Aktualitet

Vrasja e hajdutit, ekspertiza rrëzon alibinë e tregtarëve

Ekspertiza mjeko-ligjore rëndon dy tregtarët nga Tirana, të cilët vranë me thikë një 31-vjeçar që po vidhte brenda furgonit të tyre. Ndryshe nga dëshmitë e Viktor Lakut dhe Anesti Ruçit, mjekët ligjorë kanë zbuluar se Klajdi Sejfullahu është vrarë me thikë pasi ishte neutralizuar nga tregtarët. Gjatë ditës së djeshme, policia e Tiranës ka ngritur akuzën e vrasjes me dashje në bashkëpunim për dy tregtarët, edhe pse versioni i tyre lidhej me ekzekutimin e të riut në kushtet e vetëmbrojtjes. Sipas të dhënave të policisë, viktima Klajdi Sejfullahu është goditur me thikë dhe mbi të është ushtruar dhunë fizike, edhe pasi ishte neutralizuar, çka i solli edhe vdekjen. Sipas policisë, dy tregtarët kanë arritur ta ndalonin viktimën, duke mos e lejuar të kryente vjedhjen, por nuk janë mjaftuar me kaq. Sipas ekspertëve, pikërisht në momentin që kishin kryer edhe neutralizimin e rrezikshmërisë së hajdutit, dy tregtarët duhet të kishin lajmëruar policinë për të proceduar më pas me vjedhësin dhe jo të kishin vazhduar me ushtrimin e dhunës, sipas së cilës erdhi si pasojë edhe vdekja. Viktor Laku dhe Anesti Ruçi janë dy tregtarët e arrestuar, ndërsa nga dëshmitë paraprake të dhëna prej tyre mësohet se ata janë shprehur se kanë vrarë Klajdi Sejfullarin, pasi ky i fundit i ka kërcënuar me thikë. Sipas dëshmisë së tregtarëve, mësohet se ata kanë parkuar rreth orës 17:30 furgonin e tyre në një rrugicë pranë Tregut Çam në Tiranë dhe kanë shkuar rreth 15 metra më larg për të pirë një kafe. Pasi janë ngritur nga lokali rreth orës 18:15 minuta dy tregtarët kanë gjetur Klajdi Sejfullarin brenda në furgonin e tyre. “Pasi e pyetëm se çfarë bënte në furgon, ai na tha se ishte furgoni i tij. Ne ia kthyem se gënjente dhe se ishte furgoni ynë dhe menjëherë na nxori një thikë për të na qëlluar”, -ka qenë alibia e tregtarëve, e rrëzuar pas daljes së ekspertizës mjeko-ligjore të viktimës. Klajdi Sejfullari ishte skeduar shumë herë për vjedhje në Tiranë, ndërsa vdekja e tij ka ardhur si pasojë e dhunës dhe e goditjeve me thikë në zemër.

 



PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas