Aktualitet, Kryesore

Veliaj tur me artistët në kantierin e Arenës Kombëtare. Gaz Paja: CR7 s’do të rrudhë më buzët

Shtëpia e re e Kombëtares shqiptare të futbollit po merr formën e plotë, e pavarësisht debateve që e shoqëruan fillimisht projektin e ndërtimit të saj, stadiumi vlerësohet nga kryebashkiaku Veliaj si një dëshmi konkrete e suksesit të bashkëpunimit me sipërmarrjen, pa shpenzuar asnjë qindarkë nga paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Artistë e aktorë të njohur të skenës shqiptare, si Alfred Trebicka, Armando Bora, Artan Imami, Laert Vasili, Monika Lubonja, Gazmend Paja, etj., iu përgjigjën ftesës së kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili në dëgjesën e fundit për çështjen e Teatrit të ri Kombëtar i ftoi ata të vizitonin kantierin e ndërtimit të stadiumit “Arena Kombëtare”, për të parë nga afër ecurinë e punimeve.



Arkitekti i njohur italian, Marco Casamonti i njohu artistët dhe aktorët me mundësitë e mëdha që ka krijuar ky lloj bashkëpunimi, për realizimin në një kohë të shkurtër të një vepre të tillë moderne për sportdashësit shqiptarë. Ndërkohë, një bashkëpunim i ngjashëm pritet të ndërtojë edhe Teatrin e ri Kombëtar.

Kryebashkiaku Veliaj falënderoi artistët që pranuan ftesën dhe u shpreh se Tirana dhe e gjithë Shqipëria do të ketë një nga stadiumet më moderne në Europë.

“Jam shumë i lumtur, që bashkë me miq aktorë, që kanë qenë pjesë e debatit konstruktiv për Teatrin e ri, patëm sot një vizitë, së bashku me Marco Casamontin, arkitektin e famshëm italian, që jo vetëm ka projektuar, por edhe po e mbikëqyr deri në detaje stadiumin e ri të Tiranës. Është padyshim një stadium nga më modernët sot në Europë, nga rifinitura deri te koncepti bazë. Sot ishte vetëm një tjetër premtim i mbajtur për t’u treguar aktorëve se çfarë potenciali dhe fuqie kemi me Teatrin e ri, që besoj do të jetë kantieri i ardhshëm, pas stadiumit, për Tiranën”, tha ai.

Veliaj nënvizoi mes të tjerash se projekti i stadiumit kombëtar, ashtu si edhe ai i Teatrit të ri janë dy projekte të mëdha, që do të ishin të pamundura të realizoheshin me paratë publike, e mbi të gjitha të përfundoheshin në një kohë të shkurtër.

“Kemi një stadium dhe një projekt gjigant, i papërballueshëm vetëm me kostot e shtetit, qoftë kjo qeveria apo bashkia, me një partneritet privat, ku tashmë privati ka marrë një hotel me 5 yje dhe ka filluar punën, ndërkohë publiku ka marrë një stadium me vlerë 70 milionë euro”, tha kryebashkiaku.

Në fund ai shtoi se kjo vizitë ishte e vlefshme, që të gjitha grupet e interesit të përfshira në debatin për Teatrin e ri të kuptojnë se bëhet fjalë për projekte që buxheti i shtetit i ka të pamundura t’i financojë në një kohë të shkurtër.

I mrekulluar nga vizita në kantierin e stadiumit të ri, aktori i njohur Gazment Paja deklaroi jo pa humor se, tashmë as yjet e futbollit nuk do kenë më arsye për të mos ardhur dhe luajtur në Shqipëri.

“Ishte një guidë fantastike, është i bukur pa përfunduar, imagjino në fund. Ia vlejti që u bëmë me baltë. Unë i lutem kryetarit, që ashtu siç na lejoi sot të shohim ambientet, ta bëjë këtë edhe me njerëz të tjerë që janë të interesuar. Nuk kemi frikë tani se do të rrudhë buzët Ronaldo për kushtet, sepse i ka të gjitha: vetëm eja, se u ngelet detyrë çunave tani që të na zbardhin faqen”, tha Paja.

 

<
>
Veliaj gjate inspektimit te stadiumit Arena Kombetare me artistet (1) Veliaj gjate inspektimit te stadiumit Arena Kombetare me artistet (2) Veliaj gjate inspektimit te stadiumit Arena Kombetare me artistet (3) Veliaj gjate inspektimit te stadiumit Arena Kombetare me artistet (4) Veliaj gjate inspektimit te stadiumit Arena Kombetare me artistet (5) Veliaj gjate inspektimit te stadiumit Arena Kombetare me artistet (6) Veliaj gjate inspektimit te stadiumit Arena Kombetare me artistet (7) Veliaj gjate inspektimit te stadiumit Arena Kombetare me artistet (8) Veliaj gjate inspektimit te stadiumit Arena Kombetare me artistet (9)
PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas