Kryesore, Mapo Format

UET, prezantohet fakulteti i riorganizuar, lektorë seniorë te juridiku vetëm magjistratët që kanë kaluar vettingun

Spartak Ngjela: Kam besimin se universiteti juaj do të arrijë dhe të krijojë një fluks juridik, i cili do t’i imponohet shoqërisë me konceptualizëm të nivelit të lartë

Ai mbetet sërish një fakultet i rëndësishëm jo vetëm për UET-in, por me ndikim për shoqërinë shqiptare. Universiteti Europian i Tiranës prezantoi të enjten riorganizimin e Fakultetit të ri të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Risia? UET do të ftojë dhe do të bëjë pjesë të fakultetit vetëm avokatë dhe magjistratë, të cilët e kanë kaluar procesin e vettingut. Dekani i fakultetit, Ferit Duka, tha se nga auditorët e UET do të dalin njerëzit që do ndryshojnë vendin.



“Një fakultet, i cili do të përgatisë diplomatët e ardhshëm, njerëzit e ardhshëm të politikës, të cilët do të marrin përsipër misionin e ndryshimit dhe të transformimit të Shqipërisë. Natyrisht që ne integrojmë eksperienca të ndryshme, degë të ndryshme, por do të dimë të punojmë në sinkron të plotë, në bazë të programeve dhe strategjisë që ka Universiteti Europian i Tiranës. Unë besoj dhe jam shumë optimist që fakulteti ynë, me stafin pedagogjik, akademik që disponojnë me të gjithë bashkëpunëtorët e jashtëm, do të jetë një fakultet, i cili do të kthehet në një vatër që do të përgatit profesionistë të zotë në fushat që unë përmenda”.

Pas dymbëdhjetë vitesh kontribut në historinë e arsimit të lartë shqiptar, UET vjen i reformuar, me një ristrukturim dhe “zgjerim” të ofertës së tij akademike. Në këtë mënyrë, me një plotësim kuadri thuajse të plotë të fushave dhe disiplinave, Universiteti Europian i Tiranës quhet ‘polivalent’. Kurse përgjegjësja e Departamentit të Shkencave Juridike, dr. Ledina Mandija e vuri theksin te Reforma në Drejtësi.

“Është shumë e rëndësishme që të pretendojmë për një hap cilësor të Fakultetit të Drejtësisë. Kuptohet që ne e kemi pritur Reformën në Drejtësi, një reformë e cila është e bazuar në standardin ndërkombëtar, një Reformë në Drejtësi, e cila i hap rrugën brezit të ri të juristëve që të bëhen pjesë e sistemit gjyqësor apo dhe organeve të tjera të drejtësisë. Pikërisht për të realizuar këtë qëllim është shumë e rëndësishme që pjesë e stafit akademik të jenë profesionistë të zotë me grada shkencore, por edhe gjyqtarë e prokurorë, të cilët tashmë i janë nënshtruar procesit të vettingut dhe kanë një figurë me integritet dhe një nivel të lartë profesional. Jo më kot ne e kemi marrë këtë nismë, që në semestrin e dytë të vitit të kaluar shkollor, ku ne pamë këshilltarë të Gjykatës Kushtetuese, të cilët kaluan provat e testit të profesionalizmit dhe ne jemi të nderuar t’i kishim ata pjesë të mësimdhënies në nivelin master. Tashmë do të mirëpresim edhe gjyqtarë, avokatë, prokurorë apo juristë të shquar, të cilët punojnë në organet e drejtësisë apo administratat shtetërore që t’i bashkohen pikërisht Fakultetit të Drejtësisë për të ndryshuar cilësinë në nivelin më të lartë të saj”, tha ajo.

I ftuar si një nga miqtë e Universitetit Europian të Tiranës ishte edhe magjistrati, kandidati për gjyqtar Shkëlzen Liçaj, si një ish-student i UET që ka përfunduar juridikun, i cili është aktualisht student i Shkollës së Magjistraturës. Liçaj është një bashkëpunëtor i UET dhe që në të ardhmen premton të japë kontributin e tij në organet e drejtësisë, por edhe në Fakultetin e Drejtësisë në UET.

“Mendoj se UET është një nga universitet më moderne në Republikën e Shqipërisë, është një shembull për t’u ndjekur si nga universitetet e tjera private dhe ato shtetërore. Për të gjithë ata që duan të studiojnë në Universitetin Europian të Tiranës, ju them se ia vlen, ofron një staf akademik shumë të mirë dhe ka nisma shumë të rëndësishme që pedagogët e shkëlqyer marrin”, tha Liçaj.

E fundit në radhë por jo nga rëndësia ishte edhe gjyqtarja në karrierë, Brunilda Kadi, e cila kaloi vettingun me sukses dhe është kandidate për KLGJ: “Unë jam gjyqtare ashtu sikurse u prezantova. Pothuajse përfundoj vitin e 16-të që ushtroj këtë detyrë dhe nuk jemi mësuar të flasim përpara të tjerëve. Sapo kalova fazën më të rëndësishme të procesit të rivlerësimit me sukses. Nuk është definitive pasi vendimi ende nuk është arsyetuar. Shpresoj të jetë pozitiv deri në fund. Ajo që dua t’iu transmetoj është se të kalosh në një proces të tillë është një sfidë dhe përgjegjësi. Është një sfidë, një nga proceset më të vështira që mund të kalojë një person në çfarëdo lloj profesioni që mund të jetë. Ishte e drejtë për mua dhe ky lloj vlerësimi i imët që fillon nga gjyqtarët është më se i drejtë. Ata duhet të jenë njerëzit më të ndërgjegjshëm e shtetit. Për ju që po përgatiteni të futeni në këtë fushë kaq të përgjegjshme është mirë që në edukim të edukoheni me përgjegjshmëri pasi në çdo kohë do të vijë një moment të japësh llogari”.

Pas fjalimeve të të ftuarve në përurimin e riorganizimit të Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në UET, komentin dhe mbështetjen e tij ndaj këtij fakulteti e dha edhe ish-studenti i UET, tashmë në postin e tij të lartë drejtues, si administrator dhe zv.ministër i Arsimit dhe Sporteve, Shpat Kolgega. “Një nga elementet që unë kam vlerësuar në UET përtej pjesës akademike, ka qenë gjithmonë në nivele shumë të larta, marrëdhënia apo atmosfera që UET ka patur”.

 

Fjalimet gjithmonë interesante të Ngjelës

I ftuar i veçantë në këtë prezantim ishte avokati i njohur, Spartak Ngjela. Kur bie fjala te jurisprudenca shqiptare, ai e ka një merak, që lidhet me gjuhën, por ka besim se UET do të sjellë një fluks të ri në drejtësinë shqiptare.

“Pak më parë po pyesja rektorin se çfarë tekstesh ka ky fakulteti juaj i jurisprudencës, shqiptarë i kanë shkruar? Jo, më tha, janë të huaj. Marrë nga universitetet më prestigjioze. Kjo gjë është risi për mendimin tim pasi tekstet këtu nuk vlejnë, flas për jurisprudentët, nuk kanë asnjë vlerë. Nuk është pedagogu që ta imponon tekstin, por është universiteti që të imponojë tekstin. Për këtë risi që po sillni, çështja është t’iu ngulisim studentëve tre gjëra kryesore. E para është njohja e thellë e gjuhës, e dyta koncepti juridik dhe së treti, kuptueshmëria. Ajo që kam vënë re unë është se Gjuha Shqipe në jurisprudencë ka rënie në dy aspekte. Në aspektin e terminologjisë latine dhe në konceptet e vjetra që mezi janë futur. Në funksion të kësaj dhe në funksion të tekstit do të jap një sugjerim tjetër. Kam pyetur dhe nuk ekziston, më duket e kanë vetëm magjistratët. Një libër brilant për jurisprudencën është Sendi i Benusit. Pavarësisht se ka 70 vite që është shkruar. Tani keni një sistem më të ri dhe më efikas. Ky është një nga tekstet që sugjeroj unë. Problemi i thellë është kuptueshmëria. Tekstet që kam lexuar unë janë të pakuptueshme dhe si mund të jetë i pakuptueshëm profesioni? Mund të jetë e pakuptueshme një kritikë, por si mund të jetë i pakuptueshëm një tekst, por rektori më tha që i keni tekstet dhe pedagogët e mirë. Është shumë mirë që kanë marrë sot magjistratët. T’i involvojë pasi janë juristët më të mirë në treg. Ju them vetëm një gjë. Në Angli nuk gjyqtarë nën 50 vjeç. Me këtë dua të them që jurisprudenca është e vështirë si shkencë. Janë ekuacione shumë të vështira ekuacionet e saj, aq sa duket në orën e një leksioni. Që të zgjidhësh një çelës duhet të dish një varg të gjerë ligjesh. Kam besimin se universiteti juaj do të arrijë dhe të krijojë një fluks juridik, i cili do t’i imponohet shoqërisë me konceptualizëm të nivelit të lartë, me Gjuhën Shqipe të nivelit të lartë dhe me tekste të kuptueshmërisë, të cilat i keni marrë në universitetet më serioze. Në rast se do futeni në filozofinë analitike, që është filozofia e gjuhës, urgjentisht duhet të ngrini vlerën e Gjuhës Shqipe. Me atë që kam biseduar me krerët tuaj drejtues, këta janë dakord që të fusin këtë si lëndë të veçantë. Pasi të merren me filozofinë e gjuhës, pra me filozofinë analitike, të kenë shqipen në qendër të vëmendjes në funksion të elaborimit të kësaj. Nuk bëhet kjo gjë pa gjuhën. Mendoj se magjistratët që do të merrni këtu në Universitetin Europian të Tiranës, do krijojnë një fenomen të ri në nivelin e jurisprudencës që del në universitet”, tha Ngjela.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas