Ekonomi, Kryesore

Ulja e lindjeve?! Eksperti: Duhet politikë nataliteti

Trafikimi i lëndëve narkotike, përfshirja e politikës dhe ngërçe debatesh të pa zgjidhura, po dëmtojnë ekonominë. Jo vetëm sepse nuk merr përgjigjen e duhur një veprim i paligjshëm siç është kultivimi e tregtimi i lëndëve narkotike, por se vendi po gërryhet nga probleme të tjera ekonomike që kërkojnë ndëryrje të shpejtë e serioze. Ulja natyrale e popullsisë është një prej tyre.

Nga Albana Muçaj, Businessmag.al



Ky vit nisi mbarë me lajme të mira për eksportet, konsumin e papunësinë. Por, një prej raporteve të publikuara për tremujorin, përmbys shijen e ëmbël të të gjitha këtyre. Flasim për tkurrjen natyrale të popullsisë, për herë të parë në historinë e vendit.

Instituti i Statistikave (INSTAT) tregon se në Janar-Mars 2018, numri i lindjeve ishte 5669 dhe numri i vdekjeve 5954 vetë, pra me një tkurrje 245 vetë (vetëm në kushtet natyrore, pa përfshirë zhvillime të tjera si emigrimi).

“Gjatë gjithë historisë së vendit tonë, numri i lindjeve ka qenë gjithnjë më i madh se numri i vdekjeve përfshirë edhe kohën e Zogut,” thotë Koço Broka ekonomist. Ai së fundi ka botuar librin mbi popullsinë dhe pensionet me emrin “Pensionet, e tashmja dhe e ardhmja.”

Edhe në vitet e para të pas çlirimit, sipas tij, numri i vdekjeve ishte relativisht i madh, por numri i lindjeve ishte shumë më i madh. “Kemi dukurinë e rënies së shtesës natyrore të popullsisë në vendin tonë e paraqitur e fortë këtë tremujor. Mjafton të krahasojmë me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Na rezulton se numri i lindjeve është pakësuar 1211 vetë,” thotë Broka.

Plakja e popullsisë ishte paralajmëruar pasi lindjet prej vitesh janë në ulje, por ritmet me të cilat po përkeqësohen treguesit e popullsisë kanë dalë tej pritshmërive zyrtare.

Broka thotë se, kjo dukuri ishte e parashikueshme pasi: në 1990 lindjet ishin mbi 82 mijë. Në 2014-ën ra në më pak se 36 mijë dhe shtesa e popullsisë ishte rreth 15 000 vetë. Në vitin 2017 shtesa e popullsisë zbriti në rreth 8600. Me këtë ecuri ishte e pritshme që tkurrja natyrore e popullsisë të vinte pas tre vitesh.

Ekspertët mendojnë se, kjo erdhi për shkak të një rënie shumë të madhe të numrit të lindjeve. Ky është thelbi i dukurisë së këtij viti.

Duke iu referuar botimit të tij, Broka tregon se, “koefiçienti i lindjeve ka rënë vit pas viti. Koeficienti i lindshmërisë vitin e kaluar ishte 1.54. Për të ruajtur nivelin e popullsisë ky koeficient duhet të jetë 2.1. Pra, nëse çdo grua lind dy fëmijë, popullsia qëndron vend numëro (nëse nuk ndryshon në mënyrë të theksuar numri i vdekjeve).

Politika për natalitetin

Ulja e numrit të lindjeve është tashmë “sëmundja” e vendeve të zhvilluara. Edhe pse me të ardhura më të mira ekonomike, familjet kryesisht në Europë, zgjedhin të bëjnë më pak fëmijë. Për ta zbehur fenomenin, qeveritë e këtyre vendeve kanë nisur politikat e natalitetit. Një politikë që qeveria shqiptarë duhet ta nisë sa më shpejt, sipas ekonomistëve.

“Koha kërkon që edhe Shqipëria të ketë politikën e saj të natalitetit, të stimulimit të lindjeve të dyta, të tretë, diçka e e natyrshme për çdo familje. Çiftet e reja do të vendosin për një apo dy fëmijë. Ky është një vendim që kërkon edhe ndëryrjen e politikave sociale dhe ekonomike, për të lehtësuar gratë e reja për rritjen e fëmijëve,” thotë Koço Broka. Kjo kërkon krijimin e një infrastrukture mbështetëse për familjet e reja, duke krijuar kushtet e nevojshme (çerdhe, kopësht etj.).

Popullsia nuk është e ardhur në buxhet, që për pak muaj e shton përmes një vendimi për rritje taksash. Çdo nismë në çështjet demografike e sociale, kërkon me dhjetëra vite kohë të japë efektin e nevojshëm. Ndaj dhe qeverive tona u nevojitet një qasje ndryshe.

Popullsia nuk është vetëm çështje shifrash. Ulja e popullisë dhe plakja e saj, krijon premisat për probleme ekonomike nesër (pra, pas dhjetëra vitesh). Këto janë: problemet në sektorët e prodhimit, shërbimit, mungesa e krahut të punës. Pra, nëse sot kompanitë ankohen për fuqi të re punëtore të pakualifikuar, nesër edhe fuqia e re nuk do të gjendet.

Situata po përshpejtohet me emigracionin e vazhdueshëm. Në të gjithë sektorët, por në veçanti në teknologjinë e informacionit e mjekësi, janë krijuar hendeqe të mëdha për shkak të emigrimit të të rinjve dhe profesionistëve.

Plakja e popullsisë ka ndikim të ndërsjelltë brenda vetes, thotë Broka. Ajo krijon kushtet e futjes në rreth vicioz dhe është faktor afatgjatë. Kjo është shumë e rëndësishme të mbahet parasysh, sipas tij.

Instat: Mbi 70% e vdekjeve nga tumoret dhe sëmundjet e gjakut

Që popullsia të rritet, politikat e qeverisë drejt motivimit të çifteve për të pasur më shumë fëmijë, duhet të ecin më shpejt se ç’po ecin aktualisht sëmundje të tilla si tumori, apo sëmundjet në gjak (përfshirë edhe sëmundjet e zemrës). Nga të dhënat e Institutit të Statistikave (INSTAT) në numrin e vdekjeve të vitit të kaluar, dy faktorët kryesorë që shkaktojnë më shumë vdekje në vend, janë sëmundjet e qarkullimit të gjakut (zemra dhe goditjet në tru) dhe tumoret.

Vitin që shkoi, numri i vdekjeve u rrit gati 4% në total, ku rritjen më të madhe e shënuan femrat 5.1%.

Vjet pati mesatarisht 77,4 vdekje për 10 mijë banorë, përkundrejt 74,4 në 2016.

Grupi i sëmundjeve të qarkullimit të gjakut, ka shkaktuar gati 54% të vdekjeve sipas INSTAT.

Tumoret ndërkohë shkaktuan mbi 16 % të vdekjeve, duke u renditur si faktori i dytë kryesor

/Artikulli u publikua më parë në faqen 26 të numrit 17 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas