Politika

“Veliaj ka gënjyer qytetarët dhe opinionin, mbi të ashtuquajturën marrëveshje”

Nga Suadela Balliu

Qendra historike e Tiranës, nuk është thjesht qendra e qytetit, por është qendra e të gjithë botës shqiptare.  Gjergj Bojaxhi, si  qytetar dhe si përfaqësues i Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore është përfshirë në mënyrë aktive në debatet mbi shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, dhe mendon se godina e teatrit është pjesë identitare e qytetit.



“Kur ke përballë arrogancën e shtetit, mungesën e  Gjykatës Kushtetuese ku të ankohesh e të hedhësh në gjyq procedurat , si qytetarë nuk na mbetet  tjetër veçse ta ruajmë teatrin në mënyrë fizike ndaj kësaj grabitjeje, që po na bëhet.”-thotë Bojaxhi dhe mohon se çështja është teknike, dhe e ka kapërcyer teatrin.

Megjithë shpresën që Presidenti ta rrëzojë ligjin e miratuar nga Parlamenti  të enjten e kaluar, Bojaxhiu –ashtu si edhe i gjithë komuniteti i protestuesve – e di se sido të jetë vendimi i presidentit Meta, ligji do të kalojë sërish në votim nga parlamenti, të cilit i duhen  vetëm 71 vota për ta miratuar.

Ajo që mbetet, përtej lutjeve dhe peticioneve, është  rezistenca qytetare parashikon ai, duke shtuar : “Duhet ta kuptojmë rëndësinë e këtij rasti, që po bëhet më i rëndësishëm përtej teatrit. Nëse nuk i vendosim një kufi  abuzimit të politikanëve me pronën publike do e kemi të vështirë t’i ndalojmë më tej”.

Bojaxhiu vijon më tej duke thënë se hapësira pas godinës së teatrit është pronë e Këshillit Bashkiak dhe jo e kryetarit të Bashkisë dhe Këshilli nuk është mbledhur për të votuar që kjo pronë të bëhet pjesë e koncesionit. “ Qoftë si trashëgimi kulturore dhe qoftë si mandate që  ua kemi ndarë pushteteve politike, qendrore dhe lokale kemi të gjithë të drejtën dhe detyrën qytetare të mbrojmë të drejtat tona,  që po keqpërdoren nga politika.”

Jo  përçarje, por përpjekje për denigrim të artistëve

Anëtarët e Forumit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore janë të një mendimi se Teatri  Kombëtar përpara se të jetë i aktorëve është i publikut, i  qytetarëve e po ashtu i komunitetit të aktorëve dhe regjisorëve, të cilët atë godinë  e kanë edhe vendin ku ushtrojnë profesionin.

Ndarjen e komunitetit të artistëve në dy anë – me ata që janë kundër shembjes së godinës aktuale dhe ata që janë pro ndërtimit të një godine me kushte më të mira –Bojaxhiu  e sheh si të drejtë të kujtdo për të pasur mendime të ndryshme dhe përpjekjet për të denigruar atë pjesë të komunitetit të artistëve që komunikojnë me Bashkinë e Tiranës i sheh si aspak demokratike e tolerante.  “Duhet të vendosim një standard për të ardhmen dhe jo të  tregojmë se kush e ka kokën më të fortë. Nuk përfitojnë qytetarët nga kjo. Sot ai që  ka kokën më të fortë për të mbrojtur teatrin, nesër shkon e shemb diçka tjetër. Si Forum mendojmë që shoqëria duhet të vendosë praktika dhe standarde, sesi do të zhvillohet qendra historike e Tiranës.” –thotë ai, duke shpresuar të ruhet konturi, ose të paktën në raste ndryshimi të mos cenohen objektet me vlerë historike e kulturore.

Ai vijon më tej duke thënë se edhe marrëveshja e kryebashkiakut Veliaj me komunitetin e artistëve nuk është arritur, pasi këta të fundit kanë kërkuar  bërjen e një konkursi ndërkombëtar  për të parë ofertat mbi zhvillimin e kësaj pjese të kryeqytetit dhe një nga kërkesat ka qenë ruajtja e objektit. “Kjo mungon te ligji i miratuar nga Parlamenti dhe z.Veliaj ka  gënjyer qytetarët dhe opinionin publik në lidhje me atë ashtuquajturën marrëveshje.”

Anëtarët e Forumit në debatin në mbrojtje të Teatrit Kombëtar. Gjergj Bojaxhiu në komisionin parlametar të veprimtarive prodhuese.

Forumi i Trashëgimisë Kulturore dhe  ata që hyjnë e dalin

I pyetur nëse anëtarët e forumit ndajnë të njëjtin qëndrim me të, Bojaxhiu shprehet se ky grupim ka qenë konsistent dhe i njëzëri në qëndrimet e mbajtura sa herë ka pasur kritika apo propozime të tyre në lidhje me objekte të trashëgimisë kulturore.

“Përtej individëve që hyjnë dhe dalin në forum, që një moment janë më aktivë  dhe në  një moment tërhiqen, Forumi si institucion , duke mos qenë pronë e asnjë individi, por e një grupimi qytetarësh është konsistent  në qëndresën,  në zërat dhe alternativat që jep në trashëgiminë kulturore.” Sipas Bojaxhiut është zgjedhje individuale e secilit prej anëtarëve të këtij grupimi dhe duke mos i parë me vend kritikat dhe paragjykimet për hyrjet dhe daljet në Forum, ai shton: “Duke qënë se pjesëmarrja dhe angazhimi në forum është vullnetarizëm mendoj se duhen falenderuar dhe vlerësuar të gjithë ata që qoftë edhe në një moment të vetëm japin kontribut për të ndërgjegjësuar shoqerinë dhe politikbërësit për trashëgiminë kulturore. Shkëputja e një individi nga vullnetarizmi aktiv, e përkohshme apo e përhershme, nuk mund ta lejojmë kurrsesi të kthehet në gjueti shtrigash ndaj individit. Kjo do i shërbente vetëm atyre që duan të zhvendosin vëmëndjen nga problemet e vërteta që has ruajtja e trashëgimisë në vendin tonë.”

Anëtarët e këtij grupimi aktualisht janë   Gjergj Bojaxhiu, Anila Basha, Arben Biçoku, Aleksandër Çipa, Vaso Tole, Lorenc Bejko, Ben Andoni, Afrim Krasniqi, Rais Petrela, Erjon Tase, Etleva Nallbani, Elsa Ballauri e Beti Njuma, ndërsa anëtarë të tjerë si Artan Shkreli, Artan Lame dhe Auron Tare –të cilët kanë qenë shumë aktivë në të kaluarën me zërin e tyre për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, Bojaxhiu sqaron se “nuk janë më për momentin”.

Kjo mbase bën të kuptohet edhe mungesa e qëndrimeve të tyre publike në lidhje me çështjen.   Artan Shkreli nga viti 2013 e deri më 2017-ën ka shërbyer si Këshilltar për Territorin pranë kryeministrit Edi Rama e nga 2017 si zëvendësministër në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërsa Lame prej 2013-ës  është në krye të ALUIZNI-t dhe Auron Tare drejtor i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit. Megjithë funksionet në qeverisjen e Partisë Socialiste në pushtet, vijojnë ta mbajnë fokusin te trashëgimia kulturore, por duke zgjedhur secili syresh të anashkalojë debatin mbi Teatrin Kombëtar. Edhe në rastin kur Shkreli në një postim në profilin e tij të Facebook-ut ka përgëzuar punën e  bërë me restaurimin e godinës përbri teatrit – godinë e viteve ’30 – e ka ndalur komentin aty pa dashur të shkojë ca metra më tutje në godinën e cila përfundoi së ndërtuari në fillim të viteve ’40 –epokë që do të ndante sundimin monarkik dhe zgripi i Luftës së Dytë Botërore.

Aktiviteti TEPELENA E RREZIKUAR, në Kalanë e Tepelenës, 01.06.2012. Anëtarët e Forumit: Arben Biçoku, Artan Qyteza, Artan Shkreli, Anila Basha, Gentian Sala, Auron Tare dhe Afrim Karagjozi

Të ruhet pjesa e vjetër , në teatër  janë bërë edhe punime të mëvonshme

Për anëtarët e forumit, të cilët kanë qenë aktivë me opinionet e tyre në media, duhet ruajtur të paktën pjesa e vjetër e teatrit, ajo historike, sepse sipas Bojaxhiut aty mund të  jenë bërë edhe punime më vonë. “Duhet ruajtur edhe për   vlerën arkitekturore , sepse është një godinë që përfaqëson racionalizmin europian e po ashtu edhe për simbolikën që mbart, si shtëpia e një sërë institucionesh jo vetëm artistike, por edhe shkencore e politike.”

Godina e teatrit është vendi ku është kryer edhe gjyqi i parë special i regjimit të ri komunist, në mars të vitit ’45, ku janë pushkatuar shumë qytetarë, të cilët kishin mendime të ndryshme me regjimin që po instalohej.

Bojaxhiu kujton sesi ky Forum ka qenë gjithashtu kundër shembjes së Piramidës, për të njëjtat arsye – ato të simbolikës që mbart dhe jo ideologjisë.

“Ata që duan të bëjnë politikë kuptohet, njëherë janë pro shembjes së Piramidës pastaj kundër shembjes së teatrit. Kjo është bërja e politikës partiake, që deri më sot nuk ka sjellë asnjë të mirë në shoqëri. Faktikisht qëndresa e forumit mbetet  e njëjtë dhe madje  shtohet, por fatkeqësisht arroganca e atyre që janë në pushtet si dje ashtu edhe sot  vjen duke u  thelluar dhe suksesi qëndrimeve tona bëhet gjithmonë e më i vështirë.”

Ligji për trashëgiminë Kulturore, hapësirë për pazare dhe klientelizëm

Sa i përket trashëgimisë kulturore në tërësi dhe ligjit të ri të propozuar, Bojaxhi thotë se  shteti shqiptar, si në të kaluarën edhe sot   nuk ka strategji për menaxhimin  e trashëgimisë kulturore, jo vetëm si vlera kulturore por edhe si rentabilietit ekonomik. Duke u ndalur në ato që i quan pazare të ulëta të Ministrisë së Kulturës, Bojaxhi merr rastin e Butrintit dhe ndërtimin e një dyqani nga privati. “Jo vetëm që nuk ka një strategji,  por ka filluar që  edhe trashëgimia kulturore të bëhet pjesë e pazareve dhe klientelizmit. Nuk mendojnë të menaxhojnë trashëgiminë kulturore duke dhënë shembullin më të mirë që mund të japë publikja, por  se kujt do i bëjnë qoka.”

Ajo çka duhet bërë është instalimi i një fryme dhe praktike të re, një proces për transparencën dhe dialogun, i cili është i gjatë, por që duhet shpresuar për më të mirën.

“Me Butrintin nuk e dimë pse nuk u bë garë, gjithnjë nëse mendohet se duhej me patjetër t’i jepej privatit.  Nuk e  dimë pse teatri nuk u bë me garë dhe pse nuk ka konkurs sesi do e zhvillojnë atë pjesë të Tiranës. Unë jam për ta ruajtur, por mund të ketë të tjerë që kanë ide ndryshe. Duhej transparencë për qytetarët.”

Edhe zëri kritik i këtij grupimi  është i vetëdijshëm për buxhetin e shtetit dhe sesa para shkojnë për kulturën, “por nuk ankohemi pse nuk restaurohet gjithçka, por edhe mënyra sesi bëhet lë për të dëshiruar”.

Partneriteti Publik –Privat  në interes të publikut

Mënyra sesi qeveria po e trajton trashëgiminë mbetet problem.” I tillë ishte rasti i shembjes së stadiumit, që megjithë oponencën nga një grup qytetarësh nuk u mor parasysh ruajtja e  tribunës, e cila mbartte vlerë historike. “Kur duan të bëjnë pazare me privatët, e demonizojnë godinën, stadiumin teatrin, nxjerrin më të keqen që njerëzit të mendojnë “ është i vjetër, nuk bën , le të shembet”. Kjo është katastrofë.” As në rastin e teatrit kombëtar nuk janë kryer analiza apo teste laboratorike, por është dalë në një konkluzion vetëm me vëzhgime me sy.  “Nëse do  të ishte logjika teknike i bie të prishim shumë godina.” Bojaxhi sqaron se beteja e Forumit nuk është kundër sektorit privat, i nevojshëm për ta çuar ekonominë përpara, por që koncesionet dhe partneriteti Publik-Privat të shihet radhë të parë për interesin publik. Ndaj në këtë rast nevoja e ndërtimit të një teatri të ri është vetëm fasada që fsheh pazaret me privatin, thotë ai.

Situatën aktuale me ligjin e miratuar për shembjen e  Teatrit dhe protestave që vijojnë, e sheh me kriticizëm. “ Mendoj se mes arrogancës së pushtetit  dhe militantizmit që ushqehet nga kjo arrogancë pushteti, zërat e moderuar që kërkojnë jo thjesht  ruajtjen e teatrit, por vendosjen e standardeve për të ardhmen,  nuk janë në nivelin e duhur. Fitore për ne do të ishte vendosja e standardeve dhe jo thjesht ruajtja e godinës.”

Krijimi i situatës sikur nuk ka më hapësira në Tiranë për të ndërtuar në teatër të ri kombëtar, për Bojaxhiun është përpjekje e politikanëve në pushtet për të marrë përfitim maksimal financiar personal mbi kurrizin e asaj që Tirana ka më me vlerë.  “Kryeministri Rama dhe Erjon Veliaj kanë nxjerrë në ankand qendrën e botës shqiptare.”-përfundon Bojaxhi, ndërsa thotë se  90 vjet më parë shteti shqiptar pati guximin të shpronësonte disa nga familjet më të pasura dhe të fuqishme në vend për të bërë atë që quhet sot  pjesa e vjetër e Tiranës së re, ndërsa 105 vjet nga krijimi i tij, shteti shqiptar e ka shitur veten me pazare të ulëta./gazetasi.al/

PasPara

1 koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas