Aktualitet

Vetingu: Ankimohet vendimi për Alma Bratin, hetimi nuk ishte i plotë

Më shumë se një muaj më parë, gjyqtarja e Tiranës, Alma Brati i shpëtoi rrjetës së vetingut.

Por nuk është i këtij mendimi Komisioneri Publik, që ka ankimuar vendimin me arsyetimin se hetimi nuk është i plotë.



Njoftimi 

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 32, datë 5.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Alma Brati, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, kandidate për anëtare e Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Në vlerësimin e Komisionerit Publik, në rastin konkret, hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nuk është i plotë. Për rrjedhojë, faktet dhe provat e administruara në përfundim të këtij hetimi administrativ janë të pamjaftueshme për të mbështetur vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, referuar pikës 1, të nenit 59, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Bazuar në përmbajtjen e pikës 3, të nenit F, të aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Komisioneri Publik nëpërmjet këtij ankimi kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit që këto mangësi të hetimit administrativ të kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit të mund të riparohen nga Kolegji gjatë shqyrtimit të çështjes në seancë gjyqësore.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: www.ikp.al

Komisionerët Publikë kanë ushtruar ankim për gjashtë (6) vendime të KPK-së. Pesë (5) prej tyre ex officio dhe për një ankim, në rastin e subjektit të rivlerësimit, z. Bashkim Dedja, Komisionerët Publikë kanë pasur edhe rekomandim nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM).

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas