Aktualitet

Vendi në epidemi nga gripi, vdekja e 21-vjeçares nga meningiti

Situata në qytetin e Librazhdit është e qetë nuk ka shpërthim epidemiologjik, ndërkohë që dyshohet se 21-vjeçarja ka vdekur nga meningiti. Kështu ka deklaruar dje në një konferencë të posaçme për shtyp, drejtori i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, i cili ka dhënë detaje në lidhje me situatën epidemiologjike të ditëve të fundit. Pipero ka qetësuar opinionin publik duke rrëzuar hipotezat për një epidemi vdekjeprurëse në Librazhd, ndërsa tha se nuk bëhet fjalë as për një grip misterioz. Për rastin e 21-vjeçares, Blerina Balla, që humbi jetën në spital, Pipero bëri të ditur se po hetohet për të zbardhur shkaqet e vërteta. Në profesionin e mjekut infeksionist, ai tha se në këtë rast ka pasur një infeksion bakterial, meningit, por priten analizat e ekspertëve. “Situata në qytetin e Librazhdit është e qetë, nuk ka shpërthim epidemiologjik. Ka një rast humbje jete të një vajze 21-vjeçare. Është një rast në hetim të mëtejshëm mjekësor në kuptimin e ekzaminimeve laboratorike nga ana e mjekëve që janë marrë dhe janë në proces. Kemi një grup mjekësh specialistë të Institutit të Shëndetit Publik, në të cilët ka dhe mjekë infeksionistë që kanë qenë në spitalin e Librazhdit dhe sot (dje) janë në vatër dhe për shkak të mortit që kishte rënë në fshat për të analizuar situatën. Nga të dhënat paraprake të specialistëve dyshohet për një meningit. Gjithsesi presim konkluzionet e specialistëve për të dhënë rezultate përfundimtare”, – deklaroi Pipero. Lidhur me shqetësimin e shtuar kur edhe dy banorë të tjerë të fshatit Librazhd Qendër, vëlla e motër u shtruan në spital po me të njëjta simptoma, temperaturë, dhe të vjella, Pipero konfirmoi se në këto dy raste bëhet fjalë vetëm për një infeksion të stinës dhe gjendja e tyre është nën kontroll. “Në lidhje me dy rastet e fundit, vëlla dhe motër, po iu deklaroj që sapo kanë dalë nga spitali, vajza ishte me anginë folikulare, bajame të qelbëzuara, është mjekuar dhe shëruar. I vëllai i saj në moshë më të rritur ishte me gastrointerit (bark dhe të vjella), pra janë mjekuar dhe kanë dalë nga spitali, pra nuk kemi raste të reja dhe raste që të kenë lidhje shkakësore me rastin e parë. Ndaj dhe njëherë do t’ju deklaroja se situata në Librazhd është jo vetëm e qetë, por dhe nën  kontroll. Nuk ka vend për panik, nuk ka vend për hamendësime”, – u shpreh drejtori i Politikave. Pasi ka qetësuar qytetarët se në vend s’ka asnjë epidemi, Pipero ka bërë thirrje për kujdes nga virozat gripale, pasi tashmë kemi hyrë në sezonin e gripit. “Dua të kujtoj të gjithë qytetarët se jemi në një situatë virozash të shtuara, çka do të thotë se mendja e qytetarëve, ashtu si ministri Vasili ka përsëritur disa herë, ashtu si mjekët kanë përsëritur, duhet të jetë në gatishmëri për marrjen e masave të zakonshme apo të rëndomta, që me paraqitjen e shenjave të para të ngjashme me gripin, të drejtohen tek mjeku për të marrë këshillat dhe mjekimin e duhur në kohën e duhur. Numri i rasteve, ashtu si dhe Instituti i Shëndetit Publik ka informuar, është mbi 14 mijë në javë, që do të thotë se ne kemi hyrë në sezonin e epidemisë së gripit, ndaj dhe kujdesi i qytetarëve duhet të jetë i shtuar”. Sipas tij, nuk është ende vonë që qytetarët të aplikojnë vaksinën e gripit.



PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas