Aktualitet

Veliaj: Shkolla ‘Kosova’ do të hapet për vitin e ri shkollor, fund mësimit me dy turne

Këto ditë të nxehta gushti, Parku i Liqenit Artificial është shndërruar në një kamp të madh veror për fëmijët, të cilët marrin pjesë çdo ditë në aktivitete të ndryshme sportive, edukative dhe kulturore.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj iu bashkua fëmijëve pjesëmarrës dhe tha se kampi veror është kthyer në një traditë. “Këto dy muaj kemi krijuar një traditë shumë të bukur me kampin. Jo të gjithë fëmijët kanë mundësi të shkojnë në plazh apo të bëjnë pushime, ndaj i sollëm këtu në mes të Tiranës”, tha Veliaj.



Në kampin veror ai takoi edhe një mik të hershëm, Elidonin, djalin rom që pesë vite më parë, kur sapo kishte marrë detyrën e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, e shoqëroi në spital për të mjekuar këmbën. Tani Elidoni është rritur dhe ka nisur shkollën.

Veliaj dha lajmin e mirë se këtë shtator shkolla 9-vjeçare e rindërtuar “Kosova” do të jetë gati për të mirëpritur fëmijët e Njësisë 2 në kryeqytet, duke sjellë edhe eliminimin e mësimit me dy turne për institucionet e tjera arsimore të kësaj njësie. “Do të bëjmë disa gjëra fantastike për fëmijët këtë vit. Së pari, do të hapet shkolla “Kosova” tek Njësia 2, një shkollë e re fantastike. Për të gjithë fëmijët e Njësisë 2, të zonës së Saukut, të Rr. së “Elbasanit”, të Shkollës “Labinoti” dhe Liceut, ku për shkak të mungesës së një shkolle të re bënin mësim me dy turne, do të kalojnë me një turn sepse hapja e shkollës “Kosova”, tani jo 4 vjeçare, por 9 vjeçare, do të akomodojë shumë fëmijë”, tha ai, teksa shtoi se një vëmendje e posaçme i është kushtuar edhe nxitjes së të rinjve për t’u marrë me aktivitete sportive duke hapur 62 palestra.

“Kemi hapur 62 palestra në Tiranë. Kur të fillojë shkolla dua t’i frekuentoni edhe pas mësimit. Rëndësi ka që të mësojmë të luajmë në skuadër, të respektojmë njëri-tjetrin, të mësojmë se ne vetë, pa njeri-tjetrin, nuk i bëjmë dot gjërat e mëdha që ëndërrojmë dhe mbi të gjitha të kuptojmë që kur fitojmë, duhet të fitojmë me shumë përulësi dhe duhet t’i japim dorën kundërshtarit. Ama, duhet të mësojmë edhe si të humbasim. Ndonjëherë, kur shikoni të mëdhenjtë që merren me politikë etj. në Shqipëri, kur fitojnë sikur çfarë kanë fituar dhe i fyejnë të tjerët; kur humbasin tragjedi e madhe, thonë: “Të digjet gjithë bota, se ne humbëm”. Ndaj, është shumë e rëndësishme që të mësojmë si të fitojmë dhe të humbasim”, deklaroi Veliaj.

Ai nënvizoi se puna do të vijojë edhe për përmirësimin e kushteve dhe të shërbimit në kopshtet dhe çerdhet e kryeqytetit. Veliaj deklaroi se Bashkia do të vazhdojë në të gjithë kopshtet e Tiranës me një menu të re, si një mënyrë fantastike për të përgatitur që në moshë të vogël edukatën e të ushqyerit shëndetshëm.

Ngritja e kampeve verore për fëmijët që vijnë nga familjet në nevojë është kthyer tashmë në një traditë për Bashkinë e Tiranës, e cila u jep të gjithë vogëlushëve një mundësi. Fëmijët kanë mundësi që të njihen edhe me botën e biçikletave Mobike, të cilat stacionohen pranë kampit për të pedaluar në rrugët e reja të biçikletave në Park.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas