Mapo Format

UET Alumni: Andi Skënderi, studenti i shkëlqyer që la Politeknikun për t’u bërë avokat

Ish-nxënësi i gjimnazit Harry Fultz, që zgjodhi ta braktisë të drejtën e studimit në Universitetin Politeknik për të studiuar Drejtësi në Universitetin Europian të Tiranës. Sot që ushtron profesionin e avokatit e di se ka bërë zgjedhjen e duhur 

Thuhet se fatit nuk mund t’i ikësh. Sido të jenë shtigjet që do të hasësh, do e gjesh gjithnjë rrugën për hapat e tu… Ka edhe nga ata që e quajnë përmbushje të profecisë vetjake, ku pasioni i fshehtë nuk do të mbetet më i tillë dhe ngre krye kundër çdo gjase.



Si nxënës i shkollës së mesme teknike “Harry Fultz”  i profilizuar në Elektronikë atë e priste vetëm një zgjidhje për studimet e larta; Universiteti Politeknik i Tiranës. E megjithëse e fitoi këtë të drejtë, zgjodhi të besojë atë zërin e brendshëm që shpesh reflektohej edhe te inkurajimet e miqve se ai kishte një dell për fushën e ligjit dhe të drejtësisë.

Sot ai ushtron profesionin si avokat në një studio ligjore , i bindur se ka bërë zgjedhjen e duhur në karrierën profesionale.

“Studimet në Fakultetin Juridik  i kam nisur në  vitin 2009. Vendimi ka qenë  një rastësi.  Në  atë periudhë,  si çdo i ri që  mbaron gjimnazin kërkon t’i realizojë  studimet e larta  në universitet sa më me emër dhe peshë, i cili të ofrojë programe, studime me prirje perëndimore dhe sigurisht një staf sa më të kualifikuar” – kujton Andi Skënderi, i cili pas pesë vitesh studimi në Universitetin Europian të Tiranës është tashmë pjesë e rrjetit Alumni UET.

“Vendimi më pas për të studiuar në  UET ishte pasojë e një bisede me prof. Ermal Hasimen  pranë ambienteve të UET, ambiente të cilat bënin diferencën që  nga mikpritja, si dhe kushtet kontraktore me studentët e dalluar që vinin nga gjimnazi me mesatare të lartë. Kjo bëri të mos mendohesha dy herë”.

Për të, si student dy ciklet e kaluara në UET, ai Bachelor dhe Master i Shkencave kanë qenë vite të arta. “Të përshkuara nga një pasion i madh pedagogjik, me profesorë të përkushtuar me orë të tëra në mënyrë që ne studentët të arrinim objektivat”. Jo vetëm programi që aftësonte në dijet dhe fushën profesionale, por edhe aktivitetet ekstrakurrikulare kanë pasur një rol ndërtues. “ Një pjesë e mirë e pedagogëve jepnin materiale shtesë dhe bënin organizime të atilla edhe jashtë programit të detyruar për përmirësimin e zhvillimin intelektual të fushës me studentin, si pasojë  kjo e shkollimeve të  tyre në universitetet prestigjiozë”- thotë ai, ndërsa përballja praktike është sfida e vërtetë që çdo i diplomuar has pas daljes nga mjediset universitare. “Më pas praktika është kriteri më i fortë i së vërtetës, që sigurisht me punë dhe vetëm me punë arrihet të perfeksionohet. Kuptohet që formimi akademik ndikon drejtpërdrejt në aspektin praktik”.

Për ata të rinj që janë gjithnjë në mëdyshje të zgjedhjes së profesionit të ardhshëm, Skënderi u këshillon t’u japin rëndësi studimeve. “Të jenë gjithmonë kërkues nga vetja e të mos kënaqen  nga suksesi, por ta çojnë atë në një nivel më të lartë. Koha kur je në marrëdhënie punësimi ecën me një ritëm të pakapshëm sa përherë thua:  “Të  kisha një ditë më shumë!”  Në këtë kuptim,  çdo brez që  vjen pas ka avantazhin të punojë  edhe më  shumë, edhe të  lexojë më shumë dhe të kërkojë përherë e më  shumë, pasi është një eksperiencë që e gjen nga një brez paraardhës për ta përmirësuar edhe më tej. Koha nuk duhet humbur kot!” – thotë ai, duke shtuar se nxitjen për të qenë garues jo vetëm si student, por edhe në tregun e punës e ka marrë edhe nga motoja e famshme e UET-it, “A e bën dot?”. “Është nder të jesh ndër më të mirët dhe UET e lejon këtë gjë për të gjithë sfidantët akademikë. Do doja që UET të kishte përherë ditë të arta siç ka pasur prej fillimit, sepse i takon për emrin dhe atë çka solli në arsimin shqiptar; të konceptimit dhe të bërit universitet”.

Sot, me përvojën që ka marrë, ndjehet i sigurt në përvojat e tij në tregun e punës, në shoqëri tregtare apo projekte kombëtare, por edhe si avokat i studios ligjore H&A Law Firm shpk.. “Kjo është eksperienca më e vyer në të cilën jam pjesë dhe aktualisht si një nga studiot me prestigjioze të vendit dhe është një vlerësim që jam i përzgjedhur të jem pjesë”- përfundon ai, duke treguar se e ardhmja nuk është e shkruar në gur. Asaj mund t’i japësh formën e pasionit tënd, të intuitës që shkon për shtat me profesionet që i duhet tregut të punës, ndërsa pjesën tjetër, atë më të rëndësishmen, formimin akademik t’ia lësh në dorë gjithmonë më të mirëve…

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas