Editorial

Turqia dhe Europa drejt ngrohjes

VOA

Tani që marrëdhëniet SHBA-Turqi janë thellësisht të tensionuara, lidhjet e Ankarasë me Europën po ngrohen. Berlini thuhet se ka ftuar Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan për një vizitë shtetërore, ndërsa Erdogani po organizon një samit me pjesëmarrjen e Francës, Gjermanisë dhe Rusisë për të diskutuar mbi Sirinë.



Këtë muaj, Holanda rivendosi marrëdhëniet e plota diplomatike me Turqinë pas një tensionimi të hidhur midis udhëheqësve të dy vendeve.

Për më shumë se një vit, marrëdhëniet midis Turqisë dhe Europës kanë qenë në ngrirje të thellë. Presidenti Erdogan angazhohet shpesh në retorika që synojnë të ngjallin zemërim tek udhëheqësit europianë, shpesh duke i akuzuar ata për sjellje prej nazistësh. Paraburgimi i shtetasve Europianë, veçanërisht shtetasve gjermanë, shpesh pa u ngritur akuza, i tensionoi marrëdhëniet me Berlinin deri në një pikë kritike.

E udhëhequr nga Berlini, Europa po dilte me një qëndrim gjithnjë e më të fortë ndaj Ankarasë, me kërcënim për sanksione financiare dhe ekonomike.

“Arsyeja që grindjet mes Turqisë dhe BE u ndalën, është se BE-ja arriti në përfundimin se ç’qëndrim duhet mbajtur ndaj Turqisë dhe se Erdogani e kuptoi se ai nuk mund ta marrë nëpër këmbë BE-në”, thotë analisti politik Atilla Yesilada i organizatës Global Source Partners.

Rizgjedhja e Erdoganit në qershor ka ofruar një shans për një fillim të ri me Europën. “Nga të dyja anët do të ketë politika të tensionuara”, thotë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Huseyin Bagci i Universitetit Teknik të Lindjes së Mesme në Ankara. “Në pesë vitet e ardhshme, ata [Europa] duhet të merren me Tayyip Erdoganin, dhe Erdogani duhet të merret me ta”.

“Politikat dhe strategjitë ekonomike turke kërkojnë më shumë bashkëpunim sesa konfrontim në afat të gjatë”, tha Bagci. “Unë e konsideroj këtë një periudhë të re me shumë mësime të nxjerra, me një orientim më pragmatik dhe realist të politikës së jashtme dhe politikave ekonomike në vitet e ardhshme”.

Interesa reciprokë

Ankaraja dhe Bashkimi Europian kanë gjetur një bazë të përbashkët për të kundërshtuar tërheqjen e Uashingtonit nga marrëveshja ndërkombëtare mbi programin bërthamor të Iranit. Kompanitë turke, ashtu si homologët e tyre Europianë, po përballen me sanksione amerikane për tregtinë me Iranin.

Megjithatë, analisti thotë se çdo shpresë e Ankarasë për një qëndrim të bashkuar kundër Uashingtonit do të ishte e gabuar.

“Mënyra se si vendet e BE-së iu qasen sanksioneve të Iranit është ndryshe. Ne tashmë e dimë se kompanitë e mëdha nga Europa e kanë lënë Iranin”, thotë ish-diplomati i lartë turk Aydin Selcen.

Faktorët ekonomikë mbeten një forcë lëvizëse jetike pas afrimit të Ankarasë me Europën. Erdogani është i angazhuar për të vazhduar një seri projektesh të mëdha ndërtimi, të cilat përfshijnë një nga aeroportet më të mëdha të botës dhe një kanal të madh që kalon nëpër Stamboll.

Duke qenë se Turqia kufizohet me Sirinë dhe Irakun, analistët besojnë se Erdogani i sheh përpjekjet për rindërtim në vendet fqinje si një mundësi për të ringjallur ekonominë turke dhe në veçanti industrinë e saj të dobësuar të ndërtimit. Samiti i planifikuar i Erdoganit këtë vit me Francën, Gjermaninë dhe Rusinë thuhet se pritet të përqendrohet në çështjen e rindërtimit të Sirisë.

Të drejtat e njeriut

Sidoqoftë shqetësimet e vazhdueshme të Europës lidhur me problemet e të drejtave të njeriut të Turqisë, mund të komplikojnë përpjekjet e afrimit. Sipas kritereve të Kopenhagës, si një kandidate për anëtarësim, Turqia është e detyruar të respektojë të drejtat themelore të njeriut.

Brukseli në mënyrë të përsëritur ka kritikuar Ankaranë për të drejtat e njeriut, veçanërisht mungesën e lirisë së shprehjes.

Migrimi mbetet një kartë vendimtare për Ankaranë në marrëdhëniet e saj me BE-në. Turqia po kontrollon me sukses fluksin e emigrantëve në Europë si pjesë e një marrëveshjeje dyvjeçare të migrimit me Brukselin. Bashkëpunimi turk në monitorimin e kthimit të xhihadistëve europianë nga Siria shihet si jetike nga forcat e sigurisë të Europës.

Analistët nuk po parashikojnë se afrimi me Europën do të ofrojë ndonjë shpresë për ringjalljen e ofertës së Turqisë për anëtarësimin në BE. Por ata thonë se marrëdhënia midis të dyve ka të ngjarë të mbështetet mbi nismat që lidhen me biznesin.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas