Kryesore

Vrasja e shqiptarit në Spanjë dhe rrëfimi tronditës i Samos për trafikun e drogës

Një shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, është ekzekutuar rreth mesnatës së të martës në rajonin e Terragonës, në Spanjë.

Autoritetet policore të qytetit kanë deklaruar se bëhet fjalë për një shtetas 43-vjeçar shqiptar, që ishte banues në atë lagje.



“Lajmërimi në polici ishte bërë rreth orës 00:45, ndërsa trupi i shqiptarit ishte gjetur i shtrirë në trotuar dhe emergjenca mjekësore konfirmoi më pas vdekjen e tij”, thuhej më tej në deklaratë.

Sipas mediave lokale, 43-vjeçari shqiptar është qëlluar nga një makinë me xhama të errët, e cila u largua menjëherë nga vendngjarja, ndërsa Zyra Hetimore e Terragonës po punon për zbardhjen e ngjarjes.

Terragona është një rajon ku shqiptarët janë mjaft aktivë sa i përket trafikut të drogës.

Nga ky rajon e nisi para pak muajsh një reportazh të gjatë revista e njohur spanjolle XL. Titulli i saj ishte: Mafia e re që po terrorizon Europën.

“Shqiptarët kanë marrë nën kontroll biznesin e drogës,” shkruante revista.

“Shqipëria eksporton dy produkte: drogë dhe dhunë,” shprehej gazetari Artan Hoxha për këtë revistë.

Ai tha se çdo mëngjes sheh nga perdet e shtëpisë duke menduar se cila do jetë metoda që do zgjedhë mafia për ta hequr qafe.

“Nëse do më jepej mundësi zgjedhje, do kërkoja kallashnikov. Ose një bombë në makinë. Është thjesht një shpërthim dhe mbaron,” thotë Hoxha.

Por përse është bërë kaq aktive mafia shqiptare? Sipas Hoxhës kjo ndodh për tre arsye, struktura e klaneve, pozicioni gjeografik i Shqipërisë dhe politika.

“Është si një serrë. Nëse janë kushtet e nevojshme, bimët lulëzojnë”, thotë Hoxha.

Sipas revistës, britanikët tashmë thonë se mafia shqiptare është ‘glokale’, pra lokale në dukje, por me tentakula në shumë kryeqytete europiane.

“Gjermanët kanë ngritur tashmë alarmin se trafiku i drogës po ndryshon dorë. Pushtetin e kanë shqiptarët. Mafia e tyre po ‘ha’ territorin e të tjerëve”.

“20 klane shqiptare kanë lidhje jashtë vendit. Dy degë luftojnë me njëra tjetrën: Shqiptarët me qendër në Tiranë dhe kosovarët me bazë në Prishtinë. Ata operojnë si organizata familjare, të mbrojtura nga një rrjet i dendur me vëllezër, xhaxhallarë dhe kushërinj. Rrethi nuk mund të aksesohet, ti lind brenda tij”.

Sipas revistës, shqiptarët janë prodhuesit kryesorë të kanabisit në Europë.

“Dhe ishte çështje kohe para se të futeshin në biznesin e kokainës, që gjeneron më shumë të ardhura. Tashmë ata kanë akses direkt tek prodhuesit në Amerikën e Jugut, pa ndërmjetës”.

Një trafikant 33-vjeçar shqiptar, i quajtur Samo, ka folur pë revistën. Ai thotë se është qesharake deklarata e kryeministrit Edi Rama se i kanë shpallur luftë drogës.

“Duan të tregojnë se po bëjnë diçka. Por është qesharake. Nuk e fitojnë luftën”.

Samo ka jetuar për një kohë në SHBA, ku u arrestua për trafik droge dhe vrasje. Por ai u lirua pasi dëshmitarët u ‘zhdukën’ gjatë gjyqit.

Tashmë ai e merr kokainën falë kontakteve në portin e Vlorës. Fakti që kartelet kolumbiane po e prezantojnë mallin e tyre përmes Shqipërisë është diçka e re.

“Kjo rrugë nënkupton një devijim për të hyrë në tregjet europiane, çka nënvizon fuqinë e re të fituar nga mafia shqiptare. Zakonisht është më lehtë të futet droga nga portet e Spanjës”, shkruan revista.

“Kolumbianët e dinë se ne mund ta çojmë mallin e tyre kudo, kudo,” thotë Samo.

Samo shton se policia shqiptare nuk u hap probleme.

“Janë ca bastardë të varfër që nuk janë aq të çmendur,” thotë Samo duke shtuar se vrasjet janë pjesë e punës.

“Nëse nuk kanë frikë nga ti, ata të q…”.

Në vitin 2016, në Shqipëri pati 1349 arrestime për drogë. Por në gjykatë shkuan vetëm disa. Dhe asnjë prej tyre nuk ishte ‘peshk i madh’.

‘Peshku’ më i madh është Klement Balili, shkruan revista.

Ai njihet si Pablo Eskobari i Ballkanit. Madje ka pasur foto të presidentit në një prej festave të tij.

“Të gjithë e dinë se mafia mund të të fitojë zgjedhjet,” thotë Samo.

Policia ka tentuar që ta kapë Balilin pesë herë. Herën e fundit ai ishte në një stadium në tribunën VIP. Sa hynë agjentët, ai u zhduk.

“Nuk ka vetëm një spiun në polici, por një ushtri,” thotë Artan Hoxha.

Sipas revistës, Balili njihet edhe si një Robin Hud pasi ndihmon të tjerët duke u paguar dasmat dhe kurimet tek mjeku.

Në vitin 2014 ai mori një post zyrtar. Mendohet se pikërisht atëherë ai i hyri trafikut të kokainës. Por DEA dhe Europoli i janë vënë pas.

Sipas revistës, hyrja në politikë ishte një gabim që bëri Balili.

Tashmë ai jeton në arrati, ose të paktën në atë që nënkupton arrati në Shqipëri.

“Kështu është ky vend. Të gjithë e kërkojnë dhe çfarë bën ai? Shëtit si turist”.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas