Kryesore, Mapo Format

UET dhe ‘Instituti Europian Pashko’: Pasthënie mbi Kursin e Liberalizmit

Në vend që të jepej një përgjigje e vetme se çfarë është ose çfarë duhet të jetë liberalizmi, gjatë këtyre javëve ky kurs ofroi një studim të thelluar të rrymave, autorëve dhe shkrimeve më themelore të kësaj shkolle mendimi

Nga Florian Çullhaj*



Sot u përmbyll me sukses kursi permanent mbi Liberalizmin, i zhvilluar pranë Universitetit Europian të Tiranës, në partneritet me Institutin Europian Pashko. Ky kurs është një nga shumë nismat që, në një fazë reformimi e think-tank-u historik të ideve liberale, të sendërtuara ngultas në realitetin politik shqiptar nga Profesor Pashko në kapërcyell të viteve ‘90-, rinis në UET me qëllimin për të ruajtur dhe përcjellë te brezat e rinj vlerat liberale.

Kursi rezultoi dobiprurës për të gjithë pjesëmarrësit në tërësi, por sidomos për studentët e rinj, duke krijuar mundësi për njohuri, diskutim dhe krahasim idesh. Përgjatë kursit u shqyrtuan tema themelore në traditën e mendimit politik liberal përmes studimit të rrymave dhe autorëve kryesorë që tashmë njihen si pjesëtarë të shkollës liberale, të tillë si: Locke, Constante, Tocqueville, Mill, Berlin, Rawls, Nozick, Bobbio dhe Gray.

Përkatësisht, për Norberto Bobbio-n, “Doktrina liberale në sferën politikë është shprehja e ligjit natyror më të maturuar: doktrina liberale në të vërtetë, mbështetet në pohimin se ekziston një ligj natyror që i paraprin dhe e tejkalon Shtetin dhe se ky ligj u jep individëve të drejta subjektive, të patjetërsueshme dhe jopreskriptive, përpara shfaqjes së çdo shoqërie dhe, rrjedhimisht, edhe të vetë Shtetit. Prandaj, Shteti, i cili lind nga vullneti i të njëjtit individ, nuk mund të shkelë këto të drejta themelore (nëse i shkel ato bëhet despotik), dhe pikërisht nëpërmjet tyre (të drejtave) përcakton kufijtë e veprimtarisë së tij. Për pasojë, Shteti duhet të garantojë shprehjen e lirive, dhe brenda kësaj suaze gjen funksionin e tij, i cili është quajtur “negativ” ose “kujdestar” i thjeshtë”. (Norberto Bobbio, Liberalismo, in Dizionario di Filosofia, A. Biraghi (ed.), Milano, Comunità, 1957, p. 617-618.)

Ndërsa John Gray, në librin e tij “Liberalizmi”, analizon premisat e liberalizmit si dhe themelet alternative që i janë ofruar këtij të fundit për t’u mbështetur. Themele të atilla si, e drejta natyrore, utilitarizmi dhe kontraktualizmi, ku Gray shpjegon pikat e forta dhe të dobëta të secilës syresh. Ai krahason kuptimet alternative të lirisë “negative” dhe “pozitive” dhe marrëdhëniet e tyre me njëra-tjetrën. Gray mbron autonominë si mundësinë më të mirë për konceptimin qartësisht liberal të lirisë. Në kapitullin mbi Lirinë individuale, pronën private dhe ekonominë e tregut, Gray mbron lirinë ekonomike për mbrojtjen e lirisë individuale duke u mbështetur tek ekonomistët austriakë, veçanërisht te veprat e Hayek-ut, i cili e ka përcaktuar ekonominë e tregut: si një formë spontane të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe vullnetar. John Gray e përmbyll librin e tij me një diskutim mbi funksionet “legjitime” të shtetit minimal e liberal, dhe mundësitë për një liberalizëm klasik në të ardhmen.

Përveç autorëve të sipërcituar dhe temave që ata parashtrojnë për diskutim, tradita liberale kuptohet më së miri si një shumëllojshmëri e traditave të lidhura ngushtë me shqetësimin mbi lirinë. Gjegjësisht, një larushi çështjesh ngjallën debat në mes të pjesëmarrësve, ku ndër të tjera mund të përmend; shtrirjen kufizimin dhe arsyetimin mbi autoritetin politik; shtrirjen kufizimin dhe arsyetimin mbi pronën private; nivelin e lejueshmërisë së mosbindjes civile, rezistencës, dhe revolucionit; konceptet e lirisë dhe barazisë dhe implikimet e tyre institucionale; konceptimin e të drejtave individuale si dhe marrëdhënien midis parimeve liberale dhe demokratike.

Në vend që të jepej një përgjigje e vetme se çfarë është ose çfarë duhet të jetë liberalizmi, gjatë këtyre javëve ky kurs ofroi një studim të thelluar të rrymave, autorëve dhe shkrimeve më themelore të kësaj shkolle mendimi. Përmbledhtas, gjatë kursit studentët patën mundësi të krijonin një opinion të pjekur se çfarë është liberalizmi, si një traditë historike e mendimit dhe e praktikës politike, dhe si një grup (jo domosdoshmërish koherent) i argumenteve në lidhje me parimet, institucionet, dhe kufijtë e shoqërizimit politik. Të identifikonin mundësitë e ndërtimit dhe vlerësimit të një diskursi liberal si dhe mënyrat e veçanta se ku truallëzohen argumentet e teorive liberale.

Duke qenë se brenda liberalizmit ka mospërputhje në shumë çështje, natyrshëm lind pyetja nëse ka kuptim të diskutohet më për “liberalizëm”. Megjithatë, nuk është për t’u nënvlerësuar fakti se një pjesë e mirë e këtyre teorive marrin lirinë si vlerën e tyre themelore politike. Për shembull, në njërën anë, demokratët radikale pohojnë vlerën mbizotëruese të barazisë, në anën tjetër, komunitarët argumentojnë se kërkesat e përkatësisë i tejkalojnë ato të lirisë, ndërsa konservatorët ankohen se përkushtimi liberal ndaj lirisë minon vlerat dhe virtytet tradicionale dhe kështu vetë rendin shoqëror. Prapëseprapë, pavarësisht mosmarrëveshjeve të brendshme, liberalët bashkohen duke i hedhur poshtë këto konceptime të të drejtave politike.

Si përfundim, kursi arriti të përcjellë për pjesëmarrësit e interesuar – veçanërisht ata universitarë- përgjigjet që liberalët u japin pyetjeve ndaj pasigurive të kohës sonë, me synimin parësor të formimit të një elite liberale, që në të ardhmen të jetë e aftë t’i jetësojë këto parime në proceset vendimmarrëse.

* PhD, Moderator i Kursit

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas