Kryesore, Sport

Xhevahirët e Superiores, cilët vlerësohen si më të shtrenjtët

Futbollisti me origjina nga Kosova, Kristal Abazaj, është lojtari më i shtrenjtë te korçarët, duke lënë pas Sabien Lilajn, që kushton 700 mijë euro. Jurgen Bardhi është lojtari më i shtrenjtë në ekipin e Partizanit, kurse Enea Koliçi është lojtari që vlerësohet më shumë te Kukësi, më shumë se sulmuesi Sindrit Guri

Superiorja është mbyllur dhe deri në këto momente janë bërë dy transferime jashtë vendit. Skënderbeu ka transferuar sulmuesin Kristal Abazaj tek Anderlecht dhe kjo ka ndodhur për shumën e 750 mijë eurove, 400 mijë euro më shumë nga sa tropojani vlerësohet në transfermarkt.de. Çmimet aty nuk janë reale, por përcaktohet në bazë të paraqitjeve që lojtarët bëjnë gjatë sezonit. E njëjta gjë edhe për Gurin, që është shitur 710 mijë euro, kurse në transfertmarkt ai vlen vetëm 400 mijë euro.



ENIS GAVAZAJ (SKËNDERBEU) – 750 MIJË EURO

Sulmuesi anësor i Skënderbeut është edhe pjesë e Shqipërisë, ndërkohë që me korçarët ka bërë paraqitje të mira në Europa League dhe kampionat. Futbollisti me origjina nga Kosova është lojtari më i shtrenjtë te korçarët, duke lënë pas Sabien Lilajn, që kushton 700 mijë euro.

MASSAHADU ALHASAN (TEUTA) – 600 MIJË EURO

Me një të shkuar në Serie A, ganezi erdhi në janar te Teuta dhe çmimi i tij është i konsiderueshëm. Luan në linjën e majtë, në mbrojtje dhe në mesfushë. Alhasan është lojtari më i shtrenjtë te durrsakët. Portieri Kastrati e ndjek, pasi kushton 400 mijë euro.

JURGEN BARDHI (PARTIZANI) – 575 MIJË EURO

Ishim mësuar gjithë kohën duke e konsideruar talent, por Bardhi është rritur dhe sezonin e fundit është aktivizuar rregullisht si titullar me Partizanin, çka ka bërë që të jetë edhe lojtari më i shtrenjtë në ekipin e tij. Klauzola e tij është 1 milion euro.

GENTIAN SELMANI (LAÇI) – 525 MIJË EURO

T’i besosh portën një 17-vjeçari nuk është e lehtë, por te Laçi po i marrin frytet e punës së bërë. Selmani, produkt i Partizanit, është futbollisti më i shtrenjtë i bardhezinjve. Portieri i Shpresave vlerësohet më shumë se Reginaldo (450 mijë euro) dhe Uzuni (400 mijë euro), të cilët kanë shënuar së bashku 28 gola në kampionat.

ENEA KOLIÇI (KUKËSI) – 500 MIJË EURO

Sezoni i vjetshëm i ka vlejtur shumë portierit të Kukësit. Pogradecari pati oferta të shumta dhe është lojtari që vlerësohet më shumë te verilindorët, madje edhe më shumë se sulmuesi Sindrit Guri. Gjithsesi këtë verë ai me shumë mundësi do të largohet falas.

MUAREM MUAREM (FLAMURTARI) – 450 MIJË EURO

Fantazisti i marrë nga Aktobe në Kazakistan, ka provuar të luajë edhe me Qarabag në Azerbajxhan, duke fituar edhe titullin. Mesfushori është më i shtrenjti te Flamurtari dhe kontrata i përfundon verën e ardhshme.

DEJVI BREGU (LUFTËTARI) – 400 MIJË EURO

Vlonjati është blerë nga Skënderbeu, por ka luajtur këtë sezon me Luftëtarin. Anësori është lojtari më i shtrenjtë te gjirokastritët, duke lënë pas tij edhe Kristal Abazajn, që e mbylli kampionatin si shënuesi më i mirë te bluzinjtë.

ARDIT KRYMI (VLLAZNIA) – 375 MIJË EURO

Pjesë e Shpresave të Shqipërisë, mesfushori shkodran është një lojtar që tashmë ka fituar shumë eksperiencë në Superiore dhe padyshim që është një nga lojtarët më të mirë në pozicionin e tij si mesfushor defensiv. Për këtë vlerësohet edhe si lojtari më i shtrenjtë i kuqebluve.

BRUNO ARRABAL (KAMZA) – 250 MIJË EURO

Një nga lëvizjet më të mira të bëra nga Kamza në merkaton e verës. Braziliani luan si mesfushor defensiv, por edhe si qendërmbrojtës. Ka spikatur në skuadrën periferike të kryeqytetit dhe me këtë ecuri çmimi i tij do të rritet edhe më shumë.

ENRIKO PAPA (LUSHNJA) – 225 MIJË EURO

Lushnja, duke pasur një buxhet të ulët, nuk është se ka ndonjë emër “big” dhe që të kushtojë shumë. Enriko Papa, i marrë nga Teuta, dhe që më parë ka qenë pjesë e Tiranës, Butrintit, Apolonisë dhe Bylisit, vlerësohet si lojtari më i shtrenjtë në skuadrën verdhejeshile.

*Çmimet i referohen faqes së specializuar për lëvizjet e lojtarëve, transfermarkt.de

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas