Kryesore, Media

Video/ Dashuria e motrës për të vëllain: Dua të studioj psikologji që të ndihmoj Lorencon

Megjithëse duke qenë dhe vetë një fëmijë, Xhena nuk ka kursyer asgjë për të zhvilluar aftësitë e vëllait të vogël autik që të flasë e të shkojë në shkollë si të gjithë bashkëmoshatarët e tij. Pas 14 vitesh përpjekjet e saj janë shpërblyer më së miri, duke i dhuruar një burse studimi për psikologji.



Edlira ftoi të bijën tek emisioni “E diela shqiptare” në TV Klan për t’i dhënë një mesazh tek rubrika “Ka një mesazh për ty”. Që prej diagnostikimit të Lorencos me autizëm, kur ai ishte vetëm 18 muajsh e deri më tani, jeta e familjes ka ndryshuar krejtësisht.

E gjithë energjia e prindërve është përqëndruar tek ai, duke lënë padashur pas dore Xhenën, e cila pas pak muajsh duhet të vazhdojë universitetin. Duke u ndier në faj që nuk ka mundur t’i plotësojë dëshirat si fëmijë e adoleshente të bijës, Edlira kishte dhe një shqetësim tjetër, se mos i kishte imponuar të bijës shumë zgjedhje në jetë, përfshirë dhe dëshirën për të studiuar psikologji që në të ardhmen të kujdeset për vëllain e saj.

Ky merak i nënës buronte pikërisht nga disa shenja “rebelizmi” të Xhenës kohët e fundit, që sipas Edlirës janë krijuar nga fryma e të afërmve të familjes, të cilët kërkonin që ajo të pranonte realitetin e të dorëzohej.

Sipas tyre, Lorenco thjesht duhej të ushqehej sepse për të tjerat nuk mund të bëhej asgjë. Këto fjalë e kjo frymë e ka lënduar e lodhur më shumë Edlirën dhe bashkëshortin e saj, më shumë sesa përkushtimi 14-vjeçar për të birin autik.

Si shumica e fëmijëve edhe ai kishte ardhur në jetë si fryt i dashurisë.  Për Edlirën, lindja e Lorencos ka qenë një gëzim akoma më i madh, duke qenë se nuk ka pasur kurrë një vëlla dhe fëmijën e parë e kishte vajzë.

Kur ishte vetëm 18 muajsh ajo e kuptoi se diçka nuk shkonte me të birin, që nga mënyra sesi ngjiste shkallët. Pas vizitave dhe konsultimeve të vazhdueshme u përball me termin “autizëm”, që për të ishte i panjohur.

Nëna e kujton me dhimbje momentin e parë kur ka testuar aftësinë e djalit për të reaguar e për të kuptuar më shumë se cila do jetë pak a shumë e ardhmja e tij.

“Atë ditë nuk kam për ta harruar kurrë se e mora nga Qendra e Zhvillimit në Kombinat dhe deri tek “Zogu i Zi” në këmbë. Binte dhe një shi atë ditë dhe mendo, si mundet një fëmijë që mos të të dalë një herë përpara e të të kërkojë që ta marrësh në krahë se është lodhur? Kjo do të thotë shumë. Ai nuk bëri as lëvizjen më të vogël, ashtu siç e tërhiqja unë në shi… Nuk e kuptoja se çfarë po bëja, por në logjikën time doja të dija se çfarë është autizmi. Vetëm kjo më shtynte. Aty ndalova dhe i thirra mendjes se çfarë po bëj. Shoh Lorencon qull, vetë qull. E mora në krahë dhe më dha shumë për të kuptuar”, rrëfeu ajo e emocionuar.

Pasi bëri këtë “test” të vështirë, Edlira u përpoq të gjente informacion me sa kishte mundësi se si mund të trajtohej një fëmijë me autizëm. Për t’i ardhur në ndihmë maksimalisht, ajo shiti shtëpinë dhe çdo kursim i familjes shkonte për terapinë e Lorencos. Kjo përpjekje titanike e nënës dukej si një luftë me mullinjtë e erës për rrethin familjar, të cilët e kishin të lehtë të logjikonin nga pozitat e tyre e t’i sugjeronin Edlirës zgjidhje të thjeshta.

“Ky qe fati, lëre. E rëndësishme është ta lash e ta shpëlash, mos t’i ngeli gjë mangët e të vazhdojë jetën. Dikush më thoshte që s’ke për t’ia dëgjuar zërin kurrë. Vazhdova me kokën time aq sa në fund jam hasur me presionin: në shtëpinë tonë mos trokit kurrë. Dihej që kostoja ishte shumë e lartë për këtë fëmijë. Por unë i kisha vënë një qëllim vetes. O do i’a dëgjoja zërin ose do vdesim të dy. Njerëzit e afërm më kthyen shpinën 100% dhe këtë luftë duhej ta përballoja e vetme. Burri duhej të mbante punën. Kishim dhe një vajzë që nuk kujdesej njeri për të hante apo nuk hante”, u shpreh Edlira.

Pikërisht për fjalët që thonin të afërmit, Edlira tha që ata kanë krijuar të çara të forta në familje. Për vite të tëra nuk ka folur me njerëzit e familjes sepse ata nuk e konceptonin faktin që ajo të shiste gjithçka për një fëmijë që sipas tyre “as nuk do i dëgjohej zëri ndonjëherë”.

Por sot ajo tha se është e lumtur sepse jo vetëm që ka arritur t’ia dëgjojë zërin, por ta çojë edhe në shkollë. E gjithë kjo sakrificë ka rënduar mbi Xhenën, e cila është rritur vetë, jo si një fëmijë që llastohet e përkëdhelet nga prindërit, por përkundrazi duke qenë një dorë e fortë ndihmese.

Edlira e pranoi se falë ndihmës së Xhenës, vëllai i saj sot është ai që askush nuk priste të ishte sepse ajo nuk është lodhur kurrë duke u kujdesur e duke e mësuar të jetë social.

Pasi kaluan disa vite, Edlira vendosi “paqe” me të afërmit e saj, pikërisht që fëmijët të mos ndiheshin vetëm. Që nga ajo kohë është rritur një tjetër shqetësim. Të afërmit e kanë “fryrë” Xhenën me idenë se e ëma kontrollon jetën e saj përtej limiteve. Kjo është vënë re edhe në zgjedhjen e degës së psikologjisë si preferencë studimesh për të ardhmen. Ka patur nga ata të cilët kanë hamendësuar se kjo ka qenë zgjedhje e nënës për të bijën që në të ardhmen Lorenco të ketë një “kujdestare”.

Kjo e ka vrarë shumë Edlirën sepse siç thotë ajo, psikologjia është zgjedhje personale e Xhenës dhe jo nxitje nga ana e saj. Duke qenë adoleshente, ajo mund të jetë “rebeluar” ndonjëherë ndaj të ëmës dhe kjo është përkthyer nga Edlira si një shenjë refuzimi nga vajza. Ky ka qenë meraku i saj që e ka sjellë deri në studion e “Ka një mesazh për ty” që t’i japë përgjigje publikisht edhe atyre që fusin hundët në marrëdhënien nënë e bijë.

Përgjigjen më të mirë e ka dhënë Xhena e cila me sytë e përlotur është shprehur: “Dua të studioj psikologji që t’i jap shtysë një personi që e dua shumë. Kam vëllain me autizëm”.

Pasi i kërkoi falje për të gjithë ato gjëra që nuk ka mundur t’i ofrojë gjatë jetës dhe pasi mori përgjigje për pyetjen që e shqetësonte, nënë e bijë janë përqafuar mes lotësh pa e ditur se i priste një surprizë.

Të gjithë këtë histori prekëse po e ndiqte nga regjia Arbi Agalliu, administratori i Universitetit Europian të Tiranës, i cili po ashtu i emocionuar i ka dhënë lajmin e mirë Xhenës se asaj i është ofruar një bursë e plotë studimi falas për psikologji si dhe 25 mijë lekë në muaj për gjithë vitet e studimeve.  Universiteti ka marrë përsipër dhe punësimin në profesionin e saj pas studimeve, duke e çuar ëndrrën e Xhenës drejt realizimit përfundimtar.

Këto janë ato gjërat e “vogla” që bëhen me dashuri të madhe. Xhena fitoi një bursë studimi për psikologji jo vetëm për të qenë e dobishme për vëllain e saj Lorencon, por edhe për shoqërinë. Tashmë edhe Edlira është më e qetë sepse një prind i mirë sakrifikon dhe orienton fëmijën drejt vlerave më sublime./tvklan.al

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas