Kryesore, Mapo Format

WORKSHOP i Institutit PASHKO, ja 21 pyetjet e vështira të studentëve për Eni Vasilin: Tregu mediatik, i padrejtë me gjininë

Pardje u themelua edicioni i parë i uorkshopit: “MEDIA NEW TRENDS”, organizuar nga Instituti Europian Pashko, me studentë të Marrëdhënieve Publike dhe Komunikimit të UET dhe Shkencave të Komunikimit të Universitetit BEDER.

Në uorkshopin e realizuar, me të ftuar Znj. Eni Vasili, u diskutua edhe nga lektorët e ftuar të UET, Dr.Irena Myzeqari dhe redaktori i MAPO.al, Z.Enton Palushi, gjithashtu Dr.Erlis Çela nga Universiteti BEDER, për ndikimin e medias, zhvillimin dhe karakteristikat e saj.



Pjesëmarrësit patën mundësi t’i drejtojnë Znj. Eni Vasili disa pyetje rreth rrugëtimit profesional dhe personal, duke e kthyer takimin në një intervistë të mirëfilltë.

Në nisje të programit të ri të saj, me titull “Open” në Top Channel, lexoni më poshtë intervistën interesante të Vasilit. 

Sa e vështirë është të ruash integritetin e gazetarit sot? A ta lejon tregu mediatik shqiptar të jesh gazetar me integritet?

Te jesh gazetar me integritet dhe njeri ë ndershem është një zgjedhje personale që nuk ka treg që ta pengon apo media që ta dikton. Eksperienca ime personale e tregon këtë. Mendoj se nuk kam ceduar asnjëherë thelbin e unit tim personal dhe profesional, nuk kam bërë asnjë kompromis që cenon integritetin tim si njeri dhe profesioniste.

Jam e bindur se kam ndërtuar debatin që kam dashur, në momentin që kam dashur, kam ftuar njeriun e duhur në momentin e duhur dhe nuk kam lejuar kurrë një pronar, zëdhënës partie, këshilltar ministri apo këshilltar të liderit të opozitës, të më induktojë temën e emisionit tim, temën që duhet të zgjedh për debat etj. Kjo është një përpjekje e madhe, një përpjekje e përditshme, nuk është një gjë që mbaron dikur, as në fillim të gazetarisë, as përgjatë saj dhe as në hapat më të lartë të karrierës. Sa më lart të ngjitesh, aq më i fortë është presioni, aq më të mëdhaja janë mundësitë që të tjerët të induktojnë limitet e tyre, por siç thashë kjo gjë është një luftë e perditshme. Është një mision i mundur të jesh një gazetar i mirë dhe një profesionist i mirë, por nuk është e thjeshtë.

Ju si gazetare me eksperiencë, si i ndërtoni marrëdhëniet me të ftuarit në aspektin e pyetjeve? A i jepni pyetjet përpara emisionit?

Në 15 vite emision, të krijohet mundësia për të pasur një marrdhënie personale me të ftuarit. Imagjinoni në sa mijëra orë transmetime ata kanë qenë dhe kanë dhënë kontributin e tyre etj. Sigurisht që një gazetar i mirë duhet patjetër të informojë të ftuarin e tij në lidhje me çështjet që do të trajtohen. Kjo është absolutisht profesionale dhe e domosdoshme, qoftë edhe për parapërgatitjen që i duhet të ftuarit. Ka disa raste kur ne ia dërgojmë pyetjet të ftuarit si kompromisi i vetëm që ai personazh të vijë në studio. Pranuar ky kompromis, nuk do të thotë që ti nuk do të bësh pyetje të tjera shtesë. Gjatë një interviste televizive ka një pyetësor kryesor që ti e mban përpara, por ka dhe pyetje të tjera që lindin gjatë bisedës. Asgjë nuk e kompromenton realisht një debat televiziv në një intervistë televizive, nëse ti nuk do që ajo të jetë e kompromentuar. Kjo varet thelbësisht nga gazetari dhe jo nga fakti që ti i jep apo nuk i jep pyetjet.

Sa i vështirë është menaxhimi i debatit në emision?

Masakrimi i atij që ke përballë nuk është asnjëherë qëllimi im kryesor. Kjo mund të jetë shumë e thjeshtë nga një këndvështrim, nga një batutë apo një kurth i ngritur mirë. Nëqoftëse do të qëndrosh gjatë në gazetari, duhet të kesh disa parametra moral dhe profesional që ata persona që ke përballë të kenë detyrimin të kthehen sërish tek ti. Mund të ‘ngresh’ kurthet e tua, mund të bësh pyetjet e tua të kryqëzuara, por e tëra duhet të jetë e ndërtuar në një kontekst moral dhe profesional. Të bësh 15 vite emision do të thotë të kesh marrë shumë raste Edi Ramën në intervistë, apo Bashen, Metën, Berishën. T’i rikthesh sërish në studio pas intervistave të vështira nuk është gjithmonë e thjeshtë, por kur këta parametra janë vendosur ndershmërisht në tryezën e intervistës tënde, atëherë janë të tejkalueshme.

A ka ndodhur ndonjëherë që gjatë një debati të thjeshtë të ndryshosh totalisht rrjedhën e bisedës?

Në përgjithësi jam njeri disi emocional dhe nuk do arrija të menaxhoja një debat që del jashtë parametrave të mia. Aty ku mendoj se cenohen disa parime, të cilat unë i respektoj dhe sipas meje janë të palëvizura, edhe mund të bëhem agresive në studion time gjatë transmetimit. Sigurisht ka pasur momente të vështira nga më të ndryshmet, që nga Ylli Bufi me Spartak Ngjelën që filluan t’i gjuanin njëri-tjetrit me stilolapsa në tryezë edhe ishte një situatë krejtësisht e paparashikuar.

Kryeministri Rama pati një moment emocional të paparashikuar, në studion tuaj pak muaj më parë. Na thoni dicka rreth këtij momenti.

Ka patur disa zëra të veçuar që e kanë komentuar në rrjete sociale atë moment si një moment televiziv të parafabrikuar. Në në fakt kishim rënë dakord për çështjet kryesore për të cilat do të flisnim dhe pjesa private ishte jashte tyre. Por nuk është e thënë, pasi siç ju a shpjegova debati mund të marrë një rrjedhë komplet tjetër, dhe me Ramën zakonisht kështu ndodh. Nuk ka qenë absolutisht i parafabrikuar për faktin se në çështjet që unë i kisha dërguar, nuk parashikohej që të flisnim për jetën e tij private apo familjen. Ne kishim rënë dakord për 3 apo 4 çështje kryesore dhe nuk kishim folur për jetën private. Biseda mori atë rrjedhë në mënyrë spontane. Kryeministri po fliste për kostot e të bërit politikë, unë i thashë ç’do të thotë kosto e më pas ai filloi të fliste për familjarët dhe unë mendoj që aty ishte i vërtetë. Pavarësisht se sa e vërtetë është fabula të cilën ai e ndërtoi, fakti që një politikan e vuan në kurriz anatemimin e familjes, fëmijëve, gruas, vëllait është një gjë gjithmonë e vërtetë. Askush nuk dëshëron të jetë i prekur tek familja.

Ka pasur disa persona të cilët janë përlotur në studio këtë sezon, është përlotur Jozefina Topalli, Grida Duma, është përlotur Fatmir Xhafaj kur i kujtova mbesën e vogël. Ka pasur disa personazhe të cilët sapo t’i ngacmosh në jetën e tyre personale, fillojnë të emocionohen sidomos kur janë të papërgatitur dhe aty zbulon natyrën e tyre njerëzore sepse njerëz janë dhe ata. Pengu i një njeriu që merret me një aktivitet kaq të madh publik, është koha e pakët për t’u marrë me fëmijët dhe familjen. Të jesh një person publik është një vokacion që vjen së brendshmi, por është dhe një investim i madh që nga ana tjetër kërkon sakrifica të mëdha. Unë mendoj se Rama ishte i vërtetë, pati një reagim realisht emocional.

Të qënurit një person publik, a ju ka krijuar probleme me menaxhimin e jetës private dhe asaj pofesionale?

Jam marrë kryesisht me objektivat profesionale, kam anashkaluar shumë jetën time private dhe ndoshta po vazhdoj ta bëj këtë gjë, përsa kohë impenjimi publik është i tillë. Por kam fatin të kem një familje mirëkuptuese që më rri mbrapa dhe më ndihmon, por kjo nuk do të thotë që nga ana tjetër unë jap kohën e duhur apo të gjithë vëmëndjen e duhur. Nganjëherë më duket sikur nuk kam jetuar asnjëherë personalen, por vetem kohën profesionale, por  në fund fare kujtohem që kjo ishte një zgjedhje e imja dhe nuk më ka detyruar askush.

Cila është sfida më e vështirë që keni hasur gjatë kësaj kohe në karrierën tuaj?

Tregu i padrejtë me gjininë. Të jesh femër në Shqipëri nuk është e thjeshtë. Të jesh në sferën publike është akoma më e vështirë. Të garosh me kolegët meshkuj nuk është e thjeshtë, jo vetëm nga pikëpamja profesionale, por sepse ka disa rregulla të tjera në botën tonë, ka disa porta ku një femër nuk mund të hyjë ose nuk preferon të futet. Nuk dua ta bëj një çështje gjinie, por është dhe e tillë. Mendoj se më është dashur dhjetëfishi i mundit, përkushtimit për të arritur deri këtu, në krahasim me kolegët e mi meshkuj. Kjo gjë nuk ndodh vetëm në Shqipëri. E keni vënë re? Një gruaje i kërkohet githçka: të jetë e bukur, e zonja, të dijë të gatuajë, të jetë me integritet maksimal, a e keni vënë re? A ua kërkojmë meshkujve ne këto? Kështu që mendoj se tek gazetaria, kjo lloj gare e padrejtë është diçka që të kushton shumë.

Cila do të ishte një këshillë për femrat në karrierë?

Vetëm përgatituni mirë, përvishini mëngët dhe mund t’ia dilni pa asnjë diskutim, nëse e doni vërtet. Nuk është e thjeshtë, duhen bërë llogaritë mirë. Por pas 20 vitesh eksperience, mund t’ju them se është shumë më e bukur se e vështirë. Gjithçka është e mundur.

Në rast se në mënyrë hipotetike hiqni dorë nga karriera juaj me emisionet në studio dhe një televizion ju kërkon të riktheheni si gazetare terreni, a do ta pranonit këtë ofertë?

Unë kam punuar edhe si gazetare terreni në fillimet e mia. Ka qenë një kohë shumë e bukur me eksperienca të jashtëzakonshme që ti i realizon vetëm në terren me njerëzit. Vitet në të cilat unë kam punuar në terren kanë qenë vite të vështira, ‘97-‘98 dhe 2000. Disa vite shumë të bukura profesionalisht pasi problemin e gjeje në çdo vend dhe nuk kishe nevojë të rendje pas tij. Më ka shënuar si një ndër eksperiencat më të bukura puna në terren. Kur kam mundësinë, e bëj ende gazetaren e terrenit. Nëse unë vendos të merrem përshembull me përmbytjet, vesh çizmet e llastikut dhe futem në shtëpitë e përmbytura. Kjo gjë nuk më krijon asnjë problem dhe nuk e shoh si një ulje në profesion, por është thelbi i gjësë.

A do pranonit t’i ktheheshit profesionit të reporterit?

Nuk do të preferoja t’i rikthehesha kësaj gjëje, jo sepse diçka nuk shkon, por ka disa shkallë që ti pasi i kalon, është e vështirë të kthehesh prapa. Ka gazetarë terreni shumë të mirë, terreni ka nevojë për një moshë tjetër, për një idealizëm tjetër edhe sigurisht pas 20 vitesh karrierë, nuk mund t’i kthehesh më. Nëse do të hiqja dorë nga emisioni, unë do të krijoja median time.

A mund të ndani me ne disa detaje në lidhje me emisionin e ri “Open” që do të keni në Top Channel?

“Open” u përpunua brenda meje si një evoluim i eksperiencës 15 vjeçare të emisionit “Studio e Hapur”. Qëndrojmë gjithmonë tek ideja bazë, pra tek fakti që jemi “të hapur” për të gjithë, ky do të jetë pak a shumë dhe slogani i emisionit. “Open” nuk është vetëm një fjalë, por shumë më tepër se kaq. Eshtë një koncept filozofik, politik ,shoqëror. “Open” mëton të jetë nje platformë gjithëpërfshirëse për rrahjen e mendimit politik, debatit, tezave. “Open” është dicka që shikon nga e ardhmja duke marrë më vete më të mirën e ekperiencës së shkuar.

Supozojmë se në një nga emisionet tuaja të regjistruara, i ftuari bën një ‘scoop’, pra prodhon një lajm të cilin nuk dëshiron ta shfaqë në transmetim dhe ju kërkon të mos e transmetoni… A do ta pranonit ju këtë gjë?

Kam pasur raste të tilla që më është kërkuar kjo gjë në emisionet e regjistruara dhe nuk e kam bërë, hera e fundit duhet të ketë qenë në korrik të këtij viti. Më është kërkuar diçka e tillë në një emision të regjistruar dhe kjo është një gjë që nuk vihet më diskutim. Emisioni nuk preket.

Emisioni juaj krahas audiencës së përgjithshme, a synon ndonjëherë ndonjë audiencë specifike?

Ne punojmë për të gjitha llojet e audiencave, ka emisione që me koshiencë i dedikohen një audience të specializuar ose një audience elitare, nëse mund ta quajmë kështu. Pra nëse ti fton 4 intelektualë të një rangu dhe zgjedh një temë që nuk është e kapshme për të gjithë, domosdoshmërisht ti e ke ngushtuar audiencën tënde në një audiencë të specializuar, në një audiencë të caktuar. Këto ndoshta janë vendime jo shumë të thjeshta sepse duke punuar në televizione komerciale, private, audienca është një gjë shumë e rëndësishme, por mendoj që në momente të caktuara, është e rëndësishme që të ushqehet edhe kjo pjesë e audiencës, në mënyrë që nën logon tënde ta gjejnë veten të gjithë… Për shembull, një intervistë me Ismail Kadarenë, mbase nuk do kishte maksimumin e audiences në masivitet siç do kishte një emision, është Arian Çani apo Ermal Mamaqi etj, por a mund të heqim dorë nga një intervistë me Ismail Kadarenë? Në mënyrë absolute jo.

A ka ndodhur që ndonjë prej të ftuarve të kërkojë ndonjë shumë parash për të ardhur në emision?

Ka kontrata të caktuara që ne i kemi me kontributorë të caktuar, që janë kryesisht analistë, pra njerëz që paguhen për të qenë në media dhe deri këtu është normale, për sa kohë ka një treg për këtë gjë. Sa i takon politikanëve apo ekspertëve etj, etj, nuk ka pasur asnjëherë asnjë pagesë nga ana e emisionit “Studio e Hapur” ose që hapur të kenë ardhur para në dorë për të paguar për një temë apo çështje të caktuara të emisionit, të paktën tek unë asnjëherë.

A keni përfituar ndonjë avantazh për hir të profesionit?

Dua të jem e sinqertë, ka dyer që të hapen, por nuk është se e parë në një distancë kohe mund të them që kam pasur ndonjë përfitim, përpos përfitimit material që vjen direkt nga puna ime, nga rroga ime. Sigurisht ca gjëra lehtësohen, të njohin diku, nuk pret në radhë, një polic e bën një sy qorr për një kundravajtje tënden, por nuk është më shumë se sa kaq, të tjerat janë legjenda.

A është media e besueshme, përse kryeministri Rama ju cilëson ‘Kazan’?

Defaktorizimi i medias është arsyeja kryesore se pse Rama e bën këtë zgjedhje komunikative. Në këtë mënyrë, çdo gjë që ne do të themi nesër, mund të mos merret seriozisht, të paktën ky është qëllimi. Kjo sigurisht është strategjike dhe Rama nuk është i vetmi që e përdor, Trump është kampion i kësaj dhe e ka pranuar në një intervistë televizive me një gazetare, “unë e bëj këtë sepse dua që çdo gjë që thoni ju nesër të mos ketë më rëndësi”. Kështu që nuk është media e cila nuk po bën punën e saj, absolutisht, kryeministri është në të drejtën e tij ta quaj median si të dojë dhe kjo s’ka pse të jetë puna jonë. Herën e fundit që Rama erdhi në studion time, unë i thashë: “Mirë se erdhe në kazan”. Kjo për të thënë se nëse do e mendonte realisht kështu mund ta refuzonte ftesën tonë. Kjo është thjesht një strategji politike për të neutralizuar ndikimin e medias dhe kryesisht medias kritike.

Duke parë që ERTV po merr një karakter më serioz këto kohë, a mendoni se do mund të kthehet në një televizion të vërtetë ku punojnë gazetarë?

Ti po thua a do punoja unë ndonjëherë për ERTV-në? (qesh) …Do ishte lezetshëm, do ishte lezetshëm. Besoj ti po pyet me shaka, kështu që… kështu po të përgjigjem edhe unë.

Kush mendoni se është media më e mirë në Shqipëri?

Jo, nuk do bija dot në gjykimin e kolegëve, është diçka që nuk mund të ma ta bëj. Sigurisht që unë kam media, të cilat i shoh më shumë se të tjerat, sepse sipas meje njerëzit që e bëjnë apo ata që e kanë në pronësi, janë njerëz që  kanë integritetin moral dhe profesional, dhe janë të impenjuar për një media të vërtetë, por nuk mund të flas me emra, sepse do krijoja një lloj konflikt interesi me kolegët e mi. Jam gazetare, kam media vetë, portalin “Hapur.al”, kështu që nuk do ishte korrekte.

A do ndryshohet emri i portalit tashmë?

Jo, nuk ka asnjë arsye që të ndërrohet emri i portalit. Nuk ka pasur emrin e “Studios së hapur”, nuk ka pse të ketë edhe emrin e emisionit të ri. “Hapur.al” ka jetën e vet, është një portal që tenton të konkurrojë në media si i pavarur nga aktiviteti im televiziv. Sigurisht ka reflektime të emisionit aty, ka një rubrikë të veçantë, ka pasur për “Studion e hapur”, do të ketë edhe për “Open” padiskutim, por është një identitet më vete i medias, i cili jo domosdoshmërisht duhet të varet nga emisionet që unë bëj. Sot i bëj, nesër ndoshta nuk i bëj, kjo nuk ka rëndësi për portalin.

Nëse duhej të zgjidhnit, do zgjidhnit TCH apo TVSH?

Unë e kam zgjedhur tashmë, kjo është një gjë që dihet. Unë jam në Top Channel, e kënaqur për ftesën që më bëri, absolutisht e gëzuar për sfidën e re që më pret, në një ekran sigurisht prestigjoz, edhe deri këtu nuk ka asnjë dyshim.

Çfarë mendimi këni për TVSH-në?

TVSH-ja ka qenë dhe mbetet për mua një nga institucionet më të rëndësishme, një institucion që unë e dua shumë. Aty kam filluar eksperiencën time si gazetare, kam kaluar vite shumë të mira, kam mësuar shumë, absolutisht shumë nga profesionistët e atij institucioni. Mendoj që është lënë pas dore nga politika për një periudhë shumë të gjatë. Ka një rikthim të shikuesit te TVSH-ja. Sigurisht sa e gjatë ka qenë rruga për ta larguar, aq do jetë e gjatë edhe rruga për ta rikthyer shikuesin në këtë institucion. Por mendoj që ka një tentativë shumë të mirë për ta bërë… Do isha një ndër njerëzit e parë që do votoja për rikthimin e Radio Televizionit Shqiptar në shkëlqimin e vet, si një televizion që konkurron barabartë me privatin. Realisht, unë kam shumë nostalgji për vitet që kam kaluar aty.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas