Aktualitet

Vdekja e 67-vjeçarit, hetim ambulancës dhe spitalit të Lushnjës

Enver Saraçi u përplas aksidentalisht nga treni i linjës Tiranë-Vlorë në Saver të Lushnjës, ndërsa ka qëndruar i plagosur rreth 1 orë e gjysmë, asnjë ambulancë nuk ka shkuar në ndihmë të tij



Dhjetë ditë pas vdekjes së Enver Saraçit, i goditur nga treni i udhëtarëve i linjës Rrogozhinë- Vlorë, Prokuroria e Lushnjës ka nisur hetimet ndaj stafit mjekësor të spitalit të këtij qyteti, për mosndërhyrjen në kohë pas aksidentit të një 67-vjeçari 10 ditë më parë. Burime zyrtare bëjnë të ditur se hetimet nisën pas denoncimit të familjarëve të viktimës Enver Saraçi. 67-vjeçari u përplas aksidentalisht nga treni i linjës Tiranë-Vlorë në Saver të Lushnjës, ndërsa ka qëndruar i plagosur rreth 1 orë e gjysmë, asnjë ambulancë nuk ka shkuar në ndihmë të tij.

Hetimet

Prokuroria  pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnjë është në fazën e hetimeve, ndërsa këto ditë është duke përfunduar ky proces, i cili pritet të nxjerrë edhe personat përgjegjës të akuzuar për neglizhencë që solli edhe vdekjen e 67-vjeçarit. Prokurori i rrethit, Petrit Cano, i kontaktuar nga gazeta u shpreh se çështja është duke u përpunuar, ndërsa shtoi se  janë marrë në pyetje për zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave të ngjarjes shumë persona, përfshi këtu personelin e  spitalit të Lushnjës, drejtues të spitalit dhe shoferë të autoambulancave që shërbejnë në repartin e urgjencës. Nga ana e organit të akuzës iu është kërkuar gjithashtu kompanive celulare që të  sjellin tabulatet e telefonave të të gjithë personave të pyetur dhe bluzave të bardha lushnjare, për të arritur në një saktësim të shkallës së përgjegjësisë që ka secili për humbjen e jetës së Enver Saraçit. Hetimet kanë nisur në bazë të nenit 97 të Kodit Penal, për akuzën e  “mosdhënies së ndihmës së parë në kohën e duhur”.

Ngjarja

I gjithë procesi ka të bëjë me vonesën në dhënien e ndihmës së parë ndaj 59-vjeçarit Saraçi, i goditur nga treni i udhëtarëve në datën 26 dhjetor të vitit të kaluar. Ai ka qenë duke ecur përgjatë trasesë së hekurudhës, në afërsi të vendit të quajtur Savër. Pas goditjes, makinisti lajmëroi  policinë e rendit, ndërsa i plagosuri u transportua në rrugën nacionale, ku dhe priti i shtrirë përtokë më shumë se një orë ardhjen e autoambulancave që duhej ta transportonin në spital. Edhe pse në spital ishin gjashtë mjete të tilla urgjence dhe u njoftua për këtë ngjarje prej policisë, asnjë prej autoambulancave nuk mbërriti në vendngjarje. Pas një orë pritjeje dhe pas mungesës së bluzave të bardha në dhënien e ndihmës së parë, i plagosuri u transportua drejt spitalit me mjetin e policisë. Për shkak të goditjes dhe plagëve të marra, ai u dërgua në Spitalin Ushtarak në kryeqytet, ku humbi jetën një ditë më pas. Që prej asaj dite, të afërmit e tij kanë kërkuar drejtësi, duke akuzuar bluzat e bardha për humbjen e njeriut të tyre.

 

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas