Mapo Letrare

Vera Bekteshi, rikthim në vilën ku u “ekzekutuan” anëtarët e Byrosë Politike

Shkrimtarja Vera Bekteshi, vajza e gjeneral Sadik Bekteshit, që u dënua nga Enver Hoxha, është rikthyer në ish-vilën ku familja Bekteshi kaloi një periudhë të gjatë të jetës para “goditjes” që do t’u bënte Hoxha. Bekteshi promovoi librin autobiografik “Vila me tri porta”, botimet Mapo Edition, pikërisht në vilën ku kanë ndodhur pjesa më e madhe e historive të treguara në këtë libër.
Ka qenë një zgjedhje e Bekteshit për t’u rikthyer në këtë hapësirë, jo si një hakmarrje, por si një moment reflektimi mbi të shkuarën.
“Unë zgjodha ta bëj promovimin në këtë vend, jo për hakmarrje, por për mirënjohje. Kjo shtëpi më ka dhënë shumë dashuri nga gjyshet, shumë lojëra me fqinjët, shumë siguri, në kundërshtim me Bllokun, që në tërësi të frikësonte, sikurse çdo kështjellë ‘shekspiriane’. Këtë vilë e kam ndjerë gjithmonë shtëpinë time. Prandaj e zgjodha këtë vend”, shprehet Bekteshi.
Dikur kjo vilë, që sot është kthyer në një lokal, në katin e parë banohej nga anëtarët e Byrosë Politike dhe që shumicën e të cilëve diktatori i shkoi në plumb.
Libri autobiografik i Bekteshit sjell një rrëfim tronditës mbi fatin e një gruaje në Shqipërinë komuniste. Është i mbushur me personazhe realë që kanë pasur një rol në jetën politike dhe shoqërore të vendit. Autorja e ka rishkruar librin për t’i shtuar atij ngjarje autentike më të plota.
Por ajo çfarë e bën interesant këtë rrëfim, është fakti se historia nis nga zemra e diktaturës siç ishte Blloku i udhëheqjes komuniste ku familja Bekteshi jetoi për një kohë të gjatë, për të vijuar më pas me përshkrimet rrëqethëse të internimi. Ky nuk është vetëm një libër për të shkuarën komuniste, por është një libër për jetën, një rrëfim kolorit në të cilin Bekteshi tregon se si njeriu mund të mbetet i bukur dhe plot dëshirë për jetën dhe pse është përshkruar nga vuajtje të mëdha.
Ky libër e shndërron kujtesën në letërsi, flet në gjuhën e shpresës, të bukurës dhe dashurisë, të cilat janë të vetmet mënyra për të kaluar përmes ferrit dhe për ruajtur parajsën brenda shpirtit human.
Shkrimtarja e njohur Mimoza Ahmeti vlerësoi “Vila me tri porta” si një rrëfim unik me mesazhe të forta.
“Vera Bekteshi ka jetuar në zemër të konfliktit. Ajo vetë në gjithë këtë histori ishte një krijesë e pastër, e pafajshme, e bukur dhe me besim që këto ide, këto besime, këto semantika që prodhonte sistemi diku do ta çonin. Prindërit me të cilët ka jetuar prej vitesh, edhe ata e ndjenin që ishte një tension i paparë, një stres i paparë, një diçka që s’dinte nga vinte. Ndryshe nga të tjerët, megjithëse kaloi në internim, Vera nuk e ka shkruar këtë libër për të çuar gjërat në vend apo për të treguar që unë dhe familja ime ishim të tillë dhe të tjerët ishin ata që ishin. Ajo nuk ndalet në këtë element, përkundrazi zbret në rrënjët e jetës që njeriu kudo që është, kudo që ndodhet, me çfarëdolloj shtresash që ta sjelli fati të rrokë duhet të sillet si njeri të pranojë dhe të ndajë. Ky libër këtu e ka mrekullinë, sepse pranon dhe ndan. Pavarësisht nga persekutimi dhe diskriminimi social. Aspektet e këtij konflikti që përbën zemrën e këtij libri, aspektin se si u ndërtua shoqëri kaq e dhunshme, se si pasoi kaq vjet në një tranzicion që kemi shumë probleme për të zgjidhur sidomos në etikën ndaj njëri-tjetrit dhe në mënyrën se si e perceptojmë botën dhe si e zgjidh një shkrimtar. Kjo është një temë që s’e zgjidh dot as një kritik dhe as një gjeni që me ‘çajnikun’ e ideve të veta do mbushi mendjet e njerëzve. Zgjidhja vjen si një mbushje, si një ngopje e gjithë komunitetit tonë për të kuptuar, për të pranuar tjetrin. Mbushja e shpirtit tonë me dashuri, futja nëpër kultura të tjera”, është shprehur Mimoza Ahmeti.
Ahmeti u shpreh se mënyra se si autorja ka zgjedhur të përcjellë këto mesazhe është për t’u vlerësuar: “Falënderoj shumë Vera Bekteshin si femër, si grua, si njeri që ka përjetuar dhe di të tregojë pa ngjallur dhunë por duke ngjallur dashuri dhe mirëkuptim midis shpirtit tonë të përbashkët, në gjuhën tonë të përbashkët dhe në atë që është fati ynë i përbashkët”.
Në promovim ishin të pranishëm edhe një pjesë e personazheve realë të cilët Vera Bekteshi i ka përshirë në rrëfimin për jetën e saj. Mbesa, e cila është një frymëzim për të, miq dhe bashkudhëtarë të jetës, ndanë kujtimet e tyre për kohën që shkoi si dhe vlerësimin për këtë libër “gurë shënjues” në mënyrën se si ne do ta përshkruajmë ose do ta njohim shekullin e kaluar në kontekstin e vetë.
“Romani ‘Vila me tre Porta’ trajton kryesisht përballjen e individit me diktaturën, se është një çnjerëzitje dhe krejtësisht ndryshe thuajse e papërballueshme të jesh i shënjestruar. Gjatë faqeve të librit lexuesi mëson ashtu siç kanë mësuar personazhet e librit gjatë rrugëtimit të tyre në izolim të plotë, se një nga sekretet e qëndresës është të përballosh goditjen e pare. Pastaj gjatë rrugës kalitesh dhe mëson si të bëhesh i pathyeshëm. Tregon se edhe një tjetër sekret i kësaj mbijetese është uniteti dhe sakrifica në familje, që në momenti presioni mund të lëkundet dhe sjell dëme të mëdha. Tregohet se mund të jetosh kudo nëse e do jetën, se mund të qeshësh më shumë se të qash, se njehsimi me natyrën të jep një kënaqësi më të madhe se xhiroja në bulevardin e Tiranës. Tregon se libri të bëhet një shok aq i mirë, saqë mund të përballosh mungesën e gjatë të të dashurve dhe miqve. Tregohet si të bashkëjetosh me të tjerë të dënuar si ti, dhe kur kjo gjë shpesh bëhet e pa përballueshme, sepse nuk është aq e lehtë të jetosh në komunitete ku dyshimi të bren. Tregohet se edhe midis njerëzve të thjesht mund të hasësh talente dhe njerëz me vlera të rralla, me humor të jashtëzakonshëm, me gjithë varfërinë e plotë dhe larg jetës së kulturuar. Ky libër mbase tregon një farë historie si plaku dhe deti, që është historia e njerëzimit me ndryshimin se përbindëshi diktaturë, është më pashpirt se forcat e errëta të natyrës, të cilat nuk e mundën dot plakun Santiago. Ashtu sikur se arrin të kesh një fitore të madhe morale për diktaturën, duke mos u mposhtur prej saj, duke mos rënë në greminën ku ajo të shtyn”.



PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas