Kryesore

Veting për Arben Dollapaj, çfarë thotë KPK për prokurorin që u “përplas” me Llallën

Prokurori Arben Dollapaj ka dalë sot para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për të kaluar procesin e vlerësimit.

Ai është pjesë e listës prioritare për shkak të funksionit si prokuror i Apelit në Shkodër dhe kandidimit të tij për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.



Hetimi administrativ për prokurorin Dollapaj është kryer nga trupi gjykues i kryesuar nga Lulzim Hamitaj dhe me anëtarë Brunilda Bekteshi dhe Olsi Komici.

Sipas raportit të ILDKPKI-së, të çuar për KPK-në, ky prokuror ka pasuri të justifikuar dhe s’ka fshehje të pasurisë. Edhe nga hetimi i thelluar, Arben Dollapaj rezulton me pasuri të justifikuara.

Sipas KPK-së, Dollapaj ka një apartament me sipërfaqe 76 metra katrorë në Bajram Curri; një shtëpi banimi me sipërfaqe 113 m2 në “Selitë të Vogël” në kryeqytet me vlerë 9 milionë lekë; si dhe një shtëpi banimi në Valbonë të Tropojës, ku nuk kanë përfunduar ende punimet.

Për shtëpinë në kryeqytet, të blerë në vitin 2011, si burim financiar janë kursimet personale, ndërkohë që ka marrë edhe një hua nga kunati prej 25 mijë dollarësh.

Në përfundim të hetimit, KPK-ja thekson se nga deklarimet e provat e vëna nga subjekti gjithçka rezulton korrekte, përfshi një leje legalizimi për shtesë kati prej 123 metrash katrorë në shtëpinë e blerë në vitin 2011, pasi konfirmohen edhe nga zyra e legalizimit.

Edhe raporti mbi pastërtinë e figurës, i ofruar nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar rezulton pozitiv për prokurorin e Apelit të Shkodrës. “Ka kryer me ndershmëri detyrën dhe me etikë të lartë profesionale, ka ruajtur të pastër figurën profesionale”, rezulton sa i përket vlerësimit të aftësive profesionale të Dollapajt.

PROKURORI ARBEN DOLLAPAJ
Prokurori Arben Dollapaj ka një karrierë të gjatë në organin e akuzës në Shqipëri. Ai e ka filluar karrierën në vitin 1993. Në vitin 2003, ai ka qenë prokuror në Durrës, ndërsa në vitet 2004-2008 ka shërbyer si prokuror i Prokurorisë së Rrethit Tiranë. Në vitet 2008-2016, Dollapaj ka shërbyer në Prokurorinë e Përgjithshme, ku ka mbajtur funksionet e drejtorit të Inspektimit dhe Burimeve Njerëzore si dhe drejtorit të Drejtorisë Gjyqësore dhe Ekzekutimit të Vendimeve Penale.

Në vitin 2016, Dollapaj u transferua në Prokurorinë e Apelit të Shkodrës pas një përplasjeje publike me ish-kreun e Prokurorisë së Përgjithshme, Adriatik Llalla. Ai e cilësoi këtë vendim si “hakmarrje” dhe ngriti padi në Gjykatën Administrative të Apelit duke kërkuar shfuqizimin e dekretit të Presidentit të Republikës dhe të vendimit të Prokurorit të Përgjithshëm si dhe rikthimin e tij në vendin e mëparshëm të punës në Prokurorinë e Përgjithshme.

Paralelisht me detyrën si prokuror, Arben Dollapaj ka qenë edhe anëtar i Këshillit të Prokurorisë si dhe ekspert trajnues në Shkollën e Magjistraturës.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas