Mapo Format

UET, pjesë e projektit ndërkombëtar Rebus: Studentët mundësi për certifikim të kompetencave sipërmarrëse

Fokusi i projektit është mbi sipërmarrjen, matjen e kompetencave sipërmarrëse, duke u dhënë mundësi studentëve që krahas diplomës, të marrin dhe një certifikatë që dëshmon kompetencat e tyre në sipërmarrje, por dhe kompetenca të tjera, të domosdoshme në një shoqëri të dijes dhe të informacionit.

Prej më shumë se një viti tashmë Universiteti Europian i Tiranës është pjesë e Konsortiumit të Projektit Rebus, i cili synon zhvillimin, testimin, vlerësimin, integrimin gjithëpërfshirës dhe nevojat që nxisin modulet e hapura mësimore për të promovuar aftësitë sipërmarrëse nga Ballkani Perëndimor dhe Rusia si një ndërthurje e edukimit akademik dhe mësimdhënies në praktikë të koncepteve të biznesit.



Partner të këtij projekti janë Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike i Universitetit të Sarajevës, dieBerater dhe Universiteti FH JoanneumGesellschaft në Austri, Korporata BlinceGe e Institucioneve të Ndërthurura Arsimore dhe Universiteti Duisburg Essen në Gjermani, Universiteti Palermos në Itali, Universiteti “Aleksandër Xhuvani” i Elbasanit, Kolegji Universum në Prishtinë, Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike i Podgoricës në Malin e Zi, Universiteti Shtetëror i Volgës dhe Universiteti Shtetëror i Telekomunikacionit dhe Informatikës në Siberi.

Në kuadrin e projektit Rebus, Universiteti Europian i Tiranës ka nisur fazën përgatitore të përzgjedhjes të studentëve të cilët do të jenë pjesë e vizitës mësimore në Universitetin e Grazit, Austri dhe që do të bëhen pjesë e projekteve të biznesit dhe të një konkursi me dy universitete të tjera, pjesë e këtij projektit.

Fokusi i projektit është mbi sipërmarrjen, matjen e kompetencave sipërmarrëse, dhe matjen e tyre përmes Moodle dhe Level 5, duke i dhënë mundësi studentëve që krahas diplomës, të marrin dhe një certifikatë që dëshmon kompetencat e tyre në sipërmarrje, por dhe kompetenca të tjera, të domosdoshme në një shoqëri të dijes dhe të informacionit.

Metodologjia në të cilën ngrihet i gjithë projekti Rebus, është bërë paraprakisht pjesë e lëndës “Hyrje në biznes”, e cila po përshtat dhe silabusin e saj, nga një silabus bazuar në objektiva në silabus bazuar në matjen e kompetencave, ku në këtë fazë ka përparësi ajo sipërmarrëse.

Konkursi “Ideja më e mirë e biznesit” zhvillohet në kuadrin e lëndës “Hyrje në biznes” të drejtuar nga prof. asoc. dr. Ermira Qosja dhe msc. Ertila Druga dhe është tashmë prej disa vitesh një traditë në Universitetin Europian të Tiranës, që kalon përmes një procesi të gjatë seleksionimi ku marrin pjesë rreth 400 studentë të vitit të dytë Financë–Bankë dhe Menaxhim të Fakultetit Ekonomik dhe të vitit të tretë Informatikë Ekonomikë.

Ne konkursin e zhvilluar në fillim të semestrit të dytë të vitit akademik, rreth 30 studentë sollën 11 idetë më të mira përballë një jurie e cila u konceptua në funksion të fizibilitetit të ideve në treg, me individë që vijnë nga bota e biznesit, pjesëmarrjen e drejtoreshës së projekteve dhe menaxheres së projektit Rebus znj. Ketrina Çabiri Mijo si dhe të drejtoreshës së Fondacionit Junior Achievement, i cili mbështet sipërmarrjen te të rinjtë.

Znj. Ketrina Çabiri Mijo në fjalën e saj në event theksoi që projekti Rebus ka hyrë tashmë në një fazë të rëndësishme, shumë shpejt do të ngrihet laboratori me pajisjet ku do të jenë të instaluara dhe 30 licencat e Moodle dhe Level 5, të cilat vihen në funksion të metodologjisë të mësimdhënies që synon matjen e kompetencave. Në këtë laborator, fillimisht do të aftësohen për të punuar 30 studentët pjesëmarrës të konkursit “Ideja më e mirë në Biznes” të cilët do të përgatiten gradualisht, do trajnohen nga Z. Agim Kasaj, drejtori IT në UET për përdorimin e programeve dhe në këtë mënyrë hap pas hapi, deri në fazën e vizitës studimore në Universitetin e Graz-it, Austri.

Gjithashtu, Znj. Çabiri Mijo theksoi që gradualisht do të synojmë që metodologjinë e këtij projekti ta shtrijmë dhe në lëndë të tjera, duke ju afruar në këtë mënyrë një procesi mësimdhënie dhe nxënie e cila bazohet në kompetenca dhe që vendet e zhvilluara Europiane e kanë nisur që pas vitit 2004.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *