Aktualitet

Vrasja e biznesmenit Spaho, policia jep emrin e vëllait të dytë si bashkautor

Fier- Policia ka identifikuar edhe një tjetër të dyshuar për vrasjen e  biznesmenit Spartak Spaho. Enea Hyka 28 vjeç, vëllai i Agim Hykës, i cili u arrestua disa ditë pas vrasjes së Spahos, dyshohet të këtë bashkëpunuar në këtë krim. Policia e Fierit ka bërë të ditur se ka identifikuar bashkautorin e dyshuar për vrasjen e biznesmenit, vrasje e cila ka ndodhur në 1 dhjetor 2011 në qendër të qytetit të Fierit. Enea Hyka 28 vjeç, është vëllai i Agim Hykës dhe sipas policisë, të dy kanë ekzekutuar 45-vjeçarin Spaho me breshëri automatiku.

Zbulimi



“Pas një pune intensive dhe të pandërprerë u bë i mundur identifikimi i autorit të dytë të ngjarjes së rëndë, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi Spartak Spaho, konkretisht shtetasi Enea Hyka, 28 vjeç, banues në fshatin Hoxharë të rrethit Fier, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier ka vendosur masën e sigurisë “burg pa afat”, – njoftoi policia në një konferencë për shtyp. Po ashtu sipas bluve fierake është bërë i mundur edhe identifikimi i automjetit të përdorur nga autorët e kësaj ngjarjeje, tip “Wolkswagen polo” me targa të falsifikuara, i cili menjëherë pas ngjarjes u gjet i djegur në fshatin Shën Pjetër të rrethit Fier.

Ndërkohë, disa ditë pas vrasjes së biznesmenit u arrestua nga blutë fierakë 33-vjeçari Agim Hyka. Ky i fundit ra në pranga me akuzën e “vrasjes me paramendim”, por në gjykatë në seancën e masës së sigurisë ai nuk e ka pranuar akuzën.

Motivi

Sipas policisë së Fierit, vrasja e Spahos është bërë për motive hakmarrjeje pas një konflikti familjar ndodhur në vitet 1996-‘97, konflikt nga i cili rezulton i vrarë babai i vëllezërve Hyka.

Vrasja e Skënder Hykës ka mbetur e pazbardhur dhe nuk ka një autor të vendosur përpara drejtësisë. Agim Hyka u arrestua disa ditë pas vrasjes dhe është duke pritur gjykimin nga Gjykata e Shkallës së Parë e Rrethit gjyqësor Fier, duke qenë nën masën e sigurimit “arrest me burg”. Që në fillim, sipas burimeve dhe dëshmive dihej se vrasja e Spahos u krye nga dy persona që lëviznin me një automjet në rrugën “Ramiz Aranitasi”, teksa viktima Spaho po kalonte trotuarin në drejtim të pallatit të tij në ndërtim e sipër në lagjen “Kastrioti”, ku edhe u qëllua me armë zjarri automatik. Pas arrestimit të Agim Hykës, policia ka kërkuar dhe ka gjetur prova, të cilat çuan në identifikimin dhe shpalljen në kërkim të vëllait të tij, Enea Hyka. Vëllai i arrestuar ndërkohë nuk e ka pranuar akuzën. Ai ka thënë në gjykatë se nuk mund të hakmerrej ndaj vrasësve të babait, pasi ende sot nuk e dinte se kush e kishte kryer atë vrasje. Por sipas policisë, ngjarja është e dokumentuar dhe ka prova të mjaftueshme që implikojnë dy vëllezërit dhe lidhin ngjarjen e fundit me atë të vitit 1997.

 

PasPara

1 koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas