Aktualitet

Vajza muxhahedine akuza ambasadës: “Im atë do të më bëjë skllave për Mullahët kriminelë të Iranit”





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 14:57 - 06/08/18 |
mapo.al

Pas debatit te ashper at e bije dhe deklaratave te forta qe Mostafa Mohammadi beri pak dite me pare, teksa kerkonte te merrte me vete vajzen Somayeh Mohammadi, pjese e Organizatës MEK, vjen reagimi i forte i 38-vjecares.


Ajo reagon me nje leter te hapur, ku tregon se pse babai i saj, Mostafa Mohammadi përpiqet ta paraqesë ate si një grua të mashtruar dhe pa fuqi vullneti. Një grua që nuk e ka forcën për të vendosur për veten e vet dhe si pasojë duhet që i ati t’i marrë të gjitha vendimet për të.


Ajo leshon akuza te forta kunder tij dhe kunder ambasades Iraniane ne Tirane, per te cilen thote se duhet te mbyllet.


Ajo hedh poshte pretendimet e prinderve se është rrëmbyer nga Muxhahedinët, MEK, në Shqipëri dhe se mbahet në kampin e Manzës me forcë. “Kjo është një fushatë e shëmtuar e regjimit diktatorial iranian kundër MEK, e cila ka filluar që në vitin 2004 duke më keqpërdorur mua”- ka thene ajo.


 REAGIMI I PLOTE 

Im Atë Dëshiron të më Kthejë në një Skllave për Mullahët Kriminelë të Iranit

Ambasada e Mullahëve Iranianë në Tiranë duhet të mbyllet

Në intervistën e tij me Gazetën Shqiptare, Mostafa Mohammadi përpiqet të më paraqesë mua, vajzën e tij Somaye Mohammadi në moshën 38 vjeçare, si një grua të mashtruar dhe pa fuqi vullneti. Një grua që nuk e ka forcën për të vendosur për veten e vet dhe si pasojë duhet që i ati t’i marrë të gjitha vendimet për të.

Kjo nuk eshte e habitshme. Im atë është punonjës dhe kontrollohet nga ministria e inteligjencës së regjimit të mullahëve – njerëz që nuk e vlerësojnë apo respektojnë zgjedhjen dhe vullnetin e një gruaje.

Në Sharia-në e mullahëve, inteligjenca e një gruaje është sa gjysma e asaj të një burri.

Si pasojë, është burri ai që duhet të vendosë gjithmonë për një grua. Edhe po të dojë të udhëtojë, gruaja duhet të kërkojë lejen e të shoqit apo të të atit. Po për këtë arsye, gratë nuk mund të jenë gjykatëse. Ato janë të brishta dhe u binden ndjenjave dhe “nuk kanë mjaftueshëm urtësi dhe logjikë” për të qenë gjykatëse.

Në mentalitetin e mullahëve iranianë, gratë janë baraz me të miturit dhe maniakët.

Im atë dëshiron të më shesë si skllave të mullahëve për para. Ndërkohë që unë jam krenare që i kam marrë vetë vendimet e mia gjithë jetën, në liri të plotë.

Unë e kam zgjedhur vetë se si të jetoj në mënyrë që të mund t’i ndihmoj sa më shumë bashkatdhetarët e mi, t’i ndihmoj që ta çlirojnë veten nga mizogjinia dhe diktatura e mullahëve në Iran.

Në intervistën time me Gazetën Shqiptare, zbulova fakte të pamohueshme për sa i përket 15 viteve të torturës psikologjike nga Mostafa Mohammadi me urdhër të regjimit të mullahëve. Dhe, në një letër drejtuar Ministrit të Brendshëm, Z. Fatamir Xhafaj, kam bërë kërkesë që ky keqbërës i inteligjencës iraniane të përjashtohet nga Shqipëria.

Por në intervistën e tij, kur gazetari e pyet Mostafa Mohammadi-n për këto fakte që kam zbuluar unë, ashtu siç bëjnë edhe shefat e tij, në vend të përgjigjes, ai fillon me shpifjet dhe gënjeshtrat kundër MEK duke përdorur të njëjtën kulturë si ajo e mullahëve. Për më tepër, ai më përshkruan si një grua pa forcë vullneti, e cila thjesht ndjek urdhërat.

Kur gazetari i thotë që Somaye Mohammadi thotë se “ju jeni agjent i ministrisë iraniane të inteligjencës. Cila është përgjigjja juaj?”, ai jo vetëm që nuk i përgjigjet pyetjes por vazhdon me gënjeshtra të tjera për MEK.

Reporteri i thotë që Somaye Mohamadi e refuzon pretendimin e tij se MEK e mbajnë peng atë. Ai përgjigjet se vajza e tij është në një organizatë radikale dhe çdo gjë që bën në këtë organizatë i është diktuar.

Gjithashtu, kur i thuhet që Somaye Mohammadi thotë se prapa tij është regjimi iranian dhe ai është agjent i inteligjencës iraniane, ai përgjigjet, “ku e di vajza ime se unë jam agjent iranian? Ajo ka jetuar në burgun e MEK për dy dekada.”

Kur reporteri i kujton se Somaye ka bërë kallëzim kundër tij në polici, ai përgjigjet se edhe ai kishte bërë kallëzim katër ditë më parë dhe tani MEK kanë frikë.

Kjo lloj pikëpamjeje ndaj grave, sjelljeje, dhe fabrikim gënjeshtrash nga një baba kundër vajzës së tij do të ishte një turp i madh. Por, në rastin e Mostafa Mohammadi-t, është krim, pasi ai po i shërben regjimit iranian duke ndihmuar shtypjen dhe ekzekutimet brenda Iranit.

Unë nuk kam asnjë vlerësim për Mostafa Mohammadi-n. Ai nuk do t’ia dijë për mua. Nga ana tjetër, për shkak të qëndrimit tim politik dhe anëtarësimit në opozitën kryesore demokratike kundër fashistëve fetarë iranianë, unë vlerësohem sa ari nga ky regjim.

Duke më abuzuar mua, Mostafa Mohammadi i jep ndihmën më të mirë regjimit iranian.

Me ndihmën e ministrisë iraniane të inteligjencës, Mostafa Mohammadi ka bërë një video për mua.  Ky film përsërit të gjitha gënjeshtrat me qëllimin ta diskreditojë Organizatën MEK, pjesë e së cilës unë jam.  Mullahët ia tregojnë këtë video nëpër burgje të burgosurve politikë në mënyrë që ata të distancohen nga MEK.  Nëse nuk distancohen, ata torturohen, madje edhe ekzekutohen.

Kjo mund të jetë e vështirë për t’u besuar, por është e vërtetë.

Lexuesit tuaj mund të jenë duke pyetur veten se ç’i duhen regjimit iranian intervistat dhe gënjeshtrat e  Mostafa Mohammadi-t, kur ato nuk arrijnë të mashtrojnë popullin e mirë-informuar shqiptar? Për çfarë arsyeje e vendos ambasada iraniane atë në një nga hotelet më të shtrenjta të Tiranës dhe i jep gjithë ato lehtësira e para? Dhe, pse nxitet ai, nga mullahët, të bëjë këto sjellje dhe intervista në Tiranë?

Përgjigjja është e thjeshtë. Edhe nëse nuk kanë sukses në Tiranë, të paktën, torturuesit e regjimit iranian i përdorin gjithë këto intervista nëpër burgje për t’u bërë presion të burgosurve politikë.

Regjimi iranian njihet botërisht si një regjim terrorist që mbështet kriminelët. Irani ka numrin më të madh të ekzekutimeve në raport me popullsinë e tij, sipas Amnesty International. Për mbijetesën e tij, regjimi i mullahëve ka ekzekutuar mbi 120, 000 anëtarë të MEK dhe liridashës të tjerë.  Vitin e shkuar, Raportuesi Special i Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtat e Njeriut bëri thirrje për hetime mbi masakrën e të burgosurve politikë të vitit 1988 në Iran. Gjatë verës së 1988-ës, regjimi iranian ekzekutoi mbi 30,000 të burgosur politikë nga MEK dhe disidentë të tjerë politikë. Gjithashtu, për t’ua thyer moralin të burgosurve politikë, gratë përdhunohen sistematikisht në burgjet iraniane.  Torturuesit kanë një urdhër zyrtar (fatwa) të lëshuar nga Khomeini dhe mullahë të tjerë, urdhër i cili u jep lejen për t’i bërë këto gjëra.

Tahere Tolou, një nga mijëra gra, të vrarë nga regjimi i mullahut të Iranit. Ata therrën një thikë në zemrën e saj dhe e varën me kokë poshtë në një kodër afër Kermanshah

Veprimtaritë e Mostafa Mohammadi-t në Shqipëri kundër meje dhe MEK, janë për të kompensuar për dështimin e tentativës terroriste marsin që shkoi kundër MEK në Tiranë, tentativë që drejtohej nga ambasada iraniane në Tiranë. Në këtë ngjarje, dy terroristë të regjimit iranian janë arrestuar nga autoritetet shqiptare dhe janë deportuar në Iran.

Kjo është arsyeja pse, për sigurinë e popullit shqiptar, ambasada iraniane në Tiranë duhet të mbyllet dhe agjentët e ministrisë iraniane të inteligjencës që është e stacionuar në këtë ambasadë, të cilët kanë në duart e tyre gjakun e popullit iranian dhe marrin pjesë në terrorizëm, duhet të përjashtohen.

Makineria e fabrikimit të gënjeshtrave nga regjimi iranian dhe akuzat e tyre kundër opozitës kryesore demokratike nuk marrin fund kurrë. Që nga dhjetori i shkuar, në Iran kanë filluar demonstrata dhe protesta mbarëkombëtare me direktiva nga MEK.

Regjimi do të bjerë së shpejti.

Ndërsa përplasjet midis protestuesve dhe forcave të sigurisë në Iran intensifikohen çdo ditë e më shumë, përdorimi i një elementi tashmë të diskredituar dhe famëkeq si Mostafa Mohammadi kundër MEK mund të konsiderohet si përpjekja e fundit e mullahëve për mbijetesë në tatëpjetën e vdekjes së tyre.

Mullahët iu bashkofshin së shpejti paraardhësve të tyre diktatorë e kriminelë në histori si Nero dhe Hitleri.

 


Etiketa: , ,

Pas