Arkiva 2

Turqi, sulm me armë zjarri ndaj ambasadës amerikane

Ambasada amerikane në Turqi është sulmuar me armë zjarri, në një kohë kur tensionet mes Uashingtonit dhe Ankarasë janë më të larta se kurrë. Duke reaguar, zëdhënësi i presidentit Erdogan e ka cilësuar ngjarjen një përpjekje për të krijuar kaos.

Selia e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Ankara është sulmuar mëngjesin e së hënës me armë zjarri. Ngjarja ndodhi rreth orës 5 e 30, kur nga një makinë në lëvizje u qëlluan me breshëri të paktën 6 plumba. Nga sulmi nuk ka patur persona të lënduar por vetëm disa dëme materiale në hyrjen kryesore të selisë diplomatike. Disa orë më vonë, autoritetet turke arrestuan një person lidhur me ngjarjen, por nuk dhanë detaje mbi identitetin e tij.



Duke reaguar, zëdhënësi i presidentit Erdogan dënoi sulmin, duke e cilësuar një përpjekje për të krijuar kaos. “Kjo është një përpjekje e pastër për të krijuar kaos. Turqia është një vend i sigurtë dhe të gjitha misionet e huaja janë të siguruara sipas ligjit”, deklaroi Ibrahim Kalin, duke shtuar se hetimet mbi ngjarjen vijojnë. Ndërkohë, zëdhënësi i ambasadës amerikane, David Geiner konfirmoi verifikimin e incidentit dhe falenderoi policinë turke për reagimin e shpejtë. Selitë diplomatike amerikane në Turqi janë gjendur shpesh herë nën sulmet dhe kërcënimet e milicive në të kaluarën.

Rasti i fundit vjen në një kohë kur marrëdhëniet dypalëshe janë tendosur për shkak të arrestimit të pastorit Andrew Brunson. Sidoqoftë, Ministria e Jashtme turke njoftoi rritjen e masave të sigurisë pranë ambasadës dhe misioneve të tjera amerikane në Turqi.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas