Kryesore, Mapo Format

Vera Bekteshi flet për Mapon: Këtu nuk është dënuar diktatori,nuk mund të presim që një ‘spiun i vogël’ të kërkojë falje

Pas botimit të “UET Press” të librit “Zëra nga Errësira” të Eni Vasilit, që sjell dëshmitë rrëqethëse të personazheve që vuajtën në burgje dhe internime, hapet debati i madh mbi të vërtetat e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe personazheve që fshihen nga pas. E internuar për 16 vjet, shkrimtarja Vera Bekteshi që krahas babait në burg përballej me damkën e “bijës së armikut”, ka një qasje të qartë për hapjen e dosjeve të komunizmit, që edhe pse mjaft vonë për të vlen ndjesa publike që duhet të kërkojnë persekutorët, por më parë duhet të njihen se cilët janë

Jemi 28 vjet që nga përmbysja e sistemit komunist, por ka vetëm pak që ka nisur hapja e dosjeve, ndonëse me ritëm të ngadaltë. Po tani a mund ta përballojmë të vërtetën?



Hapja e dosjeve ka qenë një proces i domosdoshëm dhe me gjithë vonesën dhe gjymtimin e tyre, sipas meje, ende ka vlerë. Ne ish-të dënuarit politikë mund të gjendemi përpara të papriturave të hidhura, por duhet të jemi të përgatitur për këtë, është një sfide e re për ne, sepse tashmë s’jemi të rinj dhe pas kthimit në vitin 1991, na u desh të bënim një përpjekje të madhe për të filluar nga e para. Përveçse një betejë për t’u integruar në profesionet tona, për të gjetur pika të reja referimi etj., na është dashur të bëjmë dhe një betejë ekonomike, sepse po atë vit të gjithë u nisëm në start, ku dikush kishte atlete adidas, ndërsa ne si shumë të tjerë ishim zbathur. Pritëm e pritëm për vite që dikush të merrte përgjegjësinë për krimet e kryera gjatë diktaturës, të dënoheshin kryesorët, të dilnin listat e bashkëpunëtorëve të sigurimit, por s’pamë të bëhej kjo gjë. U bënë disa dënime qesharake të byroistëve, sa për të larë gojën dhe u dhanë po ashtu disa dëmshpërblime për vitet e burgut, asgjë për internimet. Diku nga viti 1993 fare rastësisht falë një të njohure më ranë në dorë deponimet e një shoqeje të fëmijërisë. Ishin të shkruara me shkrimin e saj dhe të fotokopjuara. Tronditja ime qe e madhe. Unë e dija se ajo kish qenë spiune, sepse çuditërisht të gjithë ata kanë një ‘shenjë’ në ballë, mënyra si të bëjnë pyetjen, mënyra si të vështrojnë, mënyra si reagojnë. Gjithsesi nuk e prisja që të ishin shkruar gjëra të pavërteta, gjëra të panevojshme, që asaj nuk i bënin nder dhe as ia kërkonte njeri, ndërsa mua më fusnin në burg e më ndanin nga djali. Kur ajo vinte në internim dhe na takonte, isha shumë e kujdesshme, të gjitha ato që thotë ajo nuk ishin të vërteta. Përse e bëri dhe dha konkluzionin në fund, që “të tre fëmijët e mëdhenj të Sadik Bekteshit janë armiq të betuar të partisë dhe popullit”… Një javë isha në jerm, para aq shumë vitesh, po tani nëse shoh të shkruar gjëra të tilla nga njerëz me të cilët mbase pi edhe kafenë, mund të ndaj edhe hallet, sa e madhe do jetë tronditja, aq më tepër që nuk jam më e re, kam bërë një jetë të lodhshme dhe a ia vlen? Nuk dua të pësoj një zhgënjim të ri. Por një ditë mund të vendos të kërkoj hapjen e dosjes sime: “kurrë mos thuaj kurrë”.

Ndryshe ka ndodhur me vendet e tjera të regjimit komunist. Dosjet u hapën sapo u përmbys pushteti. Pse kjo vonesë në vendin tonë, nga çfarë druhemi që e vërteta të dalë, mos ndoshta një ‘frikë’ hakmarrjeje? 

Mos na krahasoni me Gjermaninë. Ne jemi vite drite larg, nuk kemi emancipimin e tyre, ata mund të jenë më të “ligj”, se historia ka treguar se bënë masakra ndaj të tjerëve, ne nuk i kemi bërë, por ata janë më të emancipuar dhe patën kurajën që t’i hapnin dhe duke u hapur dosjet, spiunët e tyre u përjashtuan që në fillim, si nga jeta politike edhe nga ajo ekonomike. Kjo është hakmarrja më e drejtë, të mos i kishim edhe ne nëpër këmbë duke na bërë moral dhe duke na vjedhur sërish. Kjo gjë te ne nuk erdhi sepse nuk pati vullnet politik, si për dënimet e përgjegjësve kryesorë, ashtu edhe për dosjet. Imagjinoni që diktatori është ende hero i popullit, ende është i padënuar. Persekutorët e të gjitha llojeve, pas viteve 90’ ndihmuan njëri-tjetrin, qoftë edhe për të zhdukur dokumentet që i nxirrnin zbuluar. Ka kaluar 28 vjet nga përmbysja e sistemit dhe është e vërtetë që njerëzit që kanë vuajtur janë të moshuar, të lodhur dhe duan që këto vite të fundit të jetojnë të qetë. Por, në një farë mënyre është detyrë qytetare dhe historike që ne të kërkojmë të vërtetën, një pjesë e të cilës lidhet me hapjen e dosjeve të komunizmit. Sa i përket kërkimit të faljes nga ana e tyre, e kam fjalën për deponuesit, kjo vështirë të ndodhë. E kuptoj fare mirë se presioni i asaj kohe qe i papërballueshëm, por pati edhe njerëz që nuk u thyen. Ata bënë zgjedhjen të shpëtonin veten duke groposur të tjerët dhe nuk mund të pritet që tani të ndryshojnë papritmas. Njeriu nuk ndryshon, me gjithë dëshirën tonë të madhe, kjo është e keqja. Kur këtu nuk është dënuar diktatori, nuk mund të presim që një ‘spiun i vogël’ të kërkojë të falur. Kjo gjë ose bëhet menjëherë ose kurrë. Do t’ju tregoj një histori familjare: Kur u kthyem u vendosëm në ish-shkollën e partisë, na vinin njerëz pa fund për të na takuar pas 16 vitesh. Por një vizitë ishte krejt e veçantë. Një shok i babait edhe ai i sapo kthyer nga burgu, erdhi me lutjen që im atë ta falte, pasi ai e kishte rënduar me një akuzë gjatë gjyqit. I tregoi fjalët e thëna me përpikëri (fjalë që unë i gjeta më pas të zbardhura nga gjyqi i tim eti), dhe më besoni që ishin për ‘konsum’ nuk e rëndonin më tej tim atë. Por edhe për aq, ai erdhi dhe kërkoi falje me përulësi. Ata mbetën miq deri në fund dhe ai vihej në krye të tavolinës në familjen tonë deri sa jetoi. Kërkimi i faljes është shenjë kuraje dhe gjesti fisnik. Ai që bën zgjedhjen të punojë në errësirë, nuk pranon të dalë në dritë.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas