Kronika

“Mos e ulni pazarin nën 5 mijë euro”

liza tabakuPërgjimet e tri javëve të fundit tregojnë se drejtoresha e Arsimit Lushnjë, nëpërmjet djalit të saj dhe një mësuesi, ishte në negociata për emërimin dhe mosshkarkimin e rreth 20 mësuesve kundrejt shpërblimit

 



Të paktën 20 raste emërime mësuesish janë përfshirë në një hetim të Prokurorisë së Lushnjës pas arrestimit të drejtoreshës së Zyrës Arsimore të këtij rreth, Liza Tabaku, e dyshuar për korrupsion.

Hetimet e nisura tri javë më parë kanë zbuluar një aferë korruptive të përmasave të mëdha, pasi drejtoresha e Arsimit, nëpërmjet të birit dhe një mësuesi të arrestuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm, ishte duke negociuar me të paktën 20 persona që kërkonin të emëroheshin në arsim.

Përgjimet kanë treguar se Liza Tabaku, djali i saj Xhanlukas Bakiasi dhe shtetasi Rigert Zeneli kontaktonin në mënyrë të vazhdueshme mes tyre, duke shkëmbyer informacion për të paktën 20 raste, ku persona të ndryshëm kërkonin të punësoheshin si mësues.

Sipas burimeve të policisë mësohet se në disa prej rasteve, dy të dyshuarit si sekserë të drejtoreshës bënin pazare duke përcaktuar edhe shumat e parave që kandidatët për mësues duhet të paguanin. Këto shuma varionin nga 2000 në 5000 mijë euro, edhe pse “porosia” e drejtoreshës ishte e prerë: ‘mos lëshoni pe’.

Kjo shprehje e përdorur nga Tabaku në bisedat me djalin e saj, sipas hetuesve tregon se ajo kishte porositur që të mos ulej shuma e parave që duhet të paguhej për një vend pune mësues.

Pasi shumë nga personat e interesuar komunikonin me djalin e drejtoreshës, të cilin e vinin në dijeni se nuk mund të plotësonin shumën e parave të kërkuara për t’u emëruar në vendin e punës.

Të gjitha rastet e evidentuara nga hetimet do të verifikohen nga prokuroria përgjatë hetimit të nisur ndaj drejtoreshës së Arsimit në Lushnjë, e cila u zgjodh me konkurs mes disa kandidatëve, premtim ky i dhënë gjatë fushatës elektorale nga kryeministri Edi Rama. Tabaku, djali i saj dhe mësuesi i arrestuar si sekser, nuk janë marrë ende në pyetje nga prokuroria, pasi asnjëri prej tyre nuk është përfaqësuar me avokat.

Vetë të dyshuarit kanë mohuar çdo akuzë, por pavarësisht qëndrimit të tyre, prokuroria pritet të kërkojë masën e sigurisë “arrest me burg” për tre të dyshuarit, ndaj të cilëve janë ngritur akuzat e “korrupsionit pasiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “ushtrim i ndikimit të paligjshëm”.

Djali i drejtoreshës së Arsimit në Lushnjë, Xhanlukas Bakiasi dhe shtetasin Rigert Zeneli u arrestuan në flagrancë nga policia teksa po merrnin një shumë të konsiderueshme parash nga një mësues për të mos e hequr nga puna.

Menjëherë pas arrestimit të të dyshuarave, prokuroria lëshoi edhe një urdhër ndalimi për drejtoreshën, shtetasen Liza Tabaku, e cila dyshohet për korrupsion. “Nga hetimi ka rezultuar se për çdo emërim apo moslargim nga detyra, kjo shtetase merrte shuma nga 3000-5000 euro.

Në veprimtarinë e saj të paligjshme, kjo shtetase ndihmohej nga djali i saj, Xhanlukas Bakiasi dhe një shtetas tjetër, Rigert Zeneli”, tha prokuroria.

Gjykata e lë në burg

Ndërkohë gjykata e la në burg drejtuesen e Zyrës Arsimore në Lushnje, Liza Tabaku, së bashku me djalin e saj, Xhanlukas Tabaku (Bakiasi) dhe mësuesin Rigert Zeneli.

Vendimi është marrë ditën e sotme nga Gjykata e Lushnjës, e cila me kërkesë të Prokurorisë, ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Liza Tabaku, me funksion Drejtore e Zyrës Arsimore, Lushnje, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “korrupsioni pasiv….”, si edhe për Xhanluka Tabaku (Bakiasi) dhe Rigert Zeneli, të akuzuar për veprën penale të “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm…”.

Pas veprimeve hetimore paraprake, të drejtuara nga Prokuroria Lushnje, të shtunën në datë 22 nëntor 2014 janë arrestuar në flagrancë shtetasit Xhanluka Tabaku dhe Rigert Zeneli. Po në të njëjtën ditë, me urdhër të prokurorisë, është ndaluar Liza Tabaku.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas