KMR, Kryesore

‘U desh të bëja pengmarrësin të dashurohej pas meje’

Nga Sara Bell, BBC

Modelja Chloe Ayling u mbajt peng në Itali për gjashtë ditë  vitin e kaluar, por kur ajo u kthye në Mbretërinë e Bashkuar, disa njerëz ishin skeptikë për historinë e saj.



Ajo i tha Victoria Derbyshire se si ajo u arratis dhe se si ajo ua kthen njerëzve që dyshojnë për ato që thotë.

Pasi kaloi dy ditë e lidhur pas një sënduku rrobash, Chloe Ayling ra dakord që të ndante krevatin me pengmarrësin e saj.

“Sa më shumë që flisnim, aq më shumë formohej lidhja mes nesh, dhe sapo e kuptova që ai filloi të kishte pëlqim për mua, e dija se duhej ta përdorja këtë gjë në avantazhin tim,” thotë ajo.

Ayling është një 20-vjecare nga Londra Jugore.

Ajo tha se u josh të ikte në Milano sepse i kishin premtuar një set fotografik me 30-vjeçarin, Lukasz Herba, korrikun e kaluar.

Por asaj i injektuan një shiringë me ketaminë, e zhveshën, e lidhën me pranga, e futën në një valixhe dhe e mbajtën në bagazh teksa përshkuan 193 km derisa arritën në një fermë të largët.

Ayling thotë se ishte e tmerrshme kur arriti në shtëpi dhe Herba i tha se ajo do të shitej si skllave seksi në rast se nuk kishte 300,000 euro për të fituar lirinë e saj.

“Mendova se ajo që po thoshte ishte e vërtetë dhe nuk kisha dyshime për asnjë sekondë sepse ai ishte shumë i detajuar në përgjigjet që u jepte pyetjeve të mia,” thotë ajo.

Por ai gjithashtu e pyeti nëse mund ta puthte dhe nëse mund të kishin një lidhje.

“Thashë me vete, ky është shansi im për t’u arratisur,” thotë Ayling.

“Sapo pashë reagimin e tij kur thashë se gjërat mund të ndodhin në të ardhmen- ai u duk shumë i emocionuar, mezi po priste për këtë gjë dhe gjithë kohës fliste për ne të dy- ishte përgjigjja që më bëri të kuptoja se duhej të vazhdoja ta bëja atë gjë”.

Kur ai kuptoi se shpërblimi nuk do të paguhej, ai e liroi atë dhe e dërgoi te konsullata britanike në Milano.

Teksa ata po prisnin që konsullata të hapej, dëshmitarët tregojnë se i kanë parë duke folur dhe duke qeshur në një kafene.

“Mund të duket e cuditshme,” thotë Ayling, “por pse duhet të jesh i rezervuar me dikë që ka filluar të ketë ndjenja për ty dhe po mendon që të të lirojë?”

“M’u desh të bëja gjithçka që mundesha që ai të dashurohej me mua”.

Herba, me kombësi polake, u burgos në qershor me 16 vite e 9 muaj në një gjyq në Milano.

Në mbrojtjen e tij, Herba tha se ai e kishte takuar më parë Ayling dhe ishte dashuruar me të. Ai pretendoi se ai donte të krijonte një skandal që ta ndihmonte modelen të bënte karrierë me anën e një publiciteti ekstra.

“Nuk e kuptoj plotësisht motivimin e tij,” thotë ajo. “Nuk mund të jetë thjesht për para sepse nuk kishte pse të më zgjidhte pikërisht mua që më kishte shtuar në Facebook para dy vitesh, duket sikur ai më ka përndjekur mua për aq shumë kohë që do të thotë se ka gjasa që ai të ketë qenë i fiksuar pas meje”.

Kur ajo u kthye në Mbretërinë e Bashkuar pas lirimit, foli për gazetarët përpara shtëpisë së saj- disa njerëz e kritikuan se ajo dukej e lumtur, por edhe për veshjen që ajo kishte zgjedhur.

Ajo tha se ishte e lumtur që ishte kthyer në shtëpi, gjë që mendonte se nuk do të ndodhte kurrë- dhe sapo kishte zbritur nga avioni me pantallona të shkurtra dhe një bluzë.

“Po tregohesha vetvetja. Shkova te gazetarët sepse mendova që vetëm ashtu ata do të largoheshin, por nuk funksionoi,” shpjegon ajo.

“Njerëzit presin që unë të jem duke qarë gjithë kohës dhe të mbyllem në vetvete dhe të mos përballem me kamera. Mund të kisha zgjedhur të veproja ashtu, por mendoj se nuk do të më ndihmonte të merrja veten. Duke folur mbi atë çfarë ndodhi, duke e rrethuar veten me njerëz ishte mënyra ime për ta kapërcyer ngjarjen dhe për të ecur përpara.”

Duke e mbrojtur veten ndaj kritikave që thonë se ajo dukej pa ndjenja, ajo thotë se kështu përpiqet të shkëpusë veten nga ajo çfarë ndodhi.

“Ndjesia është e papërshkrueshme, kur nuk e di nëse do ta rifitosh lirinë tënde dhe nuk më pëlqen të mendoj për atë gjë. Unë kam tendencën t’u qëndroj fakteve, kështu që nuk kam pse të mendoj se si u ndjeva në atë kohë,” thotë ajo.

Ayling, që ka shkruar një libër për përvojën e saj të hidhur, thotë se është qesharake se si njerëzit vazhdojnë akoma të kenë dyshime mbi ngjarjen edhe pas dënimit me burg të Herba-s. Ajo akuzon median se u ka bërë lavazh truri njerëzve dhe thotë se më shumë abuzohet nga femrat.

“Sapo ata kanë kuptojnë se dikush është kontraversial në atë që thotë ata thjesht përpiqen dhe gërmojnë më thellë dhe mundohen t’i bëjnë njerëzit që ta urrejnë akoma më shumë atë njeri sepse kështu mund të fitojnë audiencë”.

“Është e dhimbshme sepse nuk e prisja të kaloja diçka aq të keqe dhe të mos besohesha as nga vendi im.”

*Përktheu për Mapo.al, Shaqir Sulaj

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas