Kryesore, Mapo Letrare

Xhunga: Është koha ta përdorim historinë, mjaft na përdori ajo ne

rudinaRudina Xhunga ka botuar librin e saj më të ri “Fletorja e Luftës”. Një përmbledhje e të gjithë ciklit të emisioneve “Shqip” të realizuar mbi Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Të gjitha debatet, vlerësimet, argumentet dhe faktet e reja mbi figura ngjarje, heronj e viktima të asaj periudhe. Libri shpërndahet falas në të gjithë Shqipërinë dhe gjithë trevat mbarëshqiptare, me rastin e festave

 



Që viti 2014 do të vinte i ngjeshur në axhendën mediatike me emisione dhe debate televizive mbi protagonistët dhe ngjarjet që bënë historinë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, e cila mbushi sot 70 vjet, kjo gjë ishte e parashikueshme. Gazetarja Rudina Xhunga shkoi pak më tej. E çoi emisionin te ngjarja, si një udhëtim në kohë erdhën të gjallë lapidarë, muze, kulla, shtëpi, marrëveshje, vende ku kanë ndodhur masakra, ku kanë rënë dëshmorë, histori njerëzore, veteranë, varrezat, kujtime…

“Ideja për ta çuar emisionin të ngjarja, më ngacmoi me Mukjen. Emri Mukje është shumë i njohur, por pakkush dinte të më tregonte ku ishte tamam Mukja. Edhe njerëz që kishin shkruar për të”. Vajti vetë në Mukje, fshati simbol i nacionalizmit, i harruar prej kohësh. Më pas vizitoi varrezat e Borovës, kullën e Bujanit, shtëpinë e diktatorit Enver Hoxha në Gjirokastër…

Gjatë rrugës, Xhunga zbulon se hasi njerëz që nuk mbanin më, nga mënyra e njëanshme e tregimit të historisë, kjo sipas saj rrjedh nga sponsorizimi i madh financiar. “Që ka ndikuar duke kompleksuar dhe dëshmitarët, jo më historianët e gazetarët, që të tregojnë dhe ballafaqojnë gjithë të vërtetat..”.

Ajo shprehet e bindur se ky cikël i ka sjellë të reja debatit historik. “Ky ishte edhe qëllimi i ciklit. Të shtojmë argumente të reja në debat dhe të ndikojmë në përdorimin e historisë. Mjaft na përdori historia ne”, – shton Xhunga, e cila vetë u ndje për herë të parë në krahun e duhur të një historie, që mandej shkoi në drejtim të gabuar. Pasi e përmbylli maratonën e gjatë televizive ku nuk munguan debatet dhe kahet e ndryshme të të parit të historisë nga historianë dhe ekspertë, ku pati vlerësime dhe rivlerësime, argumente dhe fakte të reja mbi figura, ngjarje, heronj e viktima të asaj periudhe, e konkretizoi në një libër. “Fletorja e Luftës” është libri i sapobotuar, i cili po shpërndahet falas në të gjithë Shqipërinë dhe gjithë trevat mbarëshqiptare me rastin e festave.

Si lindi ideja që ta kthenit në një cikël emisionesh me temën mbi Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare?

2014 është viti i 70-vjetorit të LANÇ. Cikli i përmbyllur në një libër ishte ideja që më ngacmoi. Do të doja të kishte sa më shumë ide për ta treguar dhe përkujtuar luftën e madhe të shqiptarëve, që na mundësoi pavarësinë territoriale dhe një vend në krah të fitimtarëve. Për herë të parë në krahun e duhur të një historie, që mandej shkoi në drejtim të gabuar. Por asgjë, as ky fakt, nuk pengon ta kemi 29 Nëntorin si një Ditë Mirënjohjeje për vajzat dhe djemtë që na dhanë lirinë. Duket patetike e rreshtuar kështu siç po bëj unë, por më duhet të gjej zërin e duhur në një ambient ku kumbon heshtja. Ka qenë më e lehtë edhe kur bërtitet përdhunshëm “28, jo 29!”. Tani heshtja të huton dhe shpërqendron.

Kur e keni nisur puntatën e parë?

Më 5 maj 2014, por ai ishte një debat pa palë. Se nuk ka palë, kur ka idealizëm. Të tillë ishin ato vajza dhe djem të shkolluar, idealistë që na bëjnë nder t’i nderojmë.

Çfarë hasët gjatë rrugës, të cilën nuk e kishit parashikuar fillimisht kur e nisët këtë cikël ?

Vëmendje, interes, kërkesa për të marrë pjesë në debat. Nuk e dija që kishte aq shumë njerëz që ndiheshin të papërfaqësuar, të lënë mënjanë, që u ka ardhur në majë të hundës duke dëgjuar se është arkaike, komuniste, staliniste, enveriste të mbrosh e tregosh luftën tënde. Pashë që kishte shumë njerëz që nuk mbanin më, nga mënyra e njëanshme e tregimit të historisë, mënyrë që rrjedh, jo thjesht nga ideologjia, por sidomos nga sponsorizimi i madh financiar, që ka ndikuar duke kompleksuar dhe dëshmitarët, jo më historianët e gazetarët, që të tregojnë dhe ballafaqojnë gjithë të vërtetat.

Ideja për ta realizuar emisionin në vende të përfshira në ngjarje të rëndësishme apo të lidhura me protagonistë të asaj periudhe, çfarë impakti ka sjellë?

Ideja për ta çuar emisionin të ngjarja, më ngacmoi me Mukjen. Emri Mukje është shumë i njohur, por pakkush dinte të më tregonte ku ishte tamam Mukja. Edhe njerëz që kishin shkruar për të. Kur vajta në Mukje, mësova që edhe pse fshati ishte bërë simbol i nacionalizmit, aty nuk shkelte kush prej një jete. Madje fshati nuk kishte as drita. Kishin harruar të çonin. Edhe tabela që përkujtonte kuvendin e Mukjes ishte vënë si dordolec mes arës, që më shumë trembte, sesa tregonte.

Përtej anës vizuale, a solli diçka të re në përmbajtje?

Kjo më çoi nga njëra kullë, në një tjetër, për të kulmuar me xhirimet në varrezat e Borovës, ku bashkë me të gjallët debatonin dhe të vdekurit. Në Borovë ishte një debat i vështirë. Kujtoj që ika menjëherë sa mbaroi debati. Kur arrita në Tiranë, u kujtova që i kisha shqetësuar të vdekurit, pa u çuar një tufë me lule. Shkova përsëri, bashkë me At’ Kristaqin, dhe gjithë banorët një ditë të shtunë. Mblodhëm lule në oborre dhe i lamë në çdo varr të fshatit simbol të egërsisë naziste. Më ka bërë shumë përshtypje ambasadori gjerman, me kujdesin të fliste për banorët e këtij fshati dhe gjithë shqiptarët. E pashë pas Borovës, në shtëpinë e Enver Hoxhës, ku kishte vajtur si një prej shumë turistëve që ngacmohen nga historia e këtij vendi. Ky ishte edhe qëllimi i ciklit. Të shtojmë argumente të reja në debat dhe të ndikojmë në përdorimin e historisë. Mjaft na përdori historia, neve.

Si janë parë nga historianët dhe ekspertët e ftuar në ciklin e emisioneve ngjarje apo figura të caktuar ? A ka pasur rivlerësime? Po ndarje në kampe?

Më ka bërë përshtypje një figurë si Rrahman Parrllaku. I rivlerësuar gjatë këtyre debateve. Doli në një tjetër dritë si dëshmitar dinjitoz dhe i gjithëpranuar. Muharrem Bajraktari. Palët patën debat dhe në fund, pati konkluzione më shumë pro se kundër, një figurë e rëndësishme të nacionalizmit. U rivlerësua Bujani, kulla e famshme e bashkimit me Kosovën. Kulla e marrëveshjes së madhe. U rikujtuan 107 të vrarët e Borovës, fshatit të masakruar nga trupat speciale gjermane. Borova ishte mesazhi që nazistët i dhanë Shqipërisë; Mos lufto, se do përfundosh si Borova. Por luftë pati. Luftuan partizanët. Në dritën e të gjithë dokumenteve del ky fakt. Përfaqësuesit e Ballit, historianë apo dëshmitarë, në këto debate kanë kërkuar dhe trajtuar argumente, pse nuk hyri Balli në luftë, por nuk kanë dalë kundër faktit që Balli nuk hyri në luftë.

Po figura dhe roli i Enver Hoxhës gjatë LANÇ, si është parë dhe analizuar nga historianët e ftuar në emision?

Pothuaj nuk është analizuar. Debati publik ka kompleksuar historianët. Debati i pandershëm publik. Sepse një debat i ndershëm dhe historik nuk ka turp, frikë, inat, mungesë kujtese. Kur i kërkova Kristo Frashrit të më fliste për figurën e Enver Hoxhës, më tha: “ Që të mos më lënë të vdes. Më lër rehat, se nuk kam kohë të merrem me këta. Këta e dinë që Enveri ishte armik që në djep. Këta nuk e duan, nuk e dinë historinë…”

A ka shumë nga ata që e shohin krejt ndryshe nga sa është shkruar deri më tani për periudhën e Luftës së Dytë Botërore ?
Shumë prej historianëve të Universitetit Europian të Tiranës, të përfshirë në këto debate kanë këndvështrim të ndryshëm nga historianë si Paskal Milo, Pëllumb Xhufi, etj. Ka pasur debat, përplasje mendimi dhe rrjedhimisht janë përftuar argumente të reja për pro dhe kundër, sajë kësaj. Se vetëm debati të zgjon dhe mpreh mendimin, ndërsa monologu të vë në gjumë si ne 50 vjet, ose të varfëron dhe ndryshk si në vitet e Berishës. Mua më kanë bërë përshtypje disa prej historianëve të UET, apo vetë UET që bashkë me Blendi Fevziun apo Uran Butkën, kanë imponuar një mënyrë të re mendimi për historinë dhe figurat historike. Nuk mund të themi që kjo është e vërteta, por ia kanë dalë të imponojnë të vërtetën e tyre. Ndërsa akademia, institutet, muzetë, qendrat shkencore etj., nuk kanë prodhuar material të kundërshtojnë apo vërtetojnë. Çështje prioritetesh.

Mes Berishës dhe Ramës, si gjykoni mënyrën si e kanë kujtuar dhe vlerësuar luftën?

Berisha si komunist, Rama si artist. Këto frazat, ish-komunist, ish-artist më duken pa lidhje. O je, o s ’je. Dhe je gjithë jetën. Heronjtë e Vigut në Shkodër, u tërhoqën zvarrë dhe çuan në plehra, sepse Berisha në këtë frymë u edukua, nuk mund të sillej ndryshe, me kë nuk donte. Ndërsa Rama, këtë 70-vjetor bëri të vizitueshëm një bunker dhe do të sjellë një këngëtare ndërkombëtare, sonte. Akte shumë artistike që tregojnë identitetin real të tij.

E sollët në një botim tani së fundmi gjithë këtë cikël, madje edhe me një datë që përkon fiks me 70 vjetorin. Pse edhe një libër?

Sepse e shkruara mbetet. Sepse besoj te fjala e shkruar. Sepse kemi hyrë në kohë të reja. Shkoi koha e Hoxhës, bashkë me mitizimin e Luftës, iku edhe koha e Berishës me çmitizimin e luftës. Tani është koha e përballjes së dy kohërave. Për të gjetur të vërtetat tona. Një libër me debat është një libër që ndihmon këtë kohë të tretë. Libri sot po shpërndahet falas në të gjithë Shqipërinë dhe gjithë trevat mbarëshqiptare, ku po festohet SHQIP. Se e dimë apo nuk e dimë ne, në Shkup, Preshevë, Gjakovë, Mitrovicë, Tetovë, sot festohet 70-vjetori.

PasPara

1 koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas