Kryesore

Video/ Transport ilegal drejt Greqisë nën hundën e policisë, dëmi 400 mijë Euro

Në emisionin “Stop” mbërriti një denoncim për dukurinë e informalitetit në transportin ndërkombëtar të udhëtarëve në Sarandë. Shoqëritë e licensuara pretendojnë se dëmi që u shkaktohet arrin vlerën e 400 mijë Euro.

“Të paktën këto 2 vitet e fundit është bërë skandaloze! Neve si shoqatë informaliteti na bën dëm kolosal! 300 – 400 mijë Euro në vit dëm!”, rrëfeu përfaqësuesi i “Butrinti Travel”, Shpëtim Ahmetaj.



Kjo shoqëri operon prej 17 vitesh në treg, por informaliteti në transportin ndërkombëtar të udhëtarëve i ka shkaktuar probleme.

“Informaliteti më i madh është në zonën e jugut, nëpërmjet pikës kufitare të Qafë Botës dhe asaj të Kakavijës. Është për të ardhur keq që në pikat e rëndësisë së veçantë bëhet një informalitet i tillë. Janë rreth 31-35 furgona të palicencuar që kalojnë në rrethin e Sarandës, Delvinës dhe fshatrave përreth”, tha Ahmetaj.

Ai tregoi se këto mjete transporti nuk janë të regjistruara as pranë organeve tatimore dhe as në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit apo në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Ata gjithashtu nuk kanë autorizim për transport ndërkombëtar të udhëtarëve nga Ministria e Transportit.    

“Për të bërë transport ndërkombëtar, edhe të bagazheve, duhet të kesh autobus. Nuk mundet të bëjë transportin ndërkombëtar një furgon që punon me tek gomë. Nuk ka siguri teknike, nuk ka komoditet, nuk ka kushte për të udhëtuar 1100 km”, shtoi përfaqësuesi i “Butrinti Travel”.

Ai ngriti edhe shqetësimin e biletave, për të cilat shoqëria paguan, ndërsa furgonat jo. Gjithashtu një problem tjetër është që autobusët janë të detyruar të kenë një listë me pasagjerët dhe të dhënat e autobusit për të kaluar në skaner, çka i detyron të qëndrojnë për rreth 2 orë në doganë. Nga ana tjetër furgonat kalojnë menjëherë, pasi nuk kanë asnjë dokument për të kontrolluar.

Shpëtim Ahmetaj rrëfeu se ka qëndruar disa netë në doganë për të investiguar informalitetin në transportin ndërkombëtar të udhëtarëve. Ai ka mbajtur shënim të gjitha targat e shkelësve që kanë kaluar doganën e Qafë Botës dhe Kakavijës të pashqetësuar.

Këtë fenomen e ndoqi nga afër edhe gazetari i emisionit “Stop”, i cili për një orë që qëndroi në doganë evidentoi 8 furgona që vijuan rrugën pa asnjë problem.

Duke marrë shkasë nga kjo, ai iu drejtua Ministrisë së Transportit për të pyetur nëse është në dijeni të kësaj shkeljeje.

Specialisti i monitorimit të transportit rrugor, Nikolin Bërxhuku u shpreh se janë informuar nga shoqatat për këtë fenomen dhe se këto mjete të palicencuara kryejnë vepër penale sepse po fshehin të ardhurat.

“Legjislacioni detyron të gjithë personat që janë të interesuar për këtë aktivitet të marrin licencën përkatëse. Ata që nuk kanë licencë duhet të penalizohen. Ne jemi në kontakt me organet e specializuara të kontrollit ligjzbatues, siç është policia me të gjithe seksionet e saj”, tha specialisti.

Ai gjithashtu shtoi se të gjitha organet kompetente duhet të krijojnë një bashkëpunim të ngushtë për t’i evidentuar e më pas për t’i penalizuar rastet e informalitetit.

Ndërsa Policia Kufitare dhe Migracionit dhe Komisariati i Policisë Sarandë, nëpërmjet përgjigjeve zyrtare thanë se janë angazhuar për të luftuar këtë fenomen, por pa përmendur asnjë masë konkrete për rastet e dokumentuara. /tvklan

 

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas