Sport

Xhervasoni: Rijat Shala u ndau lekët lojtarëve Shala: Ai shpif që të lehtësojë dënimin e tij

Rijat Shala akuzohet se ka qenë i përfshirë në kurdisjen e ndeshjeve në futbollin italian. Sipas futbollistit Karlo Xhervasoni, mesfushori prizrenas ka marrë 150 mijë euro, duke i ndarë ato me shokët e skuadrës, për ta trukuar ndeshjen e Kupës në vitin 2010, ndërmjet Kievos dhe Novarës. Por 28-vjeçari mohon akuzat. Rijat Shala është përfshirë kështu në skandalin e fundit të futbollit italian, apo të ashtuquajturin ‘Calciopoli 2’. Mesfushori kosovar duket se ka qenë pjesë e kurdisjes së ndeshjeve, të cilat po zbulohen një nga një. Për të zbuluar gjithçka është përkujdesur ish-futbollisti i Kremoneses, së fundmi i Piaçenzas, Karlo Xhervasoni. Ky i fundit rrëfen faktin se ka bashkëpunuar me futbollistin prizrenas, për ta rregulluar ndeshjen e Kupës së Italisë në vitin 2010 ndërmjet Kievos dhe Novarës, ku luante Shala në atë kohë. “Sa i përket ndeshjes Kievo-Novara, e Kupës së Italisë në vitin 2010, kam marrë vesh nga boshnjaku Almir Gegiç se sllavët ofronin 150 mijë euro për lojtarët e Novarës, që të mundeshin nga Kievo me më shumë se një gol diferencë, rezultat ky që në fakt u arrit pas ndeshjes”, rrëfen përpara gjykatës futbollisti italian, i cili është dënuar me 5 vjet pezullim. “Më kujtohet që ua mundësova sllavëve të takoheshin me sulmuesin Nikola Ventola dhe me futbollistin shqiptar që luante te Novara, Shala, të cilit ia dhanë rreth 150 mijë euro. Ai do t’i ndante ato me lojtarët tjerë, ndër ta edhe portierin Fontana. Sulmuesi Berani gjeti arsye për të mos i bashkohej ekipit fare në atë ndeshje”, vazhdoi Xhervasoni. Ndërsa pasi ka dëgjuar deklaratat e Xhervasonit, i menjëhershëm ka qenë reagimi i mesfushorit kosovar, i cili i përgënjeshtron kategorikisht akuzat e drejtuara në adresë të tij. “Është akuzë absurde, si të zbriste nga qielli. Nuk e kuptoj se si ky person mundohet ta rrënojë karrierën dhe jetën e njerëzve të tjerë. Ndoshta dëshiron të dalë nga burgu dhe e përdor këtë mënyrë për t’ia dalë mbanë”, deklaroi futbollisti prizrenas. Rijat Shala u largua nga Novara gjatë verës që shkoi, duke iu bashkuar Luganos, nga e cila është shkëputur gjithashtu. Futbollisti me pasaportë zvicerane është shquar gjithmonë për jetën kontroverse brenda dhe jashtë fushës. Ish-futbollisti i Luganos, Salernitanës dhe Kajliarit, pritet ta japë versionin e tij, pas akuzave të bëra nga futbollisti Xhervasoni. Pjesë e Novarës ishte edhe portieri Samir Ujkani, por që emri i tij nuk është përmendur ndër futbollistët e përfshirë në skandalin që u zbulua në futbollin italian së fundmi, ku u përfshinë akterë dhe klube nga Serie A, Serie B dhe Lega Pro (liga e tretë).



PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas