Shëndeti

Virusi: Ja kush rrezikohet nga infektimi me HIV

Individët mund të zvogëlojnë rrezikun e infektimit me HIV duke kufizuar ekspozimin ndaj faktorëve të rrezikut

HIV (Virusi i Imunodeficiencës Njerëzore) është virusi i cili prek dhe dobëson sistemin imunitar të organizmit të njeriut duke e lënë atë të pambrojtur nga infeksionet dhe nga disa lloje kanceri. Shkatërrimi dhe dëmtimi gradual i funksionit të qelizave të imunitetit i bën gradualisht individët e infektuar pacientë imunodeficient, të ndjeshëm për një gamë të gjerë infeksionesh, lloje kanceri dhe sëmundjesh të tjera që njerëzit me sisteme të shëndetshme të imunitetit mund t’i luftojnë. Funksioni imun i organizmit matet nëpërmjet numërimit të qelizave të quajtura CD4. Faza më e avancuar e infeksionit HIV është AIDS, i cili mund të zgjasë nga 2 deri në 15 vjet për t’u zhvilluar, në varësi të individit. AIDS është përcaktuar si zhvillimi i llojeve të ndryshme të kancerit, infeksioneve apo manifestimeve të tjera të rënda klinike. HIV nuk është sinonim i AIDS. Një person i infektuar me virusin HIV, jo domosdoshmërisht është i sëmurë me AIDS; ai mund të jetë i infektuar me virusin HIV por mund të mos jetë i sëmurë me AIDS.



Shenjat e AIDS

Shenjat ndryshojnë në varësi të fazës së infeksionit. Megjithëse njerëzit që jetojnë me HIV priren të jenë më infektues në muajt e parë, shumë prej tyre nuk janë në dijeni të gjendjes së tyre HIV pozitiv deri në fazat e mëvonshme. Javët e para pas infeksionit fillestar, këta persona mund të mos kenë asnjë shenjë ose mund të shfaqin shenja të ngjashme me gripin si ethe, dhimbje koke, skuqje apo dhimbje të fytit. Me dobësimin progresiv të sistemit imunitar, infeksioni përparon dhe një person mund të zhvillojë edhe shenja të tjera të cilat ndryshojnë në varësi të fazës së infeksionit si: fryrje e nyjeve limfatike, humbje e madhe në peshë, ethe/temperaturë, diarre e vazhdueshme, kollë. Pa trajtim mund të shfaqen edhe shenja të tjera sipas llojit të infeksioneve të ndryshme oportuniste.

Transmetimi i HIV

Transmetimi i HIV mund të ndodhë nëpërmjet shkëmbimit të një shumëllojshmërie lëngjesh të infektuara të trupit të njeriut si gjaku, qumështi i gjirit, sperma dhe sekrecionet vaginale. Disa nga sjelljet dhe kushtet që vënë individët në rrezik më të madh për t’u infektuar me HIV përfshijnë; marrëdhëniet seksuale vaginale ose anale të pambrojtura. Pasja e një infeksioni tjetër seksualisht të transmetueshëm, si: sifilizi, herpesi, klamidia, gonorrea dhe vaginosa bakterore. Shkëmbimi i mjeteve të kontaminuara si gjilpëra, shiringa e pajisje të tjera gjatë injektimit të drogës. Marrja e injeksioneve apo transfuzioneve të gjakut të pasigurta, transplanti i organeve, si dhe procedurat mjekësore me instrumente të mprehta të kontaminuara. Shpimet aksidentale me gjilpërë (përfshirë dëmtimet e stafit shëndetësor). Individët nuk mund të infektohen me HIV nëpërmjet kontaktit të zakonshëm të përditshëm si puthjet, përqafimet, takimi i duarve, ose ndarja e objekteve personale, ushqimit apo ujit etj.

Diagnoza

Është e rëndësishme të theksohet se, testet që përdoren për vendosjen e diagnozës zbulojnë antitrupa të prodhuar nga sistemi imunitar i një individi për të luftuar patogjenët e huaj, dhe jo zbulimin e drejtpërdrejtë të vetë HIV. Sot janë në dispozicion teste të ndryshme që zbulojnë praninë ose mungesën e antitrupave të HIV. Shumica e individëve i zhvillojnë këta antitrupa brenda 28 ditësh nga infektimi, dhe për këtë arsye antitrupat mund të mos kapen menjëherë pas infeksionit. Kjo periudhë e hershme përfaqëson kohën e rrezikut më të madh për transmetimin e infeksionit, megjithëse transmetimi i HIV mund të ndodhë gjatë gjithë fazave të infeksionit. Ritestimi i individëve që diagnostikohen me HIV është praktikë e mirë për të përjashtuar çdo gabim të mundshëm testimi apo raportimi.

Testimi

Testimi për HIV duhet të jetë vullnetar, ndërsa testimi i detyrueshëm nuk është i pranueshëm sepse dëmton praktikat e mira të shëndetit publik dhe shkel të drejtat e njeriut. Disa vende kanë futur apo janë duke e konsideruar vetëtestimin si një mundësi për të inkurajuar diagnozën e HIV. Vetëtestimi për HIV është procesi ku një person i cili dëshiron të dijë statusin e tij/të saj HIV merr një mostër, kryen një test dhe interpreton rezultatet e testimit në mënyrë private. Vetëtestimi për HIV nuk jep një diagnozë definitive HIV pozitiv; vetëtestimi është një test i parë i cili kërkon analiza të mëtejshme nga stafi shëndetësor. Partnerët seksualë të personave të diagnostikuar me infeksion HIV kanë një probabilitet më të madh për të qenë HIV pozitiv. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) rekomandon shërbime për të arritur këta partnerë. Të gjitha shërbimet e testimit të HIV duhet të ndjekin parimet e rekomanduara nga OBSH: miratim i informuar, konfidencialitet, këshillim, rezultate të sakta të testimit dhe lidhje me kujdesin, trajtimin dhe shërbimet e tjera.

Parandalimi

Individët mund të zvogëlojnë rrezikun e infektimit me HIV duke kufizuar ekspozimin ndaj faktorëve të rrezikut. Mënyrat kryesore për parandalimin e HIV, të cilat shpesh përdoren në kombinim me njëra-tjetrën përfshijnë: përdorimin e prezervativit, testimin dhe këshillimin për HIV dhe IST të tjera, rrethprerjen mashkullore mjekësore vullnetare (syneti), përdorimin e terapisë antiretrovirale (ARV) për parandalim, reduktimin e dëmit për përdoruesit e drogave intravenoze, eliminimin e transmetimit të HIV nga nëna te fëmija.

Trajtimi

Sot infeksioni HIV mund të kontrollohet nëpërmjet përdorimit të terapisë antiretrovirale të kombinuar, e cila përbëhet nga 3 ose më shumë barna antiretroviralë. Barnat antiretroviralë nuk kurojnë infeksionin HIV, por kontrollojnë shumimin e virusit brenda trupit të një personi dhe i mundësojnë sistemit imunitar të individit të fuqizojë kapacitetin për të luftuar infeksionet. Mjekimi me ARV zgjat jetën e të sëmurëve dhe rrit cilësinë e saj, duke e shndërruar AIDS-in në një sëmundje kronike.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas