Aktualitet

Veliaj letër për nxënësit e Tiranës: Së shpejti ndërtojmë 17 shkolla të reja

Sot nxënësit e shkollave të Tiranës kanë marrë edhe një letër frymezuese e me keshilla nga kryebashkiaku Erion Veliaj, përmes së cilës ai u uron suksese për vitin e shkollor. Në fjalet e shkruara plot emocion per nxënësit, Veliaj thote se çdo vit i ri është një mundësi për t’i treguar vetes, familjarëve e miqve se me dëshirë e vullnet mund të kalojë çdo sfidë.
“Urime për vitin e ri shkollor, ty dhe 70,000 shokëve e shoqeve, të cilët sot kanë nisur ditën e parë të shkollës në Tiranë. E mbaj mend shumë mirë emocionin e ditës së parë të shkollës, padurimin dhe gëzimin. Çdo vit i ri është një mundësi për t’i treguar vetes, familjarëve e miqve se me dëshirë e vullnet mund të kaloni çdo sfidë. Por, mos harroni asnjëherë se edukimi i zemrës është po aq i rëndësishëm sa edhe mprehtësimi i mendjes. Ndaj, çdo sfidë e arritje ndajeni me shokët, mësuesit e familjarët. Në skuadër çdo sfidë zgjidhet më lehtë dhe çdo fitore është më e bukur”, shkruan Veliaj.
Kreu i Bashkisë së Tiranës nënvizon se shumë nxenes kanë fatin qe këtë vit ta nisin ditën e parë në mjedise krejtësisht të reja, ndërsa jep lajmin e mirë se shumë shpejt Tiranës do t’i shtohen edhe 17 shkolla të reja, duke sjellë kushte më të mira e të përshtatshme për edukimin e tyre. “Teksa, shumë prej jush do të kenë fatin të nisin ditën e parë në mjedise të reja e moderne, si ato të shkollës “Kosova” që hapet këtë vit, shkollës “Ardian Klosi”, “Betim Muço” dhe “Hasan Tahsin” apo në shkolla me ambiente të rikonstruktuara, si “Dora d’Istria”, “Dëshmorët e Lirisë”, “Isa Boletini” e “Ismail Qemali”, nëpërmjet kësaj letre doja t’ju kërkoja ndjesë të gjithëve ju, të cilët do të duhet të prisni edhe fare pak kohë, derisa të vijojmë me ndërtimin e 17 shkollave të reja në vitet e ardhshme, për të siguruar kushte më të mira e të përshtatshme për edukimin tuaj. Nuk do neglizhoj asnjë minutë këtë vit, gjersa shkollat e reja me arkitekturë moderne e kushte optimale të jenë vënë në vijë”, shkruan Veliaj, teksa i fton ata që të japin sugjerimet e mendimet e tyre se si Tirana mund të bëhet një qytet më miqësor e më i jetueshëm.
“Mësoni të jeni së pari, nxënës të mirë dhe qytetarë të mirë, të jeni garancia për një Tiranë të zhvilluar nesër. Çdo çast në jetë është një mundësi që të njihemi me diçka të re e me vlerë: një libër, një miqësi, një ndihmë në komunitet! Teksa ju mësoni, duam edhe ne të mësojmë prej jush. Mezi pres t’ju takoj shumë prej jush në Bashkinë e Tiranës për sugjerimet e mendimet tuaja, se si mund ta bëjmë më miqësor e më të jetueshëm qytetin, si mund t’i ndërtojmë edhe më mirë këndet e lodrave e fushat sportive, apo se si të mund të mbjellim edhe më shumë pemë këtë vit apo të ndihmojmë më shumë njerëz në nevojë në mensat sociale”, thotë ai.
Në mesazhin drejtuar nxënësve të kryeqytetit, Veliaj i inkurajon ata që pas mësimit të marrin pjesë në aktivitetet e organizuara në hapësirat e shkollave që shërbejnë edhe si qendra komunitare, apo në aktivitetet e shumta kulturore dhe sportive që organizohen në qytet. “Ju inkurajoj që, pas mësimit, të merrni pjesë në aktivitetet e organizuara në hapësirat e shkollave që shërbejnë edhe si qendra komunitare, apo në aktivitetet e shumta kulturore dhe sportive që organizohen në qytet, të cilat do t’ju ndihmojnë të formoni karakterin tuaj, si dhe të mësoni të punoni e krijoni në skuadër. Më e mira për ju dhe qytetin tonë është përpara. Jam shumë krenar për ju dhe mbetem fansi juaj më i madh. Forca dhe suksese të gjithëve”, e mbyll letrën e tij drejtuar nxënësve, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.


PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas