KMR, Te Vecanta

Vdes Charles Manson: Historia tronditëse e ‘djallit’

Charles Manson, lider i një kulti, vdiq në moshën 83-vjeçare, një javë pasi ishte shtruar në spital.

Lajmi u konfirmua nga Debra Tate, motra e një prej viktimave më të famshme të Manson.



Ajo është motra e aktores së ndjerë Sharon Tate, e cila ishte shtatzënë me beben e regjisorit Roman Polanski, kur ndjekësit e kultit të Manson e therën për vdekje.

Manson vdiq nga shkaqe natyrale.

83-vjeçari ishte në burg që prej vitit 1969, pasi urdhëroi anëtarët e kultit të tij- të cilët i quante ‘familja’- që të nisnin një seri vrasjesh.

Tre prej ndjekëseve të tij, Susan Atkins, Patricia Krenwinkle dhe Leslie Van Houten, vranë shtatë persona: Aktoren shtatzënë Sharon Tate, Abigail Folger, Wojciech Frykowski, Leno dhe Rosemary LaBianca, Steven Parent dhe Jay Sebring.

Viktimat u vranë kryesisht në lagje të bardhësh në Los Angeles. Qëllimi ishte që për këto krime të fajësoheshin afro-amerikanët, me shpresën se kjo do ndizte një luftë racash, të cilën Manson e quante “Helter Skelter”.

Manson u dënua më vonë edhe për vrasjen e muzikantit Gary Hinman dhe kaskadorit Donald Shea.

Gjatë gjyqit, ai u dënua për drejtimin e një kulti, ku të rinjtë e pakënaqur ndiqnin urdhrat e tij dhe ktheheshin në vrasës.

Gjatë kohës që ishte në burg, Manson ishte shënjestër e të burgosurve të tjerë- në një rast i hodhën benzinë dhe i vunë flakën.

Me një kryq nazist në ballë, Manson ishte kthyer në simbol të djallit në tokë.

“Ndoshta duhej të kisha vrarë 500 persona, kështu do i kisha ofruar shoqërisë diçka,” pati thënë ai.

Ai e kaloi fëmijërinë në qendra riedukimi pasi akuzohej për vjedhje të vogla.

Manson vetë ishte një aksident, i lindur nga një prostitutë 16-vjeçare.

Pasi e dënuan dhjetë vite me burg për vjedhje, ai u kërkoi autoriteteve që të mos e lirojnë, pasi e konsideronte burgun si shtëpi.

“Babai im është burgu. Unë jam ai që më bëtë ju. Unë jam reflektimi juaj”.

Në burg mësoi që të luante kitarën. Më pas kur doli jashtë, nisi të luante muzikë, por dështoi që të shiste këngët e tij. Thuhet se kjo ishte arsyeja që provokoi çlirimin e dhunës tek ai.

Ishte i fiksuar pas “Beatles” dhe këngës “Helter Skelter”. Sipas tij, “Helter Skelter” do sillte fundin e botës.

Manson u dënua me vdekje, por iu konvertua në 9 dënime të përjetshme pasi Kalifornia rrëzoi dënimin me vdekje.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas