Aktualitet, Rajoni

Vuçiç: Provokimi i Ramës, mundësi e humbur

vucic1Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç nuk ndryshoi qëndrim as pasditen e djeshme, se përmendja e Kosovës në konferencën e përbashkët për shtyp ishte një provokim nga ana e Ramës. Vuçiç është shprehur se provokimi i Ramës ka çuar në një mundësi të humbur për të hapur një faqe të re në marrëdhëniet midis dy vendeve.

“Sot ishte një mundësi për ne të hapnim një faqe te re. Më vjen keq që provokimi i kryeministrit Rama na çoi drejt një mundësie të humbur, por ne ende dëshirojmë të punojmë së bashku për të ardhmen e rajonit tonë”, – tha Vuçiç.



Në fakt, vizita e djeshme e kryeministrit Edi Rama në Beograd u fokusua pikërisht në deklaratën e tij gjatë konferencës për shtyp me homologun serb, Aleksandar Vuçiç, kur tha se “Kosova e pavarur, e njohur deri tani nga 108 vende të ndryshme të botës dhe e mbështetur nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, është një realitet i pamohueshëm dhe i patjetërsueshëm rajonal dhe europian”.

Kjo deklaratë e Ramës për Kosovën është pasuar nga ajo e Vuçiçit, i cili e konsideroi një provokim ndaj Serbisë.

“…Nuk kam pritur një provokim nga zoti Rama që do të flisnim për Kosovën dhe Metohinë, dhe nuk e di çfarë lidhje ka me këtë. Unë nuk do t’ia lejoj askujt që ta ulë Serbinë këtu në mes të Serbisë. Më vjen keq që zoti Rama ka shfrytëzuar këtë rast që të flasë për tema që nuk kemi rënë dakord se do të flasim. Serbinë nuk duhet ta ulë askush”, – u shpreh ai.

Reagimi i Ramës ishte i menjëhershëm: “Aleksandër, ju siguroj se në Tiranë, ne nuk do të ndjehemi të provokuar nëse ju do të keni përsëri të njëjtin qëndrim lidhur me Kosovën, por do të ndjehemi thjesht të keqardhur, sepse është një realitet i njohur botërisht nga më shumë se gjysma e Kombeve të Bashkuara dhe është një realitet që sa më shpejt ta njohim, aq më shpejt mund të lëvizim përpara, në të gjitha drejtimet dhe kuptimet”.

Pas përfundimit të konferencës, ndryshe nga si e parashikon protokolli, Vuçiç nuk pranoi që t’i jepte dorën kryeministrit Rama. Por në një bashkëbisedim me gazetarët shqiptarë pas përfundimit të konferencës për shtyp, por edhe drekës zyrtare, kryeministri Edi Rama u shpreh se takimi i tij kokë më kokë me Kryeministrin e Serbisë kishte qenë i vështirë, andaj dhe biseda mes tyre kishte zgjatur tej afatit të parashikuar. Rama u shpreh se gjatë takimit, ai kishte folur për Kosovën me Kryeministrin serb, kishin debatuar dhe s’kishin rënë dakord.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas