Kryesore, Mapo Letrare

‘Vrasje në kryeministri’: Kur letërsia zbulon një komplot politik

Pas romanit “Hoteli i drunjtë” Diana Çuli vjen me një tjetër libër thriller. “Vrasje në kryeministri” del për lexuesin gjatë ditëve të Panairit të 21 të Librit. Historia e një komploti ballkanik vjen në një rrëfim të paharrueshëm

Një kryeministre, një detektive dhe shumë mistere. Kjo është historia e romanit më të ri nga shkrimtarja Diana Çuli “Vrasje në kryeministri”. Pas romanit “Hoteli i drunjtë” shkrimtarja vjen sërish me një roman thriller por kësaj here ngjarjet zhvillohen në hapësira më të mëdha e me komplote ndërkombëtare, ku vërtiten personazhe gjithashtu të mistershëm, të thjeshtë në dukje, të dashur por të dyshimtë e shpesh të pakuptueshëm. Libri i cili pritet të ketë promovimin gjatë ditëve të Panairit vjen nën logon e botimeve “Dudaj”. Po cili është subjekti i këtij libri me pak fjalë? Në zyrat e kryeministrisë gjendet i vdekur një punonjës i rëndësishëm. Është një vdekje e natyrshme apo një vrasje me shumë pikëpyetje nga pas. Kush është fajtori?  Këtë enigmë duhet ta zgjidhë Beti Duka këshilltarja e re për kulturën e ngarkuar me misionin e dyfishtë për të hetuar mbi këto dyshime.  Një udhëtim marramendës nëpër Ballkan ku kufijtë e padukshëm të të fshehtave zgjerohen drejt një misteri edhe më të madh e të ndërlikuar. Në një histori të munguar të gjinisë së thrillerit në prozën shqipe, ky libër e pasuron këtë gjini duke e çuar në një nivel tepër bashkëkohor. Më poshtë autorja na zbulon më tepër mbi këtë roman… 



Titulli i librit duket mjaft tërheqës për ta marrë dhe lexuar këtë roman. Është një thriller?

Po, besoj se mund të quhet i tillë, përderisa ka në qendër një e më shumë vdekje të dyshimta, të cilat duhen hetuar.

Ky është romani juaj i dytë, pas Hotelit të drunjtë, i cili gjithashtu kishte në qendër një hetim. Po i hyni seriozisht kësaj rruge ? Megjithëse, kur sjell ndërmend letërsinë tuaj, kujtohem se edhe tek romani Rrethi i kujtesës, që e keni shkruar shumë vite më parë, ka elemente hetimi. Edhe tek skenari i filmit Hije që mbeten pas….

Po, besoj se është kështu. Gjithnjë më ka tërhequr letërsia “e verdhë”, siç quhet ndryshe, formulat në dukje të pazgjidhshme, logjika që vepron në zbulimin e krimit, por edhe zbulimi i karaktereve, faktorët që veprojnë në ndërgjegjen e njerëzve për të kryer një veprim të caktuar, shumë herë të pakuptueshëm nga të tjerët. Por, nga pëlqimi e deri tek realizimi i një vepre ka shumë mundim, sepse kërkon një tjetër qasje letrare dhe të tjerë instrumenta letrarë.

Romani fillon me një punonjës të lartë të qeverisë, që gjendet i vdekur në zyrë, në ditët e sotme. Ka ngjashmëri me ngjarje reale?

Zakonisht autorët e romaneve thriller përgjigjen se çdo ngjashmëri me ngjarje reale është e rastësishme. Po përdor edhe unë këtë përgjigje.

Në roman ka edhe ngjarje të tjera, që dyshohen si atentate ose vrasje, por që ndodhin në qytete të tjera të Ballkanit, ku personazhet tuaja udhëtojnë me një program kulturor, gjë që i jep dhe shumë kolorit e origjinalitet veprës. Madje, mendoj se është një nga veprat e pakta letrare tonat që  i vendosin ngjarjet jo vetëm në kornizën shqiptare, por e hapin rrezen e shikimit në rajon. Përse kjo shtrirje në hapësirën ballkanike?

Së pari, sepse vetë subjekti, nyja e të fshehtës nuk qëndron vetëm në Tiranë, në zyrat tona, por ka një karakter më të gjerë, më ndërkombëtar.

Një komplot ndërkombëtar, le të themi ?

Ndoshta, se nuk dua ta tregoj se çfarë ndodh, ndryshe humbet interesi për lexuesin.

Ka disa personazhe gra në roman : kryeministrja, dedektivja, sekretarja e përgjithshme…E keni bërë me qëllim, për qëndrime të barazisë gjinore ?

Ndoshta. Nënvetëdija jonë nganjëherë vepron në mënyrë të pavarur, për shkak të asaj që me siguri e dëshirojmë shumë. Por edhe mendoj se shoqëria përbëhet nga burra dhe gra që ndërthuren pazgjidhshmërisht në jetët e tyre, kështu e shoh dhe jetën që gjëllon në një libër letrar. Por, ka dhe një numër më të madh burrash, nëse e keni vënë re. Sepse, objektivisht, burrat janë më të pranishëm në ndonjë fushë, si tek pushteti, për shembull. Por, nuk ka qenë barazia gjinore synimi im. Ka qenë thjesht letërsia.

Personazhet, veanërisht Beti Duka, heroina kryesore, ndeshen me shumë rreziqe, të panjohura, që zgjerohen gjithnjë e më shumë. Fundi është tejet i papritur dhe i pazbuluar, gjë që e bën romanin tuaj një thriller vërtet interesant. Aq më tepër që këto ngjarje ndodhin në disa shtete rreth nesh. Keni shkelur vetë në gjithë ato zona e qytete që përmendni?

Po, kjo është pjesa “e vërtetë” e librit, sepse, për shkak të një projekti kulturor rajonal ndër vite ku isha e përfshirë, kam patur mundësinë të shoh një pjesë të madhe të Ballkanit, ta njoh më mirë dhe ta kuptoj më mirë. Edhe ta dua më shumë. Kjo nuk do të thotë se libri është një rrëfim dashurie ndaj gadishullit tonë, thjesht mendoj se njohja nga afër të ndihmon në detaje, po edhe në frymë.

Libri ka dhe një diskutim të ndjeshëm ndaj qëndrimeve europeiste dhe atyre euroskeptike, madje një pjesë e komplotit lidhet edhe me këtë çështje. Është një mesazh, një ide e juaja e qëllimshme ?

Pa dyshim që e ka dhe një qëllim. Ne nuk mund të vazhdojmë të shohim problemet tona shqiptare sikur jemi qendra e rruzullit, si në kohën e regjimit dhe të Luftës së Ftohtë. Ne jemi pjesë e së tërës, e problematikave që vlojnë në Ballkan e në Europë, së paku. Jemi pjesë e sistemit.  Por, në libër, që të mos i trembim lexuesit, kjo nuk jepet me diskutime konferencash e artikujsh.

Mund të themi se disa personazhe mishërojnë  këto ide?

Këtë përgjigje mund ta japë më mirë kritika. Por, unë mund të them se kam dashur t’u qasem disa gjërave që ndodhin brenda nesh dhe rrotull nesh, përmes një historie hetimi. Jo për të dhënë mendime rreth tyre.

Libri ka shumë gjendje pezull, mbajtje fryme, lexohet përnjëherësh.  Cili është ndryshimi i metodës letrare, në këtë zhanër romani?

Ka shumë ndryshim. Gjendja pezull, mbajtja e frymës, si thoni ju, kërkon një tjetër mënyrë të menduari e të shkruari, është “sekreti” që mban gjallë një thriller. Pa të, nuk mund të jetë i tillë. Nuk e di a ia kam dalë gjithnjë të krijoj këtë gjendje në roman, por mendoj se është një nga vështirësitë kryesore.

Ju mori shumë kohë shkrimi i tij?

Më shumë skema e subjektit. Logjika që duhet të lidhte të gjitha fijet e dyshimit, që nuk duhet të zbulohen shpejt nga lexuesi, por ta mbajnë atë lidhur, në ankth, që të gjejë fajtorin. Është si një ushtrim mendor.

PasPara

1 koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas