Kryesore, Politika

Vota e emigrantëve, Majko: Ndryshim të formulës së zgjedhjes së deputetëve

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, tha dje se votimi i emigrantëve nga vendet ku jetojnë do të kërkojë ndryshim të Kushtetutës.

Në një intervistë për herë të parë në ERTV, Majko foli mbi angazhimin real të qeverisë për të garantuar të drejtën e votës së emigrantëve shqiptarë nga vendi ku ata ndodhen, ndërsa Kuvendi ka miratuar tashmë rezolutën e parë për diasporën.



“Ajo që kam frikë është se duhet të prekim edhe Kushtetutën për votimin e emigrantëve, pasi një nga modelet e përshtatshme që do të garantojë pjesëmarrjen permanente të diasporës do të kërkojë ndryshimin e formulës së zgjedhjes së deputeteve në Kuvend”, tha Majko. “Për fat të keq, jemi treguar shumë detajistë në ndryshimet Kushtetuese të vitit 2009, të cilat e fokusuan për arsye të mosbesimit të palëve, thuajse çdo detaj të sistemit zgjedhor në Kushtetutë”, tha Majko.

Përsa i përket çështjes së votimit, ministri Majko theksoi se, “Votimi është një moment i rëndësishëm, por që unë në përgjithësi kam qenë i rezervuar për të dhënë një formulë fundore për këtë çështje. Dua të theksoj që rezoluta e nënvizon dhe i kërkon Komisionit të Reformës Zgjedhore që sa më shpejt të marrë një vendim për këtë çështje, pasi i takon këtij Komisioni që të vendosë dhe unë u jam shmangur debateve të natyrave të tilla në publik, pasi mendoj që kolegët e mi, qofshin të majtë qofshin të djathtë, në esencë janë shprehur pro votës së shtetasve tanë jashtë vendit.

Kjo ka shumë rëndësi. Ajo që ne po diskutojmë aktualisht është mënyra sesi do ta realizojmë atë”. Debati sipas tij bëhet për faktin sesi do votohet. “Ka disa problematika, nëse do votohet në përfaqësitë tona diplomatike, nëse do të votohet on-line, si do të ndahen 12 qarqet, cila do të jetë diferenca mes votës që hidhet brenda vendit dhe asaj jashtë, si do ndahet administrata zgjedhore për atë që votojnë brenda dhe ata që votojnë jashtë etj., ka një sërë problematikash që kërkojnë zgjidhje”, tha ministri i Shtetit për Diasporën. Majko shprehu ndër të tjera se ka një model, të cilin nuk do që ta bëjë publik për shkak të diskutimit që duhet të bëhet në Komisionin për Reformën Zgjedhore.

“Një model e kam në kokë, ose më saktë, eci me planin A dhe planin B, por mendoj se do të prishja punë nëse do të shprehesha për modelin e votimit. Jemi ndër vendet e pakta në botë që nuk u kemi dhënë të drejtën e votës shtetasve tanë jashtë vendit”, tha Majko. “Rezoluta është një dokument fundor, i cili profilizoi përfundimisht politikën zyrtare të shtetit shqiptar karshi diasporës.

Kjo erdhi edhe si refleksion i miratimit, në një periudhë ndoshta nga më të shkurtrat të Parlamentit shqiptar të tre ligjeve, Ligjit për Diasporën, Ligjit për Agjencinë Kombëtare të Diasporës dhe Ligjit për Fondin e Zhvillimit të Diasporës. Brenda këtij trekëndëshi janë duke u përgatitur një varg aktesh”, tha ministri i Shtetit për Diasporën.

Sipas tij, edhe opozita e votoi rezolutën. “Sa i përket rezolutës, pavarësisht se opozita nuk ishte prezente në votim, ajo ka qenë prezente në diskutimin që është bërë në Komision. Fillimisht kanë qenë përfaqësuesit e LSI-së dhe mbledhjen e fundit kur është miratuar rezoluta, ka qenë edhe përfaqësuesja e PD-së. Sa i përket pjesëmarrjes në seancë, ky është një vendim politik që nuk ka të bëjë me rezolutën”, u shpreh ministri Majko.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas