Kronika

Vodhi mbi 14 mijë $ në një bankomat në New York, shpallet fajtor shqiptari

Një shqiptar është shpallur fajtor nga gjykata federale në Providence të New York-ut pasi prishi murin e një supermarketi në Smithfield.

Më pas, Epirot Krasniqi hapi me forcë një bankomat dhe vodhi 14.720 dollarë si dhe theu murin e një farmacie të vendosur brenda supermarketit për të vjedhur disa substanca mjekësore.

Dënimi për 27-vjeçarin pritet të jepet më 22 Gusht të 2018-s.



Sipas hetimeve, pak pasi u mbyll supermarketi “Target”, orëve të para të 10 Tetorit 2017, Krasniqi së bashku me një shqiptar tjetër, Liridon Gashin, 32-vjeç, hynë me forcë në supermarket.

Ata çanë tavanin, hynë brenda dhe hapën me forcë një bankomat, ku vodhën 14.720 dollarë.

Më vonë, dy hajdutët çanë murin e një farmacie brenda në supermarket dhe vodhën disa substanca të kontrolluara mjekësore, Oxydocone.

Sipas autoriteteve, dy shqiptarët ishin të pajisur me radio-marrëse dhe disa mjete dore.

Pasi kryen grabitjet, ata u munduan të arratisen sërish nëpërmjet tavanit.

Policia e Smithfield është shprehur se atë natë, oficerët kanë shkuar në vendngjarje sepse ishte raportuar një alarm për vjedhje. Pasi zbuluan vrimën në tavan, ata filluan të kontrollojnë tubat e ajrimit.

Sipas tyre, Krasniqi dhe Gashi ishin fshehur në disa tuba të ndara, ku gjithashtu, zbuluan edhe mjetet që ishin përdorur për të kryer vjedhjen.

Fillimisht, shqiptarët u gjykuan nga gjykata në Rhode Island dhe u lanë të lirë me kusht. Por më 7 Nëntor të 2017-s u lëshuan mandate federale për arrestimin e tyre.

Krasniqi u arrestua nga agjentët e FBI-së atë ditë, ndërsa Liridon Gashi u arrestua në San Francisco më 7 Mars të 2018-s. Ky i fundit po mbahet në paraburgim dhe është në pritje të gjyqit./abcnews

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas