ShowBiz

Video/ Filmi i fundit ‘Mission Impossible: Fallout’

Filmi i fundit aksion i Tom Cruise-it, “Mission: Impossible FALLOUT”, tregon historinë e Ethan HUnt, një agjent zbulimi i guximshëm në një mision të pamundur për të shpëtuar botën.

Penelope Poulou e Zërit të Amerikës bisedoi me aktorin e famshëm, së bashku me aktorë të tjerë të filmit, në lidhje me pamjet mbresëlënëse dhe skenat e aksionit të filmit, që tërheqin vëmendjen e shikuesve për gati tre orë.



Me kanosjen e shkatërrimit bërthamor, Ethan Hunt, një agjent i një agjencie të trilluar zbulimi, “Impossible Mission Force” ose IMF, bashkohet me agjentë të tjerë, Benji dhe Luther, role të luajtur nga Simon Pegg dhe Ving Rhames, për të gjetur tre bomba bërthamore të vjedhura.

Në film, pjesë e operacionit është gjithashtu CIA.

Roli i August Walker, që supozohet të jetë vrasës i CIA-s, luhet nga Henry Cavill.

Ndërsa Rebecca Ferguson është në rolin e agjentes Ilsa Faust.

“Në film ka role të mrekullueshme për gratë, ato janë role kuptimplotë dhe ky është shembull i barazisë gjinore”, thotë ajo.

Të njëjtin mendim ka edhe aktorja e emëruar për çmim Oscar, Angela Bassett, e cili interpreton në rolin e Erica Sloane, zëvendësdrejtore e CIA-s.

“Unë mendoj se karakteri im sjell në film dinjitetin, mistikën, forcën dhe integritetin e saj”- thotë ajo.

Nga Evropa në Indi, filmi pothuajse tre-orësh i mbushur me aksion ofron një histori interestante me aktorë të talentuar, por arma e fshehtë është Tom Cruise, i cili i interpreton vetë skenat e aksionit – duke u hedhur me parashutë 27 mijë metra mbi tokë nga një avion që fluturon 167 milje në orë, mbi një helikopter që ai vetë piloton.

“Të dy skenat janë shumë intensive. Bëra trajnim një vit e gjysmë për pjesën me helikopterin, dhe jam stërvitur me pilotë helikopterësh aerobatike; jam trajnuar edhe me aeroplanë. Por aeroplanët janë shumë të ndryshëm nga helikopterët. Për pjesën e skydiving, u deshën 106 hedhje për të filmuar skenën e duhur.

Kishim planifikuar të ishim atje për një javë dhe përfunduam duke ndenjur gati një muaj, duke u përpjekur për të filmuar skenën e duhur. Ishte më e vështirë sesa e parashikoja dhe ishte shumë emocionuese”,- thotë Tom Cruise.

“Kam realizuar disa nga skenat e aksionit, por asgjë nuk krahasohet me atë që bën ai” thotë aktorja Rebecca Ferguson.

Rebecca Ferguson tregon reagimin e saj kur e pa aktorin Cruise mbi një helikopter mbi majat e maleve të Zelandës së Re.

“Dikush po thërriste dhe ne pamë lart. Çdo gjë është larg, por shohim që Tomi bie nga helikopteri. Ai po merrej me skenën e helikopterit, por ne nuk dinim gjë dhe unë bërtita. Isha e tmerruar, derisa dëgjova dikë që tha: “shumë bukur!” Kur e kuptova, psherëtiva dhe thashë: Ah qenka pjesë e filmit”, thotë ajo.

Por, për sa kohë do të vazhdojë?

“Ne nuk do i kishim patur filmat pa këto skena, por natyrisht ndihemi të tensionuar çdo herë që ai realizon një prej tyre dhe jemi të pranishëm për ndihmë”, thotë producenti Jake Myers.

Regjisori Christopher McQuarrie e vlerëson shumë këtë punë.

“Kur e sheh se çfarë ka ndodhur në këtë film: Tom Cruise theu kyçin e këmbës kur ai po realizonte një nga skenat më të thjeshta të aksionit. Por, në fakt, të gjitha janë të vështira. Kur merresh pastaj me helikopterë dhe hedhje nga një aeroplan 27 mijë metra mbi tokë, kjo është stresuese”, thotë ai.

Por, filmi është një sukses. Kritikët po e quajnë “Mission: Impossible FALLOUT” një nga filmat me aksion më të mirë të këtij viti./VOA/

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas