlefshmërinë e të cilit ai e dinte shumë mirë sepse dëshmitari Agim Rrapaj ia kishte vënë në dispozicion vendimin, tregon se nuk ka pasur arsye për të përmendur vlera financiare apo përqindje aksionesh përveçse për qëllimin që shpjegon Dritan Prifti. Gjithashtu, marrja përsipër prej të pandehurit për t’u interesuar deri në Gjykatën e Lartë për zgjidhjen e konfliktit gjyqësor të shoqërisë “Vëllezërit Tola” me Agjencinë e Prokurimit Publik, sipas dëshmisë së Dritan Priftit që konfirmohet dhe nga videoja është tregues i qartë për natyrën jo të ligjshme të ndërhyrjes së tij për të favorizuar në kundërshtim me ligjin këtë shoqëri në garën koncesionare. Kjo ndërhyrje tregon gjithashtu shkakun për të cilin dëshmitarit po i ofrohej ky përfitim i paligjshëm. Kohëzgjatja e kësaj bisede telefonike, sipas tabulateve të numrit celular të përdorur nga ky shtetas përputhet plotësisht me sekonda me kohëzgjatjen e bisedës sipas kohëmatësit të video-regjistrimit, duke konfirmuar kështu faktin se kjo video është autentike, pra, e patjetërsuar. Të pyetur në gjykatë, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Durim Kraja, Zamir Stefani dhe Ervin Duraj vërtetojnë faktin e pjesëmarrjes në garën koncesionare të “Vëllezërit Tola” dhe provojnë se përjashtimi i kësaj shoqërie nga gara u bë për mungesë të kritereve teknike, juridike dhe treguesve ekonomike të ofertës së tyre.

Ankandi i naftës

Dëshmia e Dritan Priftit në lidhje me ankandin për shitjen e 30 mijë tonëve naftë bruto nga shoqëria “Albpetrol”, gjithashtu u vërtetua gjatë shqyrtimit gjyqësor. Dëshmitë e dhëna vërtetojnë pjesëmarrjen në ankand të shoqërisë “Halilaj Holding Group” dhe përpjekjet për ta fituar atë. Në dëshminë e tij, Dritan Prifti theksoi faktin e ndërhyrjes së të pandehurit Ilir Meta për të anuluar këtë ankand siç shpjegon ai” derisa Bekimi të kishte mundësi të rregullonte dokumentet me ARMO-n ose vetë. Për ta lehtësuar fitimin e ankandit, Ilir Meta kërkonte që unë të bindja ARMO-n t’i jepte kompanisë së Bekimit ekskluzivitet për përpunimin e naftës së tij në rafineri ose t’i jepte Bekimit me qira rafinerinë. Unë Metës i thashë që do të bisedoja me ARMO-n, por vendimi nuk do të ishte imi”. Fakti që Bekim Halilaj ka bërë përpjekje për ta zgjidhur këtë problem me ARMO u konfirmua në gjykim nga dëshmia e shtetasit Rezart Taçi, i cili tha se Bekim Halilin e ka kontaktuar nëpërmjet miqve të përbashkët dhe i ka kërkuar bashkëpunim, duke i kërkuar dhënien me qira të rafinerive. Ndonëse në dëshminë e tij të dhënë para gjykatës, Bekim Halilaj tha se ka biseduar me Metën për problemin e ankandit vetëm në muajin qershor 2010, por dëshmia e tij se nuk kishte komunikime të shpeshta me Metën, duke pretenduar se mik kishte vetë Dritan Priftin nuk është e besueshme. Analiza e tabulateve telefonike e numrit të përdorur nga ky shtetas provon të kundërtën. Me Dritan Priftin, ai ka biseduar për periudhën nga data 1.02 2010 deri më 1.02.1011 gjithsej 13 herë, ndërsa me të pandehurin Ilir Meta ai ka pasur gjatë kësaj periudhe 192 komunikime. Vetëm në ditët që është shtyrë dhe do të zhvillohej ankandi ai ka biseduar 3 herë në datën 26. 2.2010 dhe 12 herë në datën 10.03.2010 me Priftin. Pra pretendon se me dëshmitarin që e ka mik ka biseduar vetëm 13 herë, ndërsa me Ilir Metën që e ka takuar rastësisht ka biseduar plot 192 herë. Dinamika e telekomunikimeve të sipërpërmendura flet qartë dhe mbështet me fakte të pakundërshtueshme dëshminë e Dritan Priftit për interesim të vazhdueshëm të të pandehurit Ilir Meta që ankandi të fitohej nga shoqëria në pronësi të Bekim Halilit. Vërtetësinë e dëshmisë së Dritan Priftit në lidhje me këtë moment të akuzës e konfirmon edhe sms e dërguar forward nga Bekim Halili atij vetë. Procesverbali i këqyrjes dhe marrjes si provë të kësaj SMS-je u administrua sie e tillë nga gjykata. Jo vetëm përmbajtja e mesazhit, por dhe mohimi që i bëri këtij fakti Bekim Halili, tregon edhe njëherë se sa pak e besueshme është dëshmia e tij. Për më tepër se sa i pabesueshëm është ky dëshmitar flasin qartë edhe tabulatet telefonike të numrave celularë të përdorur nga shtetasi Pajtim Sulaj, sipas të cilave rezulton se shtetasi Bekim Halilaj me shtetasin Pajtim Sulaj kanë pasur 139 telekomunikime për periudhën nga 1 janari i vitit 2010 deri më 4 mars 2011, nga të cilat vetëm në muajin mars 2010, periudhë e ankandit kanë biseduar me njëri-tjetrin 49 herë. Ndërkohë që në dëshminë e tij dhënë para gjykatës, shtetasi Bekim Halili ka thënë se: “shtetasin Pajtim Sulaj e kam njohur si paraqitje në gjyqin e parë kur u thirrëm dhe nuk arritëm të dëshmonim… komunikime në telefon kemi pasur një herë apo dy herë për t’u interesuar për ankandin si kryetar i komisionit” . Ky pra është personi që përpiqet të kundërshtojë dëshminë e Dritan Priftit, për premtimin e bërë për përfitime të paligjshme.

Për Dritan Priftin

Korrupsioni është një krim që kryhet në fshehtësi maksimale dhe pa praninë e dëshmitarëve. Por në rastin në gjykim ne ndodhemi para rrethanës kur personi që i propozohet dhënia e një shpërblimi të paligjshëm që lidhet me detyrën e funksionin e tij, merr kurajën dhe denoncon publikisht aktin dhe personin. Dëshmitari kryente funksionet e Ministrit të Ekonomisë dhe denoncon zv/kryeministrin për afera korruptive. Gjykimi i kësaj çështje vërtetoi se dëshmitari Dritan Prifti është plotësisht i besueshëm dhe gjithë provat direkte dhe indirekte të analizuara dhe vlerësuar më sipër evidentuan dhe besueshmërinë e shpjegimeve të tij. Gjatë procesit të pyetjes së dëshmitarit Dritan Prifti, por edhe gjatë administrimit të provave, mbrojtja e të pandehurit u përpoq të jepte rrethana për ta nxjerrë atë të pabesueshëm si dëshmitar. Sipas gjykimit tonë referimi në të kaluarën e largët apo edhe në problemet shëndetësore jashtë rrethanave objekt të gjykimit, nuk mund të cenojnë besueshmërinë e një dëshmitari në një çështje konkrete dhe për më tepër nuk kanë as mbështetje ligjore. Ne vetë konkretisht, për të goditur besueshmërinë e dëshmitarit Bekim Halili nuk përmendëm fakte nga e kaluara e tij, sipas të cilës ai rezulton të jetë i dënuar nga gjykata me vendimin nr. 207 datë 29.11.1996, të formës së prerë për veprën penale të mashtrimit, por vërtetuam se ai është i pabesueshëm duke iu referuar fakteve konkrete të cilat kishin lidhje me çështjen objekt gjykimi, duke analizuar provat dhe indicet gjyqësisht të vërtetuara në seancat gjyqësore që u zhvilluan. Në këtë linjë të denigrimit të dëshmitarit, mbrojtja u përpoq nëpërmjet pyetjesh krejtësisht sugjestive të merrte një deklarim nga dëshmitari Fatmir Merkaj sikur të ishte “kërkuar një peshqesh” nga ana e dëshmitarit Dritan Prifti. Përfundimisht duke e konsideruar fajësinë e të pandehurit Ilir Meta plotësisht të provuar, si dhe duke pasur parasysh dispozitivin e nenit 245 të Kodit Penal që parashikon si masë dënimi, burgim nga 1 deri në 5 vjet dhe gjobë nga 500 mijë deri në 2 milion lekë, bazuar në nenet 378 dhe 391/1 të Kodit të Procedurës Penale, kërkojmë nga Gjykata: deklarimin fajtor të të pandehurit Ilir Meta dhe dënimin e tij me 2 vjet burgim dhe 1 milion lekë gjobë. Detyrimin e të pandehurit për të paguar shpenzimet procedurale.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas