Aktualitet, Kryesore

Vrasja e Eleni Bashos, policia nis verifikimin për alibinë e bashkëshortit

 

Ekzekutimi misterioz i 35-vjeçares Eleni Basho vetëm 30 metra larg shtëpisë së saj ka fokusuar policinë në hetimin e disa pistave paralele, ndërsa ditën e djeshme burime policore bënë të ditur se bashkëshorti i saj do të rithërritet në polici për të dhënë të tjera detaje dhe sqarime mbi pozicionin e tij. Shkak për këtë fakt janë bërë dyshimet që kanë hetuesit në lidhje me disa elementë të dëshmive të bashkëshortit Ilia Basho, të cilët duket se nuk konvergojnë me njëri- tjetrin. Burime të rezervuara nga grupi hetimor thanë dje për MAPO-n se ka ende vend për të verifikuar alibinë e bashkëshortit në lidhje me vendndodhjen e tij në orarin kur mendohet se është kryer vrasja. Fillimisht, hetuesit kanë marrë në pyetje bashkëshortin dhe i kanë kërkuar atij të thoshte me hollësi se ku kishte qenë në momentin e vrasjes. Ilia Basho mësohet se ka dhënë një trajektore lëvizjesh, duke u shprehur se rreth asaj ore kishte shkuar edhe për të dorëzuar disa medikamente në një dyqan në zonën e ‘Pazarit të Ri’. Si pjesë të itinerarit të ndjekur bashkëshorti ka përmendur në deklarime edhe rrugën e Elbasanit dhe disa zona të tjera, por pa specifikuar qartësisht se në çfarë orari të përafërt apo ekzakt ndodhej në secilën prej zonave, duke u shprehur për hetuesit se nuk e mbante mend me ekzaktësi orën kur kishte qenë në këto vende. Nga ana tjetër policia ka pyetur dhe ish-ortakun e Ilia Bashos, Ilirjan Bitunin, ndërsa edhe ky i fundit ka dhënë shpjegimet e veta. Më pas, Basho dhe Bituni janë lënë me njëri-tjetrin në mjediset e drejtorisë së policisë për disa minuta, ndërsa biseda e tyre ka qenë tërësisht nën kontrollin e hetuesve. Pikërisht nga kjo bisedë kanë marrë shkas edhe dyshimet e hetuesve, të cilët kanë vërejtur se trajektorja e lëvizjes së përshkruar nga Ilia Basho në deklarimin zyrtar ka disa ndryshime, krahasuar me trajektoren që ai i ka përshkruar ish-ortakut të vet gjatë kohës që po bisedonin në ambientet e policisë. Burime të rezervuara nga grupi hetimor i thanë dje MAPO se agjentët në terren janë duke kryer një sërë verifikimesh në lidhje me alibinë e vendndodhjes së bashkëshortit, për të kuptuar se ku ka qenë realisht Ilia Basho para dhe pas momentit kur ka ndodhur ngjarja. Një tjetër moment i mbuluar me mister në deklarimet e bashkëshortit ka lidhje me një episod që nuk është përmendur prej tij, ndërsa ky moment është konfirmuar nga dy deklarues të tjerë. Bëhet fjalë për një episod përplasjeje dhe tensioni mes viktimës Eleni Basho dhe një tjetër femre në muajin nëntor 2011, pak ditë para dhurimit të aksioneve nga ana e Eleni Bashos drejt ortakut tjetër të kompanisë. Zënka mes dy femrave është konfirmuar tashmë, ndërsa mësohet se Ilia Basho nuk ka përmendur një episod të tillë për asnjë moment gjatë dëshmisë së tij. Burime policore i thanë MAPO-s se bashkëshorti i viktimës në dëshminë e tij është shprehur se “nuk di ç’të them, është tërësisht e papritur dhe dyshoj se mund të kenë ngatërruar person”. Bashkëshorti i Eleni Bashos është shprehur se sipas tij, nuk mund të kishte asnjë shkas të eliminimit të Elenit për shkak të aktivitetit të biznesit. Nga ana tjetër, në dëshminë e parë të dhënë prej tij ai është shprehur se i kishte dhënë bashkëshortes 24 mijë euro për t’i mbyllur në bankë, euro që kishin ardhur si pagesë e këstit të shitjes së kuotave të kompanisë. Sipas Ilia Bashos, ai ia kishte dhënë këto lekë bashkëshortes tri ditë para vrasjes, ndërsa i pyetur nëse bashkëshortja i kishte depozituar lekët, ai u shpreh se nuk ishte në gjendje ta konfirmonte ende një gjë të tillë.



 

 

Vrasja, plumbat pas shpine, autori mund të ketë qenë me Elenin

 

Hetuesit e vrasjes së 35-vjeçares Eleni Basho janë shprehur dje se rrethanat e vrasjes nuk përjashtojnë as mundësinë që autori të ketë takuar ose shoqëruar viktimën Eleni Basho pak sekonda përpara vrasjes. Sipas tyre, fakti që Eleni Basho është goditur pas shpine përfshin mundësinë që autori ta ketë goditur pasi të jetë ndarë me të. Megjithatë, hetuesit shprehen se kjo ngelet një mundësi logjike dhe dyshim, pasi ende në këtë moment nuk mund të përcaktohet qartë dinamika e ngjarjes dhe lëvizjeve të autorit. Hetuesit e kryeqytetit kanë përcaktuar si moment të vrasjes së Eleni Bashos orën 18:10-18:15 minuta, ndërsa forcat policore janë njoftuar për ngjarjen rreth orës 18:30 minuta. Sipas verifikimeve të deritanishme, autori i krimit ka pasur një kohë të mjaftueshme për t’u larguar pa u parë nga askush nga vendi i ngjarjes. Policia ka gjetur në vendngjarje vetëm dy gëzhoja pistolete dhe një predhë, si dhe sendet personale të viktimës, që mendohet se janë të paprekura. Pas këtij momenti është përjashtuar edhe pista e vrasjes për qëllime grabitjeje.

PasPara

1 koment

  1. Edhe kur lexon Intervisten e bashkeshortit te te ndjeres Eleni Basho, -ai ne shume pyetje krijon alibi po dhe pergjigjet jane shume te corientuara apo te coroditura, eshte shume kondradiktor edhe ne lexuesit e thjeshte e kuptojme qe dicka nuk shkon ne ato pergjigje.
    Me duket se kemi nje krim te natyres se Enrietes se UNICEF-it.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas