Aktualitet

Vrasjet mafioze po trondisin Beogradin. Avokatët, grevë njëjavore

Një kurth tipik! Kështu shkroi shtypi i Beogradit pas vrasjes së avokatit të njohur, Dragoslav Ognjanoviç, 57 vjeç. Ai ishte viktima e 19 në këtë vit lufte të ashpër mes bandave kriminale në Serbi.

Avokati u qëllua për vdekje të shtunën, para apartamentit të tij, ndërsa djali 26-vjeçar u plagos në krah. Deri më tani nuk ka asnjë arrestim.



Ognjanoviç nuk ishte një person i panjohur. Në fillim të viteve 2000, ai ishte pjesë e ekipit konsultues ligjor të presidentit Slobodan Milosheviç, që duhej të përgjigjej për krime lufte deri në vdekjen e tij.

Në vitet e fundit, klientët e Ognjanoviçit ishin disa nga figurat më të njohura të botës serbe të krimit.

Vrasja shkaktoi një grevë njëjavore të kolegëve të tij në të gjithë Serbinë. Janë të shumtë ata që thonë se vrasja e fundit vjen si një larje hesapesh mes dy klaneve rivale të drogës. Ognjanoviç përfaqësoi së fundmi Luka Bojoviçin, një nga bosët më të njohur të mafies serbe.

Megjithëse ai qëndron në burg, në Spanjë, flitet se vazhdon të drejtojë pazaret e drogës në Ballkan. Në vitet e fundit u vranë në Beograd disa nga njerëzit e afërt me të, edhe vëllai i tij.

Të dyja klanet konkurruese në tregun e drogës e kanë origjinën në Shkaljar dhe Kavaç, dy zona në gjirin e Kotorrit në Malin e Zi, por përplasjet dhe vrasjet ndodhin në Beograd, që konsiderohet si bastion i kriminalitetit të organizuar.

Ndërkohë, jo të paktë janë ata që dyshojnë për lidhje me politikën, policinë dhe drejtësinë. Presidenti Aleksandar Vuçiç qeveris prej 6 vitesh në Serbi; mediet më të mëdha janë nën ndikimin e tij; ndërsa opozita është thuajse inekzistente.

Gjatë kampionatit botëror në Rusi, djali i tij 20-vjeçar u pa në një foto i rrethuar nga disa fytyra të njohura të botës së krimit. Përveç lidhjeve me kriminelë të njohur në vend, partia e Vuçiçit akuzohet edhe për dhënie të tenderave publike përkrahësve të saj besnikë.

E lidhja mes krimit, parasë dhe politikës po e dëmton rëndë vendin.

“Paligjshmëria, nëse përhapet njëherë, është si një sëmundje kanceri”, shkruan gjykatësi Miodrag Majiç në “Twitter”. “Atë nuk mund ta kontrollosh dot më”.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas